Ballina Aktualitet Opinione Futbolli si leksion për krizën…

Futbolli si leksion për krizën…

Nga Lutfi Dervishi

Futbolli më pëlqen sepse është një lojë që nuk ka fitues të përhershëm.

Edhe ekipet të mbushur me yje, si Juventusi, Barcelona, Reali, nuk fitojnë gjithmonë.
Ka gjithmonë shpresë se ekipi i zemrës do të fitojë. Loja është e bukur, transparente dhe publiku sheh me sytë e tij në stadium apo përmes ekranit se si zhvillohet ajo.

Në një botë ideale nuk do të kishte nevojë për arbitër, sepse rregullat janë të qarta për të gjithë, madje jo vetëm për lojtarët, por për këdo të interesuar. E meqë jemi gatuar prej mishi e gjaku dhe ky sport nuk përjashton gabimin njerëzor në fushë dhe jashtë saj janë vendosur arbitrat.

Për lojtarët/trajnerët që bëjnë gabime ka paralajmërime (karton i verdhë); për gabime të rënda ka ndëshkime (karton i kuq) dhe për faje ka masa edhe më të rënda deri në përjashtimin nga kampionati.
Arbitri, qoftë vendas apo i huaj, është i besueshëm, sepse gjykimi i tij i nënshtrohet gjykimit të publikut, gjykimit të ekspertëve dhe vetë Federatës.

Edhe arbitrat, duke qenë se janë njerëz, nuk janë të pagabueshëm.
Vendimi i arbitrit ishte baras me vendimin e Zotit. I drejtë apo i padrejtë, duhet ta pranoje. Kjo nuk ndodh më.

Për të mënjanuar gabimet fatale të arbitrave (sidomos goditjet e 11 – metërshave) është futur sistemi VAR (Gjyqtari i Asistuar nga Video). Gabimet janë ulur ndjeshëm dhe besimi te rezultati i ndeshjes është në rritje.

Futbolli është magji, sepse është i paparashikueshëm.
Paparashikueshmëria sot është kryefjala e ditës. Dhe bota ndaj duket interesante.

Imagjinoni për një moment që pa nisur kampionati të dihej se kush do të ishte fituesi. Nuk ka më kuptim loja. Njerëzit nuk do të merrnin mundimin as të shkonin në stadium, as të shikonin ndeshje në televizor, as të lexonin gazetat sportive dhe as të vendosnin baste me koeficient 31. Me një fjalë, do të binte sistemi!

Nëse dikur një ndeshje futbolli luhej vetëm në fundjavë, sot nuk ka ditë të javës që të mos kesh ndeshje futbolli. UEFA dhe FIFA, dy organizata fort të nderuara, pasi e bënë javën me shtatë të diela, po të kishin mundësi do ta bënin javën me tetë ditë.

Me gjithë rregullat e qarta, arbitrat dhe vëzhguesit, me gjithë institucionet dhe kodet e etikës, futbolli nuk është imunizuar nga korrupsioni. Britmat “E shitët!” (ndeshjen) janë dëgjuar në stadiume jo rrallë dhe koha ka shpërfaqur edhe shitblerje ndeshjesh në masë. Për këtë “faj të rëndë”, Juventusi, kampioni i Italisë, pas një gjykimi të drejtë është ndëshkuar me dorëzimin e titullit dhe me kalimin në një kategori më poshtë.

Po në Shqipëri?

Jo shumë kohë më parë shkova në stadium. Fitoi ekipi i zemrës me rezultatin 4-2. U gëzova si fëmijë dhe u zhgënjeva shumë shpejt. U gëzova se m’u duk ndeshje e vështirë dhe e pamundur të humbiste ekipi kundërshtar, aq më tepër t’i shënoje katër gola. U zhgënjeva keq, sepse rezultoi se unë isha ndër të paktit që e mora vesh rezultatin e ndeshjes pasi mbaroi loja. Të gjithë ata që ishin rrotull meje e dinin rezultatin para se të niste ndeshja.

Si vend që problemin më të madh kemi kohën, ne tregohemi novatorë për t’u dhënë zgjidhje të shpejtë dhe me kosto të ulët sfidave të vështira.

Për shembull, nëse jashtë presidenti i klubit harxhon paratë dhe ble lojtarë, këtu presidenti i klubit tregohet akoma më i zgjuar: nuk blen lojtarë, por ndeshjen. Ndonjëherë blen edhe arbitrin.

Si gjaknxehtë që jemi e kemi shumë të vështirë të pranojmë humbjen. Humbja do të thotë marrje përgjegjësie, rënie nga kategoria dhe përballje me tifozët. Kjo ndodh rëndom jashtë.

Ekipi humbës ndërron trajnerin, nuk e kërkon zgjidhjen te përsëritja e ndeshjes apo te gjyqtari. Këtu zgjidhja që është gjetur është: rrahja e arbitrit! E padëgjuar. E paprecedent. Po ka ndodhur. E ka fajin sistemi? Jo. E kanë fajin rregullat? Jo. E ka fajin arbitri? Ndoshta jo. E kanë fajin njerëzit? Përgjigjja standarde që gjen rëndom në stadium është: “E ka fajin demokracia”!

Një demokraci e pakontestuar i ngjan një kampionati të mirë futbolli. Ai që fiton sot, mund të humbë nesër. Humbësi sot, nesër del kampion. Rregullat janë të qarta. Dhunuesit ndëshkohen dhe arbitrat respektohen. Arbitri (qoftë vendas, apo i huaj) dëgjohet, nuk shahet apo ca më keq… qëllohet me gurë.

Magjia e futbollit nuk është tek topi që rrotullohet, nuk është te 22 burrat që vrapojnë, nuk është te kapitenët, trainerët, presidentët, dhe as te federata. Magjia është tek gara. Gara nuk bëhet as për fituesin as për humbësin. Gara bëhet për njerëzit!