Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë kanë bërë të ditur se tanimë janë ngritur 5 procedura për gjuhë të urrejtjes, të shprehur kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale pas aksidentit tragjik në autostradën Shkup-Tetovë, ku humbën jetën 14 persona.
Ndërkohë, burimet nga spitali bëjnë të ditur se gjendja e pesë prej të lënduarve mbetet kritike.
Ekspertët thonë se është i patolerueshëm përdorimi i gjuhës së urrejtjes në baza etnike dhe politike në një situatë kaq tragjike.
Në së shumti reagime ka nxitur postimi i profesoreshës Biljana Vankovska, e cila në ditën e tragjedisë kishte shkruar, “Çfarë tragjedie dhe ironie. Karpallëk”, duke e ndërlidhur aksidentin me ngjarjen e 2001-s, me ç`rast në autostradën Shkup-Tetovë në vendin Karpallëk, pak kilometra nga vendi ku ndodhi aksidenti, forcat e Ushtrisë Çlirimtarë Kombëtare sulmuan një autokolonë të Armatës maqedonase me ç`rast mbetën të vrarë dhjetë pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka bërë të ditur se po punohet në zbardhjen e profileve të tjera në rrjetet sociale, përmes së cilave përhapet gjuha e urrejtjes.
“Një gjuhë e tillë e urrejtjes më bën të ndihem i poshtëruar dhe i mposhtur, sidomos kur kjo vjen nga një profesor universitar”, ka deklaruar Spasovski.
Ndërkohë, rektori i Universitetit të Shkupit “Shën Qirili dhe Metodi”, Nikolla Jankullovski, është distancuar nga gjuha e urrejtjes së shprehur nga kolegia e tij, Biljana Vankoska.
“Duke mos u futur në kualifikime juridike të deklaratës së profesoreshës, për çka janë kompetente institucione tjera, nga arsye etike ndiej obligim të distancohem nga deklarata e profesor doktor Biljana Vankovska. Si njeri, dënoj fuqimisht çfarëdo deklaratash që aludojnë në jotolerancë dhe krijojnë ndjenja të urrejtjes”, ka thënë Jankullovski.
Por, Ilia Acevski, sociolog, në Universitetin e Shkupit, ka thënë se reagimi i rektorit duhet të ishte më i ashpër, aq më tepër se në mesin e viktimave janë 4 studentë të këtij universiteti.
“Mbase duhej të reagohej më ashër për t’u bërë e qartë se ngjarjet e këtilla tragjike në asnjë mënyrë nuk duhet të keqpërdoren, veçanërisht nga profesorët universitarë”.
“Përgjegjësia është shumë më e lartë për personat e tillë që ushtrojnë detyra si profesoresha Vankoska, duke krijuar opinion publik për mostolerancë dhe urrejtje”, ka thënë Acevski.
Ndërkaq, Ali Pajaziti, ligjërues i Shkencave Sociale në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ka thënë se ndasitë në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut rrënjët i kanë te ndërtimi dhe funksionimi i paralelizmave, si pasojë e sistemit dhe regjimeve që kanë krijuar një etnitet, i cili është padron i shtetit dhe të tjerëve që u adresohet, kryesisht shqiptarëve të paraqitur në një dritë të errët.
“Kjo ndasi në vazhdimësi është fryrë është zmadhuar në atë shkallë sa në kokat e njerëzve është krijuar një hendek i madh ndaj tjetrit me etnitet dhe legjion tjetër. Në rastin e fundit edhe më tragjike është se gjuha e urrejtjes vjen nga një person që i takon botës akademike që paraqet një rast pa presedant të tmerrshëm , një dhunim i diskursit të shkollarit, dalje jashtë qarkut të botës racionale që normalisht ndiqet nga një shtresë e ulët ose do të thosha nga masa e vagabondëve, të cilët përmes rasteve të këtilla, mezi presin të shfryjnë gjithë energjinë negative që e kanë”, ka vlerësuar Pajaziti.
Në këtë situatë, sipas tij, populli demonstroi pjekuri dhe nuk u fut në lojërat e ndjelljes së mostolerancës, përkundrazi i zgjatën dorën njëri-tjetrit për ndihmë pa dallim të etnie apo feje.
“Për fat të mirë, populli u tregua shumë më i mençur në këtë rast, shumë më vizionar, kështu që edhe gjatë deklaratave që kishin qytetarët e qytetit që përjetoi tragjedinë e madhe, ata të Gostivarit shpreheshin se bashkëndiejnë me tjetrin, mendoj ata të etnikumit dhe religjionit tjetër, sepse autobusi ishte autobus i multikulturizmit, dhe dhimbja ishte multi-kulturore dhe në këtë formë bashkëndjenë”, ka shtuar ai.
Sociologët kanë theksuar se rasti tragjik dëshmoi se qytetarët nuk e pranojnë helmin e ndasive etnike duke kujtuar rastet e shumta ku kishte ftesa edhe nga qytetarët shqiptarë dhe ata maqedonas, të cilët hapën shtëpitë e tyre për familjarët e viktimave që prisnin para spitaleve të Shkupit për të marrë ndonjë lajm për të afërmit e tyre të lënduar.
Në aksidentin tragjik të së hënës, humbën jetën 14 persona, pasi autobusi që lëvizte në autostradën Shkup-Tetovë, humbi kontrollin dhe u rrokullis. Autobusi është nxjerrë nga vendi i ngjarjes dhe është dërguar për ekspertizë për të vërtetuar shkaqet se si ka ndodhur aksidenti tragjik./rel
https://www.youtube.com/playlist?list=PLwDxg3Iu5-JvUYdFEia6fuwPj8rcwqerg
- Incidenti në Haraçinë, detajet nga policia: Gjuan me armë në drejtim të të birit, por plagos babain e tij
- Zelensky: Kemi çdo shans për t’i dhënë fund luftës në 2025-ën
- Turisti turk gjendet i vdekur në dhomën e hotelit në Ohër
- DETAJE/ Shqiptari humbi jetën në punë, ra nga 10 metër lartësi. 41-vjeçari ishte shpërngulur para 1 viti në Itali
- Angela Merkel: Putini? E dija, s’ka qenë kurrë mik i Evropës