Prokurori i posaçëm për çështjen “Russiagate”, Robert Mueller, nuk gjeti asnjë lloj marrëveshjeje midis fushatës presidenciale të Donald Trump dhe Rusisë. Megjithatë, “edhe nëse raporti nuk arrin në përfundimin se presidenti amerikan ka kryer një krim, në të njëjtën kohë ai nuk e shfajëson atë”, thuhet në letrën e Ministrit të Drejtësisë, Ëilliam Barr, i cili përmban përfundimet kryesore të hetimit të Mueller. Teksti u dërgua në Kongresin e SHBA.
“Prokurori special, – lexohet, – nuk ka gjetur që fushata e Trump ose dikush që ka lidhje me të ka komplotuar ose koordinuar me qeverinë ruse në përpjekjet e saj, pavarësisht ofertave të ndryshme nga individë të lidhur me Rusinë për të ndihmuar fushatën e Trump”.
Për më tepër, ministri Barr beson se nuk ka dëshmi të mjaftueshme në raportin e Mueller për të vërtetuar se Trump ka penguar drejtësinë. Letra drejtuar Kongresit me konkluzionet kryesore të raportit mbi “Russiagate”, u zhvillua nga Barr dhe zëvendës Ministri Rod Rosenstein, pa u konsultuar me Mueller. Edhe Shtëpia e Bardhë nuk ishte përfshirë në shqyrtimin e raportit të Mueller.
Nga raporti i Mueller, shfaqet “pafajësia e plotë e Trump”. Kjo është njoftuar nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders. Avokati i presidentit amerikan, Rudolph Giuliani, ka komentuar: “Është më mirë sesa prisja”.