Moska paralajmëron Shtetet e Bashkuara të Amerikës se do të përballen me reagimin e saj nëse vendosin raketat e tyre në Europë. Ishte presidenti rus Putin që bëri këtë paralajmërim gjatë fjalës së tij në parlament.
Vladimir Putin paralajmëron Shtetet e Bashkuara të Amerikës se në momentin që do të vendosin raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme në Europë, Moska do të do të reagojë menjëherë duke vendosur në objektiv armatimet amerikane jo vetëm ndaj atyre në vendet europiane, por dhe në qendra të rëndësishme. Deklarata është bërë nga presidenti rus në fjalën e tij në parlamentin e vendit. Putin u shpreh se vendosja e raketave amerikane në Europë është një kërcënim shumë serioz për sigurinë e Rusisë dhe paqen në përgjithësi. Ai theksoi se nuk besonte aspak se situata aktuale ndërkombëtare ishte e tillë, sa të duhet një përshkallëzim i mëtejshëm dhe i papërgjegjshëm, pasi askush nuk e do këtë.
Putin shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të numërojnë fillimisht forcat ruse dhe më pas të marrin një vendim. Presidenti rus me këtë rast deklaroi se në pranverën e këtij viti do të lëshohet vektori i parë nënujor i kompleksit Poseidon, dhe se çdo gjë po ecën siç duhet. Në përfundim të fjalës së tij, Putin paralajmëroi dhe njëherë më shumë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke i kërkuar të heqin dorë nga iluzionet për mbrojtjen raketore botërore në një kohë që puna për krijimin e armëve të reja ruse vazhdon.