Këto ditë kur situata politike në Shqipëri është acaruar ndjeshëm, normalisht vëmendja do përqendrohet tek reagimet ndërkombëtare. Deri më tani, SHBA dhe BE janë treguar të prera në qëndrime, por vëmendja është sidomos tek Berlini.
Nga Gjermania ka ardhur një reagim interesant nga partia më e madhe në vend, CDU/CSU, që thotë se perspektiva europiane është në rrezik. Sipas tyre, mbi Shqipërinë po grumbullohen re të zeza.
Interesant megjithatë është qëndrimi i një portali të njohur pranë të djathtës gjermane, Freie Welt. Në një shkrim të portalit të krijuar nga gazetarë dhe blogerë të njohur të së djathtës gjermane, thuhet se Edi Rama është drejt fundit, njësoj si Nicolas Maduro. Lexoni tekstin më poshtë:
“Në Amerikën e Jugut, regjimi socialist i Nikolas Maduros është drejt fundit. Maduro po mbahet në pushtet vetëm me dhunë. Edhe në Evropë, një regjim socialist po shkon drejt fundit. Në Shqipëri duket se janë orët e fundit në detyrë për kryeministrin Edi Rama. Gjithmonë e më shumë njerëz po dalin në rrugë në kryeqytetin e vendit duke kërkuar dorëheqjen e tij. Një aleancë e gjerë e forcave opozitare nga të gjitha kampet politike është mobilizuar kundër Ramës. Fundjavën e kaluar, demonstruesit sulmuan edhe selinë e Ramës. Vetëm duke përdorur masivisht gaz lotsjellës dhe granata të përziera, forcat e sigurisë e morën sërish situatën nën kontroll.
Edhe në nivelin politik, opsionet e Ramës po mbarojnë. Shumë deputetë të opozitës kanë dhënë dorëheqjen nga parlamenti shqiptar. Kështu ka dalë jashtë funksionit edhe parlamenti. Megjithatë, ky hap kritikohet nga përfaqësuesit e BE. Shqipëria është një vend kandidat për pranimin në BE dhe negociatat duhet të fillojnë këtë vit. Nga ana e BE është bërë thirrje për dialog konstruktiv.
Opozita në Shqipëri ka një tjetër pikëpamje: Rama duhet të japë dorëheqjen. Qeveria e tij është e korruptuar dhe ka lidhje me krimin e organizuar një qeveri ekspertësh duhet të formohet menjëherë, për ta stabilizuar vendin dhe për të organizuar zgjedhje të reja. Protestat nuk do ndalen deri në dorëheqjen e Ramës”.