Ish-diplomati shqiptar Blerim Reka ka zyrtarizuar kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut. I mbështetur nga subjektet politike shqiptare Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, Reka ka deklaruar se prioritet i presidencës së tij do të jetë kthimi i Maqedonisë në republikë të mirëfilltë.
Kandidati i pavarur për president, Blerim Reka, falënderoi të gjithë qytetarët që nënshkruan për ta përkrahur kandidaturën e tij. Në konferencën e parë për media të profesorit Reka, ishin të pranishëm edhe dy krerët e partive opozitare, Sela dhe Kasami, që edhe zyrtarisht ta shprehin përkrahjen e dy subjekteve që ata i udhëheqin, për zgjedhjet e ardhshme. E profesori premtoi se do të punojë që ky shtet, të bëhet edhe republikë, sepse sipas tij, shteti ka qenë pronë private e presidentit të kaluar.
Blerim Reka: “Maqedonia është shtet, por nuk është Republikë. Republika bëhet vetëm me sundimin e ligjit dhe jo të individit. Republika e mirëfilltë nuk njeh gjyqësor të korruptuar. As kuvend që imunizon dhe amniston përgjegjësit sikurse që nuk njeh as administratë të papolitizuar. Ne patëm 11 vite një shtet të kapur dhe fatkeqësisht do kemi 10 vite një shtet privat të presidentit aktual. Në krahasim me kandidaturën e zotit Pendarovski i cili thotë “Ka shoqëri për të gjithë”, unë dalloj se them “Shteti për të gjithë”. Nuk mjafton që të thuash shoqëri për të gjithë që qytetarët të jenë të barabartë, por Maqedonia e Veriut është e të gjithëve. Fatkeqësisht as në vitin 2019 nuk është shtet multietnik për nga forma”.
E sa i përket komenteve të partisë shqiptare në lidhur me kandidaturën e tij profesori Reka shkurt u përgjigj.
Blerim Reka: “Nuk komentoj deklarata të partive që nuk kanë kandidat për president”.
Të dy krerët e partive shqiptare që do ta përkrahin Rekën u pyetën edhe për takimet që patën me kryeministrin, në tentimin për të gjetur kandidat të përbashkët. Kasami tha se ia ka propozuar edhe kryeministrit emrin e profesorit Blerim Reka, e kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, tha se duke i pasur parasysh ndodhitë pasi Zaev u bë kryeministër, nuk mund të gjej asnjë arsyetim para përkrahësve të tij, për një takim të tillë.
Ziadin Sela: “Unë e dëgjova deklaratën e tij ku thotë se takimi nuk ka ndodhur vetëm për shkak se u morën vesh kompetencat për arsim Komunës së Gostivarit. Nëse unë do të merrja pjesë në takimin me të, unë e kam princip jetësor, kërkoj përgjigje. Në pyetjen e përkrahësve të mi, në pyetjen e gazetarëve, se përse do të duhej përsëri ta përkrah zotin Zaev, unë nuk kam përgjigje. Posaçërisht nëse e fton dikë për ti ofruar kandidat Ai duhet ta ketë të qartë se kur ta thërret dikë në bisedime, kryetar të opozitës pyetja e parë themelore është; A ke kandidat? Unë nuk e pash se ai ishte i gatshëm të dëgjoj emër nga ana jonë”.
Bilall Kasami: “Është një kandidaturë e parë e pavarur, jo partiak dhe prandaj si subjekte politike i ndahemi në shërbim që të tregojmë dhe të përkrahim guximin e një kandidature të pavarur se fatkeqësisht ende nuk e kemi atë nivel të cilin do ta kishim dëshiruar dhe të gjithë e promovojmë”.
Profesori Reka, nuk i bëri publike detajet e fushatës për shkak se ligjërisht ende nuk ka filluar fushata, por premtoi një fushatë ndryshe nga tjerat./abcnews.al