Ballina Aktualitet Kultura Saga e lavdishme e familjes Muzaka

Saga e lavdishme e familjes Muzaka

Luan RAMA

Sipas studiuesit të njohur të historisë së Greqisë dhe shqiptarëve të Greqisë Carl Hopf, në librin e tij “Kronika greko-romake”, shkruhet për të birin e Gjon Muzakës, Adrianin, i cili ishte kapiten i kalorësisë së lehtë në shërbim të mbretit francez. Ai kishte fillimthi nën komandën e tij një trupë prej 300 stratiotësh dhe me ta luftoi kundër anglezëve të veri të Francës. Por më pas mësohet se i helmuar, ai vdiq në Picardie, në vitin 1526. Por ndërkohë, vëllai i tij, i quajtur Konstantin, siç shkruan historiani Paolo Petta në librin e tij “Despotë të Epirit dhe të Maqedonisë”, ishte nga të paktët komandantë që e shpëtoi trupën e tij dhe në krye të tyre mori rrugët drejt Francës. Cilët ishin këta prijësa dhe cila ishte jeta e tyre? Vallë Konstandini mbeti përfundimisht në Francë? Ku vallë? Pranë oborrit mbretëror?… Petta përmend dhe një dorëshkrim ku shkruhet se Adriani ishte “një djalosh trup pakët, por shumë i gjallë e i gëzuar dhe falë këtyre vetive të tij që e bënin mjaft të pëlqyeshëm për damat, mundi të realizojë një martesë të suksesshme. Më vonë, pasi iu shterën pasuritë e së shoqes, morri nga Prosper Marc Anton Colonna komandën e një trupe prej 200 stratiotësh”.

Në “Kujtimet” e tij, Gjon Muzaka u kujtonte bijve të vet, por dhe historisë, se “kur u pushtua Shqipëria nga osmanët, ai shkoi në Napoli, tek mbreti Ferrante i Aragonës, ku ai e priti në oborrin e tij dhe i premtoi mjaft toka në Apicie”. Ai kujton gjithashtu se kur ikën në Napoli “biri i tij Theodhori ishte një vjeç e gjysëm, Adriani, një muajsh, ndërsa Konstandini lindi në Napoli”. Gjon Muzaka, i cili nuk pranoi të ndryshonte fenë, siç ia kërkoi sulltani, e përshkruan ikjen e tij dhe të familjes së tij në mënyrë romaneske… Ai iku fshehurazi natën, pa e parë kush, aty nga viti 1476, duke marrë një anije për t’u hedhur në brigjet e jugut të Italisë. “Gruaja ime dhe nëna juaj, Maria Dukagjini, ishte shtatzënë me Don Adrianin dhe në muajt e fundit të barrës u detyrua të ikë në Durrës, duke mos treguar se kush ishte dhe u strehua në shtëpinë e disa fisnikëve, miqve tanë, ku dhe solli në jetë Adrianin. Ai u çua në kishë të pagëzohej si një fëmijë i gjetur i ndonjë fshatari, aq sa dhe kumbarët nuk e dinin se biri i kujt ishte… Pas ndonjë muaji, fisnikët e mësipërm, bashkë me disa burra të mirë që ishin vasalët tanë, morën me qera një anije, ku hipën nënën bashkë me fëmijët dhe i shoqëruan ata shëndoshë e mirë deri në Pulje”.

Në vitin 1550, shumë vite më vonë, pas vdekjes së atit të tij Gjon Muzaka, Konstandini shtoi në këto memuare dhe shënime të tjera që i përkisnin familjes dhe se çfarë ndodhi më pas me ata, si dhe princat e tjerë ku flitet dhe për birin e Skënderbeut, Gjon Kastrioti dhe nënën e tij. Konstandini kishte lënë Francën shumë vite më vonë i ndihmuar nga familja e madhe gjenoveze Doria, aleatë të spanjollëve. “Ta dini se im vëlla Adriani, kishte një kalorësi të lehtë prej njëqind kalorësish në shërbim të mbretit të Francës dhe se paguhej mirë si në luftë ashtu dhe në paqe. Dhe ky i quajturi Zot Adrian Muzaka, vdiq në dhjetë të muajit maj, i helmuar nga ca zotërinj francezë që shërbenin në Monsinjori Vendôme, për t’i marrë vëndin dhe paratë dhe se ai kishte nën vete 12.000 këmbësorë. Të tjerë i morën kuajt dhe paratë. Ai ishte vendosur në qytetin e Biville-s që është në provincën e Picardie-s, ku i përmënduri mbret i kishte dhuruar një kështjellë me emrin Mundi, pranë Monrosë dhe Biville-s. Pra ai vdiq në dhjetë të muajit maj të vitit 1526”. Në “Histoire de la Maison Royale de France et des Grands officiers de la Couronne”, historianët Anselme de Sainte-Marie dhe A. de Sainte Rosalie (1733), shkruajnë për “Jean, senjor d’Estrées, kapiten i 150 shqiptarëve, të cilët i kishte patur më parë i ndjeri Adrien de Musarq de Pirotée”. (Adrian Muzaka i Epirit, L.R.)

Gjatë luftrave njëshekullore fetare, të cilat lanë gjurmë të mëdha në historinë e Francës, shkruhet dhe për një stratiot tjetër me famë të quajtur Thoma Frata, i cili ishte në shërbim të Dukës De Guise, aleat i Henrit të Navarrës, në luftë me Henrikun III, në atë kohë mbret i Francës. Duke shkuar në luftë, duka marshonte përpara dhe i sigurt sepse ishte i shoqëruar nga shumë afër prej 30 kalorësve fisnikë dhe 60 kalorësve shqiptarë. Pas tyre vinte ushtria dhe në fund artileria. Interesant është fakti që na sjell historiani Jean Rousset de Missy në librin e tij “Cérémonial diplomatique des cours de l’Europe”, i cili midis të tjerash tregon edhe rreth një kronike historike kur mbreti anglez Henry VIII erdhi për vizitë në Francë, në një ballo me maska të organizuar për nder të tij, “ai shoqërohej nga 12 senjorë të veshur si Albanois”.

Shqiptarët lanë gjurmë në historinë e qyteteve dhe të krahinave të ndryshme franceze ku u instaluan për një periudhë të gjatë kohe dhe shumë prej tyre përfundimisht. Historiani Charles d’Aigrefeuille, në librin e tij mbi historinë e qytetit Montpellier, shkruan se “më 1605 ishin atje dy vëllezër të quajtur Luquisses, të cilët premtuan se do të çlironin qytetet Leucate, Narbonne dhe Besiers. Thonë se ata ishin bijtë e një shqiptari të cilin “konetabli” Montmorency e çmonte shumë. Kështu pensionin e të atit, Montmorency ua jepte djemve të tij”. Kuptohet se kur dy vëllezër shqiptarë merrnin përsipër të çlironin qytete me emër si Leucate, Narbonne dhe Besiers në jug të Francës, kemi të bëjmë me personazhe të jashtëzakonshëm, të cilët duhej të udhëhiqnin si strategë të mëdhenj. Në librin “Historia e Luftrave Civile të Francës”, H. C. Davila dhe J. Baudoin, shkruajnë për një betejë të zhvilluar në Roche-Chalais ku kavalerinë e printe Merkur Bua dhe kapiteni Montigny me 2500 kalorës. Trupat e Henrit të Navarrës qëlluan me artileri dhe aty u plagos dhe Merkur Bua. Po në këtë libër, autorët shkruajnë se pas kësaj fitoreje, Henri i Navarrës marshoi të sulmonte drejt Parisit, ku qëndronte mbreti Henri III. “Ushtria e Henrit të Navarrës donte të shpartallonte kapitenin Frata, shqiptar, (Albanois), i cili bashkë me kapitenin Vins komandonin që të dy kalorësinë e lehtë… ”

Në librin “ Histoire Universelle ”, J. A. de Thon shkruan për kalorësin Demetrio Albanois gjatë sulmit të mareshallit de Brissac në Vercueil. Po në këtë libër përmëndet dhe oficeri “albanois” Demetrio Capusamati…. Kapuzamati përmëndet dhe në një burim tjetër historik në “Collection des mémoires relatifs à l’histoire de France”, por kësaj rradhe i vëllai i tij Gjergji (Georges), i cili u printe 200 kalorësve shqiptarë.

Ishin shqiptarët ata që më 1525 shkuan në ndihmë të Antoine, duka i Lorraine-s, nipit të René d’Anjou-së. Në librin “Histoire de la Lorraine”, Augustin Calmet shkruan se “kapiteni i shqiptarëve de Beaulieu, me shqiptarët e tij nxitoi në ndihmë të Antoine, duka i Lorraine-s, duke përndjekur armiqtë”. Sigurisht, veç betejës së Marignane-s, ku stratiotët i dhanë fitoren mbretit Fransua I kundër gjermanëve, një nga betejat më të mëdha të stratiotëve shqiptarë ishte “Beteja e Coutra-s” ku shqiptarët pothuaj u shuan nën flamurin e katolicizmit. Që nga ajo kohë, kronikanët nuk flasin më për “Cavalerie Albanoise”, edhe pse stratiotët do t’i gjejmë sërrish në gardat mbretërore dhe trupat speciale, por ata tashmë ishin të pakët në numër gjersa më së fundi do të shuheshin në mjegullat e kohës. Pas betejës së Coutra-s, në botimet e tij (Kopshti shkëmbor i Evropës juglindore), Faik Konica na kujton se beteja e fundit e shqiptarëve heroikë në shërbim të Francës ishte ajo e Pavias në vitin 1590. “Jean d’Auton, – shkruante ai, – i përshkruan me hollësi mënyrat e luftimit të këtyre mercenarëve shqiptarë. Porsa jepej shenja nga Komandanti i Përgjithshëm, ata lëshoheshin mbi kuaj në mes të rradhëve të armikut, duke mbajtur heshta të gjata me një flamur të vogël në majë, jepnin një goditje të fuqishme dhe shkaktonin një panik në rradhët e kundërshtarit; pastaj i qëndronin besnik kodit të tyre të nderit dhe nuk harronin parimin sipas të cilit “koka e falur nuk pritet”. Sidoqoftë, kalorësit shqiptarë vazhdojnë dhe pas kësaj periudhe të qëndrojnë dhe të jetojnë në rajone të ndryshme të Francës, emrat e të cilëve i gjejmë aty këtu nëpër librat e historisë, në regjistrat e vjetër, etj. Në regjistrat e bashkisë së Parisit, të vitit 1586 është dhe një qarkore drejtuar banorëve të lokaliteteve në një largësi deri 20 lega nga Parisi, që të ndihmojnë kompaninë e një kapiteni të quajtur Gjon Shqiptari, Jean l’Albanois. Me kalimin e viteve, këta shqiptarë do të asimilohen gradualisht dhe pinjollët e tyre, brez pas brezi do të ruajnë veç kujtimin e rrënjëve të tyre shqiptare, apo mbiemrin Albanois.