Ballina Top Lajm Krerët shtetërorë të Kosovës shprehin ngushëllime për 13 jetët e humbura në...

Krerët shtetërorë të Kosovës shprehin ngushëllime për 13 jetët e humbura në aksidentin në Maqedoninë e Veriut

Në 13 ka arritur numri i atyre që kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të një autobusi që ka ndodhur në autostradën Shkup-Tetovë.

Familjarët që humbën më të dashurit e tyre i kanë ngushëlluar edhe liderët shtetërorë të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nëpërmjet një postimi në Facebook, ka shprehur ngushëllime për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, transmeton Telegrafi.

“Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave të aksidentit në autostradën Shkup-Tetovë, ndërsa të lënduarve iu uroj shërim sa më të shpejtë dhe të plotë. Iu shpreh ngushëllime edhe udhëheqësve të institucioneve, si dhe tërë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Thaçi.

Ngushëllime ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli i cili është shprehur i tronditur nga ky aksident me fatalitet.

”I pikëllueshëm lajmi për aksidentin e rëndë që ndodhi sot në afërsi të Tetovës. Në emër timin dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave të kësaj tragjedie dhe shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve”, ka shkruar Veseli.

Të prekur nga ky rast janë shprehur edhe zëvendëskryeministrat, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli.

“I prekur thellë nga lajmi i trishtë për aksidentin e rëndë në autostradën Shkup-Tetovë, ku në mënyrë tragjike, raportohet të kenë vdekur 13 persona e shumë të tjerë të lënduar. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, ndërsa të lënduarve shërim të shpejtë”, ka shkruar Limaj në Facebook.

”Duke ndjekur me vëmendje situatën e aksidentit tragjik sonte në autostradën Shkup-Tetovë, në fshatin Llaskarcë. Lutem për të lënduarit, dhe i shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve të viktimave””, ka shkruar Behgjet Pacolli.

Deri më tani nga ky aksident, raportohet se janë edhe mbi 20 persona të lënduar. /Telegrafi/

https://youtu.be/jXhp-j6xO-4