Botërori i vitit 2022, i cili do të zhvillohet në Katar, premton për shumë risi, por sigurisht detaji që do të bënte diferencën, është pikërisht integrimi hipotetik i 48 skuadrave pjesëmarrëse. Alternativa e zgjerimit po kthehet në një diskurs gjithnjë e më të artikuluar dhe tashmë duket se po bëhet edhe më shumë i mundshëm.
Kjo faktohet edhe nga një studim i FIFA-s, që tenton ta arrijë diçka të tillë që për ndalesën e 2022-shit. Raporti i FIFA-s është një artikull prej 81 faqesh ku argumentohet plani me kalendarin dhe oraret e programuara, çka bën të mendosh se organi qeverisës i futbollit po mendon realisht aplikimin e këtij formati të ri, që nga Botërori i Katarit, ndryshe nga çfarë ishte planifikuar për atë të 2026-ës, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Çelësi për ta bërë të mundur zhvillimin e turneut botëror me 16 skuadra më shumë, për më tepër në një vend të vogël si Katari, është pikërisht përfshirja e shteteve të tjera organizatore, diçka që për këtë destinacion të Kupës së Botës projektohet si i vështirë, duke parë situatën politike në rajon, ku Katari ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike që në vitin 2017, me shtetet e tjera që e rrethojnë si Arabia Saudita, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini, ndaj opsioni i vetëm mbetet ai i shtrirjes së Botërorit në Kuvait dhe Oman.
Formati final për një botëror me 48 vende pjesëmarrëse do të niste me 16 grupe të përbëra nga tre skuadra, duke parashikuar edhe 6 ndeshje brenda një dite. Dy skuadrat e para të grupeve respektive do të kalonin në fazën e 1/16-ave për të vijuar më pas me eliminimet direkte, me një total prej 80 ndeshjesh. Ky projekt-studim i FIFA-s do të diskutohet në mbledhjen e kësaj jave në Miami, për të çuar në votimin final gjatë muajit qershor, ku do të jepet dhe verdikti. Gjithsesi, pika më strategjike e projektit i përket stadiumeve dhe transfertave, pasi Katari nuk ka kufij tokësor as me Kuwaitin e as me Omanin, ndaj do të nevojiteshin fluturime direkte për këto destinacione.
Pikëpyetja tjetër i takon stadiumeve, ku në Katar do të jenë gati për 2022-shin 8 impiante moderne, të gjithë të shtrirë brenda një rrezeje prej 55 km. Për të zgjeruar formatin me 48 skuadra, do të nevojiteshin të paktën edhe dy impiante të tjerë, për të shkuar në kuotën e dhjetë stadiumeve, edhe pse optimalja do të ishte për 12 të tilla. Referuar FIFA-s, turneu i 2026-ës me 48 skuadra do të ketë stadiume me një kapacitet minimumi prej 40 mijë vendesh dhe me gjendjen aktuale, Kuvaiti mund të siguronte vetëm një të tillë, ndërkohë që stadiumi i Muskatit, në Oman, pas rikonstruksionit ka shkuar nga 40 në 34 mijë vende kapacitet, e për ta çuar sërish në 40 mijë, do të nevojitej një ndërhyrje e menjëhershme.
Edhe pse UEFA është kundër zgjerimit të përshpejtuar arsyet që do të shtynin Giani Infantinon të pranonte projektin e FIFA-s, janë sigurisht ato të biznesit. Po sipas studimit të FIFA-s do të kishte 400 milionë dollarë më shumë të xhiruara, të ardhura që gjenerohen nga të drejtat e transmetimit, sponsorët, shitjet e biletave, siguracionet shëndetësore dhe licensat e ndryshme të lëshuara. Fjala e fundit mbetet për votimin e qershorit.