Ka dështuar që në nisje një fluturim i avionit të linjës “Blue Panorama” nga Tirana për në Ancona. Sipas “BalkanWeb”, avioni ka kryer ulje të detyruar vetëm pak minuta pasi ishte nisur nga aeroporti i Rinasit, “Nënë Tereza”.
Një prej pasagjerëve ka rrëfyer edhe minutat e tmerrit në ajër, duke treguar se fillimisht janë nisur shumë normalisht në orën 07:00 të mëngjesit me avionin e linjës “Blue Panorama”, ndërsa më pas ka ndodhur defekti në ajër.
“U ngritëm normalisht, ishim në det, sapo kishim kaluar Durrësin kur pamë tym të dilte nga avioni, kabina u mbush me tym. Ishte tmerr, kishte edhe fëmijë që nisën të qanin”, ka thënë pasagjeri.
Në ato momente paniku, pasagjeri thotë se nuk janë lejuar të përdorin telefonat për të filmuar dhe se avioni ka bërë disa manovra të rrezikshme para se të ulet.
“Kabina u mbush me tym kur na njoftuan që do ulemi në Rinas për shkak të defektit. Avioni bëri disa lëvizje shumë të rrezikshme, thamë se u rrëzuam. Është i gjithë faji i avionëve të vjetër që sjellin në Shqipëri si të ishim bota e tretë. Pilotët na e shpëtuan jetën, nuk e di se si mundën ta ulnin atë avion në gjendjen që ishte”, ka theksuar pasagjeri.
Ndërkohë, prej gati dy orësh 50 pasagjerë që presin të udhëtojnë drejt Anconës janë ende në Rinas dhe askush nuk i ka lajmëruar se kur do të nisen.