Ku qëndron defekti, te vetë koncepti, te profili i kërkuar apo te diçka tjetër më pragmatike? Ndoshta e dogji fama që ngritën disa media se një kandidat i tillë duhej të kishte edhe ndonjë damar shqiptar…
Nga Daut DAUTI
Me vite BDI-ja e kërkon një “kryetar konsensual”, por assesi ta gjejë. Një ide me qëllim që Maqedonia të zgjedhë një kryetar me përkrahje të gjerë politike, etnike e qytetare. Një profil ideal të babait të kombit, çfarë në të kaluarën nuk kemi pasur.
IDEJA QË S’PO GJEN TERREN POLITIK
BDI-ja, për dy palë zgjedhje me radhë, po hasë në veshë të shurdhër te subjektet maqedonase. Ku qëndron defekti, te vetë koncepti, te profili apo te diçka tjetër më pragmatike? Apo te fama që ngritën disa media se një kandidat i tillë duhej të kishte edhe ndonjë damar shqiptar…
Ideja nuk është e keqe. Në të kaluarën dhe tash, vazhdimisht kanë qenë dy kandidatë të partive maqedonase që kanë kaluar në rreth të dytë, ku pastaj kanë qenë vendimtare votat e shqiptarëve. Pse ato vota të mos orientoheshin që nga fillimi me një marrëveshje subjektesh maqedonase e shqiptare? Pa përkrahje e pazare të fshehura, por për mejdani. A do të ishte konsensual në kuptimin e plotë të fjalës, është çështje tjetër, por politikisht i nevojshëm. Nuk do të ishte keq të provohej një herë. Ka qenë disi normale që një parti si VMRO-DPMNE-ja të mos përkrahte diçka të tillë për shkak të etnocentrizmit të theksuar të kësaj partie, çmimin e së cilës po e paguan shtrenjtë si opozitë. Në rrethanat e reja, është pritur që LSDM-ja do të rreshtohej pas kësaj ideje. Jo aq për shkak se insiston partneri i koalicionit, por pse vetë LSDM-ja ka një borxh moral ndaj votuesve dhe partive shqiptare, që e sollën në pushtet.
Në mungesë të informacioneve të prapaskenës, na mbetet të supozojmë arsyet e mundshme përse edhe kësaj radhe u dogj letra e kandidatit konsensual. E para, mund të jetë që LSDM-ja dhe BDI-ja nuk kanë mundur të gjejnë kandidatin “e duhur” që do të ishte i pranueshëm për të dy partitë, edhe pse ndër emrat e përmendur, ka pasur të tillë. Mund të jenë dallimet në qasje: përderisa BDI-ja ka preferuar një kandidat jashtë radhëve partiake, për LSDM-në imperativi ka qenë ndoshta i kundërt. Nuk e dimë tash për tash kush do të fitojë garën në konventën e kësaj të dytës, por gjithsesi, një Radmilla Sheqerinska, Oliver Spasovski, ose ish-VMRO-isti Nikolla Dimitrov, ministër aktual i punëve të jashtme, do të përbënin siguri më të madhe se do të jenë më afër qëndrimeve partiake, se sa një Denko Maleski, Lazar Elenovski, Luan Starova, Imer Selmani ose ndonjë tjetër që u përmend ose s’u përmend.(Kryetari në ikje, është shembulli më i mirë çfarë nuk duhet të jete pasardhësi i tij).
Çështja e dytë, për të mos thënë defekti i këtij koncepti, qëndron në vetë “përmbajtjen” e profilit të kandidatit konsensual. A mund të jetë konsensual një kandidat i cili do të kishte përkrahjen e një partie maqedonase dhe një partie shqiptare? Si do të quhej kandidati tjetër i cili po ashtu mund të siguronte përkrahjen e një partie maqedonase dhe një partie shqiptare? Hipotetikisht. Do të ishte një situatë e pa provuar deri tash, natyrisht.
E treta, me gjasë është kalkulimi i fshehur që nuk thuhet: një kandidat “konsensual” do të kishte pasur edhe vulën e ndikimit të BDI-së dhe me këtë edhe borxhi moral që do të ndjente kandidati përkatës ndaj kësaj partie. Thënë troç, LSDM-ja mund të mos e preferojë edhe një varësi më tepër nga BDI-ja, përskaj dy varësive tjera në qeveri dhe parlament. Çështje pragmatike, do të thoshim, por një frikë e pa bazë.
Larg të gjitha kalkulimeve, mbeti pa u prekur një aspekt tjetër, që ndoshta duhej t’i paraprinte zgjedhjes së një kandidati sa më konsensual dhe mendoj se partitë kanë pasur kohë për ta diskutuar. Është fjala për ndryshimin e vetë “metodologjisë” së zgjedhjes. Sepse, përderisa kemi një kryetar me kompetenca dukshëm të kufizuara kundrejt qeverisë, nuk ka përse të zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme presidenciale, me shumë shpenzime të panevojshme, kur mundet me marrëveshje politike në parlament. Pra, partitë u desh që këtë çështje ta zgjidhnin paraprakisht dhe në atë rast do të mund të realizohej konsensualiteti. Nëse kujtojmë të kaluarën, i vetmi kryetar konsensual ka qenë Kiro Gligorov në mandatin e parë të tij, kur u zgjodh në parlament me votat e të gjitha partive.
Pas dështimit të një marrëveshjeje mes LSDM dhe BDI-së, plus dhe ndonjë partie tjetër shqiptare ose të etniteteve më të vogla, mbetet ndoshta të provohet një kandidat konsensual i partive shqiptare, sepse krahas kandidatit të vet, BDI-ja la mundësinë për një kandidat të përbashkët me partitë shqiptare. Nëse i lëmë anësh animozitetet ndërpartiake, një kandidat i përbashkët i tyre do të ishte një leksion i mirë, sepse mund të ndodhë që tek ndarja e votave te tre kandidatë të fortë, kandidati shqiptar, nëse jemi aq sa themi se jemi, nuk është pa gjasa për një rezultat befasues. Gjithçka në funksion të lojës për të dëshmuar edhe një herë peshën e faktorit shqiptar.
Ka një të mirë në prag të këtyre zgjedhjeve, e kjo është atmosfera tjetërfare nga ato më parë. Në ç’kuptim? Në kuptimin se në shumë media, shumë autorë të njohur maqedonas, për herë të parë kanë përmendur pa paragjykime edhe emra kandidatësh shqiptarë të pranueshëm(Talat Xhaferi, Bujar Osmani, Imer Selmani…), në dallim nga e kaluara, kur mediat e kontrolluara nga VMRO-DPMNE-ja këtë gjë e trajtonin si tradhti kombëtare!
KUR MBROJTËSIT E LIGJEVE KRIJOJNË KONFUZION…
Fundjavën e shënoi një vendim( apo mendim) i Gjykatës Supreme lidhur me lëndët që ka ngritur ose do t’i ngre Prokuroria Speciale pas skadimit të afatit ligjor prej 18 muajsh për të hapur lëndë hetimore. Kërkesa e avokatëve të disa lëndëve drejtuar kësaj gjykate, si dhe vetë vendimi u shoqërua me vlerësime diametralisht të kundërshtuara. Një konfuzion mendimesh ku nuk dihet kur shprehet mendimi me kompetencë, e kur ai është shprehje e interpretimeve me motive tjera.
Por, qasja emotive që publiku i gjerë ka ndaj disa personaliteteve(emra atraktivë politikanësh e biznesmenësh) që u gjetën të dyshuar në disa lëndë të Prokurorisë Speciale, mund të mos përputhet me kornizat juridike për ndjekjen e të dyshuarve nga përgjimet e pa autorizuara.
Përderisa në publik janë të natyrshme tifozllëqet për të ndjekur a shpëtuar dikë, kjo nuk do t’u ishte e lejuar atyre që duhet t’i lexojnë e zbatojnë ligjet me përpikëri. Ndërkaq pikërisht te ata shihet konfuzioni. Është brengosësh kur ndonjë gjykatës ose ministrja e drejtësisë thotë se vendimi i Gjykatës Supreme nuk është obligues, e në anën tjetër një profesor, ekspert i drejtësisë, shpreh habinë se si PSP-ja vazhdon të procesuojë lëndë përkundër faktit se tash nuk e kemi më një prokurori të kapur siç e kishim më parë, ndërkohë që ka një ligj i cili është shumë i qartë për afatin që ka pasur në dispozicion PSP-ja për të hapur lëndë. Kur ekspertët e fushës flasin kështu për diçka që është shumë e qartë, çka të thonë qytetarët e rëndomtë të cilët para normave të shtetit ligjor i venë ndjenjat e tyre subjektive?
Ndonjëherë mund të mos na pëlqejë ajo që shkruhet në ligje, por ajo duhet të respektohet. Kështu duhet të shikohet edhe vendimi i Gjykatës Supreme, i cili vendim nuk lë vend për mëdyshje.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)