Familja Çoçaj ka hapur dyert për ngushëllime pasi që familjari i tyre, Qerim Çoçaj humbi jetën tragjikisht ne aksidentin e se enjtes.
Për pasojë nga ky aksident, pati edhe shumë të lënduar e dëme materiale.
11 veta janë të shtrirë në spitalin e Gjilanit dhe se janë duke u bërë ekzaminimet e fundit të tyre ku dhe pritet që disa të lëshohen për në shtëpi.
“Është një gjendje stabile, por për shkak të ekzaminimeve tjera të nevojshme, ata më tutje do të qëndrojnë në repartet tona. Ndodh që disa do të lirohen për trajtim në shtëpi, nëse nuk kanë nevojë për shërbimet e spitalit”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Nystret Hajrullahu.
Personat që u përfshin në këtë aksident, janë të trishtuar me atë që ndodhi te enjten në Gjilan.
“Momentin kur kam arritur te rrethi i qytetit, pasi e kamë bërë një gjysmë rrethi kam vërejtur një ushtimë të çuditshme dhe në retrovizorë e kam parë që mbrapa po ndodh diçka e madhe. Jam munduar në atë moment t’i shmangem një kamioni që po vinte shumë shpejt, por e kisha të pamundur…”, tregon i aksidentuari Luan Aliu.
“Kam qenë me udhëtarë, saktësisht te Furra Çoçaj ku ndodhi aksidenti fatal, më ka zënë kamioni shumë shpejt. Nuk kam pasur asnjë mundësi për të ikur. Nuk mund ta përshkruaj shpejtësinë si ka ndodhur aksidenti”, shprehet i aksidentuari tjetër Albert Kastrati.
Edhe dëshmitarët tjerë që e panë ngjarjen e djeshme nga një distancë më e largët, thonë se gjithçka ndodhi shumë shpejt.
“Ishim duke pirë kafe në tarracën e një hoteli, për një moment e kemi parë një mjegull dhe një ushtimë. Nuk kemi mundur të kuptojmë çfarë po ndodh. Kur e kemi parë që po vjen kamioni drejt nesh kemi ikur nga frika se mos po vjen deri aty”, shprehet Kadri Bislimi.
Nga prokuroria në Gjilan thonë se kanë kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj shoferit të kamionit, Mustafë Avdijaj.
Tre nga personat e lënduar janë duke u trajtuar në QKUK-së, njëri prej tyre është në gjendje të rëndë shëndetësore./Telegrafi/