Teksa disa studentë të Fakultetit Histori-Filologji vazhdojnë rezistencën e tyre, dy policë kanë hyrë sot në ambientet e brendshme të fakultetit. Janë vetë studentët ata që kanë filmuar policët, duke thënë se kjo është e paligjshme.
Lidhur me ardhjen e policisë në ambjentet e fakultetit ka reaguar pedagogu dhe Mark Marku. Sipas tij e gjitha kjo bëhet për të hequr vëmendjen nga protesta, duke shtuar se ndaj policëve do merret një nismë ligjore.
“Thanë që ishin këtu për të ruajtur qetësinë dhe rendin, dhe unë i thashë që është shumë e qartë se ndalohet hyrja e policisë në ambientet universitare. Situata ishte shumë e qetë, e bëjnë për të hequr vëmendjen nga protesta. Ska pasur asnjë arsye që të ishin këtu.
Asambleja u mblodh dje dhe u vendos që kjo javë të jetë javë proteste, dhe në rast të mos reagimit nga qeveria edhe javën e ardhshme dhe në vijim do të kemi një ditë të caktuar që të protestojmë. Ne nuk iu bëjmë presion studentëve, dhe ata mund të vijojnë me protestën e tyre.
Gjendja po rëndohet gjithnjë e më shumë, problematika zgjidhet dhe asgjë nuk është zgjidhur, qysh sot do marrim nismën ligjore në drejtim të efektivëve të policisë që hynë në ambientet e Fakultetit. Është absurde, mund të frikësohen fëmijët me policët, është qesharake fare. Po bëhen të rrezikshëm në momentin që shkelin ligjin”, u shpreh Marku për Fax news./E.M