Është hapur të enjten në Gjilan Panairi i Punës, i cili organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK), Komunës së Gjilanit, Agjencinë Për Zhvillim Rajonal – Lindje dhe Zyrën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri, ka bërë të ditur se ky është edicioni i dytë i panairit, ku takohet oferta dhe kërkesa dhe nga 40 kompani pjesëmarrëse nga sektorë të ndryshëm, ofrojnë rreth 500 vende pune.
“Kompanitë private janë konsumatori më i madh i punësimit, konsumatori më i madh i rekrutimit të burimeve njerëzore të kapitalit human dhe pa dilemë kërkojnë njerëz të përgatitur dhe profesional, në mënyre që të realizohen objektivat e secilit ndërmarrës dhe të një punëkërkuesi në vetvete. Ky panair po dëshmon se ka vende pune në ndërmarrjet e komunës së Gjilanit dhe kohëve të fundit mundësitë për të përgatitur profesionalisht një punëkërkues janë shumë më të mëdha duke ju falënderuar partnereve tanë MPMS, GIZ dhe të tjerëve”, ka thënë Tahiri.
Ajo tha se Komuna do të vazhdoj të realizoj aktivitete më qëllim koordinimin dhe ndërlidhjen me tregun e punës si dhe promovimit të shkathtësive të punës.
Drejtori i Qendrës për Punësim në Gjilan, Xhevat Aliu, tha se përmes këtij panairi, bizeneset po ofrojnë vende pune për angazhim të fuqisë punëtore, duke shtuar se në këto rrethana të papunësisë, po ndikohet direkt në përmirësimin e gjendjes socio-enonomike.
Klaus Bader – Labarre, nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), pasi ka falënderuar kryetarin e Gjilanit dhe akterët tjerë për ndihmën e dhënë për këtë panair, theksoi se që i organizimit të përbashkët i këtij panairi, është që t’i bashkojë punëdhënësit dhe punëkërkuesit.
“Është kënaqësi që kësaj radhe po bëhet e mundur, që në bashkëpunim me MMPS, të bëhet subvencionimi I praktikës në punë prej 6 muajve dhe tre muaj trajnim në vend të punës me pagesë”, ka thënë Bader – Labarre.