Ballina Aktualitet Kosovë Mori 400 mijë euro nga Zvicra si i sëmurë mendor, si mashtroi...

Mori 400 mijë euro nga Zvicra si i sëmurë mendor, si mashtroi komandanti i veteranëve të UÇK-së

Duket paksa paradoksale që masa të rreshtohet në anën e një ambasadori të huaj kundër përfaqësuesve të shtetit tënd.

Por, kjo ndodh rëndom kur një diplomat perëndimor bën akuza të bazuara siç bëri ambasadori i Zvicrës në Kosovë me deklaratën: “Ne ua financojmë ujësjellësin, ju financoni veteranë të rrejshëm”.

Atë që e tha diplomati zviceran në Skenderaj, në sy të kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, të cilin Zvicra e kishte ushqyer e strehuar për vite të tëra, kritikët kosovarë të sistemit e thonë vazhdimisht.

Mirëpo, fuqia e një deklarate të vërtetë është shumëfish më e madhe kur vjen nga një përfaqësues perëndimor shteti i të cilit ka bërë thuajse më shumë se ne për këtë vend.

Duhet të jesh shumë budalla, ose shumë pa marre që t’i kundërvihesh një konstatimi si ai i ambasadorit të Zvicrës: “Ne ua financojmë ujësjellësin, ju financoni veteranë të rrejshëm”.

Deklarata e ambasadorit helvetik nuk është diplomatike, ama është e vërtetë. Ne kemi mbi 19 mijë veteranë të rrejshëm të UÇK-së, të cilët i paguajmë ani se e dimë se janë mashtrues ordinerë dhe duhet të përfundojnë në burg për mashtrimet e tyre së bashku me ata që ua kanë mundësuar atyre ta fitojnë statusin e veteranit.

Zvicra, si shtet mik i Kosovës me numrin më të madh të kosovarëve të strehuar gjatë viteve të aparteidit serb, na njeh mbase më mirë sesa e njohim ne vetën.

Shumë prej përfaqësuesve të klasës politike të Kosovës gjatë viteve të ’90-ta janë strehuar në këtë shtet. Kanë pasur status të veçantë si të përndjekur politikë.

Por, neve nuk na ka mjaftuar ky fakt. I kemi mashtruar zviceranët duke u paraqitur si të sëmurë fizikë e mendorë. Pra, zviceranët i kemi bërë “budallë” duke u paraqitur “budallenjë”.

Komandanti i ushtrisë sonë çlirimtare, Azem Syla, është njëri prej mashtruesve më të mëdhenj të Zvicrës.

Duke u deklaruar si i sëmurë mendorë, ai ka përfituar mbi 400 mijë franga ndihmë sociale. Derisa shteti i Zvicrës e strehonte dhe e trajtonte atë në bazë të statusit të fituar, si i sëmurë mendor, ne kishim zgjedhur që atë ta bënim komandant të UÇK-së, anëtarë të kryesisë së një partie dhe deputet.

Detajet e mashtrimeve të Azem Sylës në Zvicër i kishte zbuluar një prokuror i EULEX-it, në aktakuzën kundër tij dhe 50 personave tjerë. Syla, pos akuzës se kishte përvetësuar prona në vlerë mbi 30 milionë euro, zbulohej se si kishte mashtruar shtetin që e kishte strehuar.

Me ato para, Prokuroria pretendonte se Syla, e kishte financuar fillimisht grupin kriminal.

Azem Syla ishte me banim në Zvicër, në Solothur, dhe kishte dy fonde atje.

Për më tepër, Prokuroria Speciale e Kosovës thoshte në aktakuzë se më 13 korrik 2012, Prokuroria e kantonit Solothurn në Zvicër, ia kishte dërguar Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës një kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare për një rast kundër, Azem Sylës.

Në kërkesë theksohet se një kallëzim penal është paraqitur me 2 mars 2012 nga Zyra e arkëtarit publik të kantonit Solothurn që është autoriteti përkatës zviceran që merret me pagesat e ndihmave sociale.

Aty thuhet se Azem Syla ka pranuar përfitime sociale nga autoritetet zvicerane një shumë prej 480,658,40 franga mes datës 1 korrik 2002 dhe 31 janar 2011 si formë e mbështetjes për paaftësinë e tij mendore.

Prokuroria e konsideronte si të çuditshme faktin se si një person me një ndikim të tillë, me një prapavijë politike të profilit të lartë dhe një histori të heroit të luftës, njihej në Zvicër si një person me ‘aftësi të kufizuar mendore’.

“Megjithatë ajo që ka rëndësi këtu është se në 10 vite, ndërkohë që ai ishte një politikan aktiv, ministër dhe anëtar në hierarkinë e lartë të partisë kryesore dhe me të fuqishme qeverisëse në Kosovë, ai kishte akumuluar rreth 450 mijë euro të marra nga shërbimi zviceran i sigurimeve shoqërore”, shkruan në aktakuzën e Prokurorisë e cila po shqyrtohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

A nuk është ky argument i mjaftueshëm për një diplomat për të na konsideruar mashtrues dhe për të na përplasur të vërtetën turish?

Shteti ka nxjerrë para drejtësisë komandantin tjetër të UÇK-së, pasuesin e Azem Sylës, Agim Çekun për mashtrime me lista të veteranëve. Prokurori Elez Blakaj, të cilin armata e mbrojtësve të mashtruesve e sulmuan dhe linçuan, ka bërë një hetim të detajuar me të cilin ka zbuluar se mbi 19 mijë veteranë janë të rrejshëm.

Pse po na djeg deklarata e ambasadorit të Zvicrës? Se po na e thotë të vërtetën? Se nuk po na e fsheh mashtrimin kolektiv në kurriz të pasurisë publike? Se nuk po bëhet aleat me krimin dhe kriminelët?

Dhe siç bëjmë më së miri, përfaqësuesit tanë politikë e paraushtarak, nxjerrin fytyrën për ta sulmuar një diplomat që na e thotë të vërtetën në fytyrë.

Sulmi mbi ambasadorin, shtetin e të cilit e ka mashtruar komandanti i ushtrisë sonë çlirimtare, është konfirmim se në procesin e fryrjes së listave të veteranëve ka pasur organizim, pra krim të organizuar.

Mashtrimet tona nuk mund të fshihen më. Të vërtetën për këtë do të na përplasin dhe duhet të na përplasin çdo ditë, derisa mashtruesit t’i dërgojmë në burg.

Nuk mund të jenë dy të vërteta në rastet si ai me lista të veteranëve dhe me mashtrimet e Azem Sylës.

Ose i kemi pasur 50 mijë veteranë, ose mbi 19 mijë i kemi mashtrues. Ose Azem Syla është i sëmurë mendor që ka nevojë për trajtime të specializuara, ose është mashtrues.

Marrë nga Insajderi.com