Mes Francës dhe Italisë janë ndezur ndjeshëm tensionet pasi Parisi deklaroi se i ka ardhur në majë të hundës nga sulmet e vazhdueshme të liderëve italianë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka tërhequr për bisedime ambasadorin e Francës në Itali.
Sipas BBC, ekspertët thonë se kjo është situata më e tensionuar mes dy vendeve që prej Luftës së Dytë Botërore.
Gjithçka vjen pasi zëvendëskryeministr italian, Luigi Di Maio u takua me protestuesit francezë të njohur si ‘Jelekët e verdhë’ në afërsi të Parisit. Këta protestues kanë dalë kundër qeverisjes së zotit Macron.
Pas takimit, ai tha se era e ndryshimit ka kaluar Alpet. Komenti i tij zemëroi ndjeshëm qeverinë franceze.
Franca e paralajmëroi që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të vendit.
Marrëdhëniet mes dy vendeve- të dyja themeluese të BE- janë tensionuar që kur lëvizja populiste italiane ‘Pesë yjet’ dhe partia e djathtë ‘Liga’ krijuan një koalicion qeverisës në qershor të vitit 2018.
Qeverisjet e dy vendeve janë përplasur për një seri çështjesh, mes tyre edhe për emigracionin.