Futbollistja dhe tanimë golashënuesja më e mirë në botë për vitin 2018, Megi Doçi, ishte e ftuara e Bieta Sulos në studion e “Ftesë në Pesë”, në Top Channel.
Pjesë e ekipit të Vllaznisë dhe Kombëtares, Megi ia doli të rrëmbente këtë titull, duke shënuar plot 84 gola gjatë vitit që lamë pas. Gjatë bisedës me Bietën, ajo tregoi se ndihej shumë krenare jo vetëm për gjithë golat e shënuar, por edhe për vetë historinë e fillimit të saj në futboll.
Mes vështirësish dhe sakrificash familjare, futbollistja tregoi se vetëm falë mbështetjes së prindërve dhe përpjekjeve të saj ia ka dalë të arrijë këtu ku është sot. Megi pranoi se ka patur shumë nga ata që nuk kanë besuar se ajo do ishte e mirë në futboll, aq më tepër të konsiderohej futbollistja më e mirë në Shqipëri për vitin 2018.