Ballina Aktualitet Kosovë Shumica e dhomave të hoteleve në Kosovë janë me nga një shtrat

Shumica e dhomave të hoteleve në Kosovë janë me nga një shtrat

Agjencia e Statistikave të Kosovës, për herë të parë ka bërë matjen e ekonomisë së pavrojtuar në Kosovë, duke përfshirë katër sektorë: transportin, hotelerinë, ndërtimtarinë dhe restorantet.

Sektori i ndërtimtarisë është matur për vitin 2017, kurse në tre sektorët e tjerë janë bërë matjet për TM3 2018.

Sipas anketës, (sipas klasifikimit të NACE Rev. 2) rreth 34 për qind e bizneseve merren me transport tjetër tokësor të udhëtarëve; rreth 31 për qind e bizneseve veprojnë si taksi; derisa 29 për qind e bizneseve merren transport rrugor të mallrave; dhe 6 për qind merren me transport tokësor urban dhe periferik.

Ndërkaq, te sektori i hotelerisë, rreth 47 për qind të dhomave janë me nga një shtrat; 41 për qind të dhomave janë me dy shtretër; 7 për qind janë me 3 e më shumë shtretër; 4 për qind janë apartamente; 0.1 për qind janë rezidenca; dhe 1 për tjetër. Numri mesatar i punëtorëve të përhershëm në hotelet e anketuara ishte pak më i lartë në muajin korrik (mesatarisht 5.97 persona) dhe gusht (mesatarisht 5.93 persona), në krahasim me shtatorin (ku mesatarisht ishin 5.73 persona).

Te sektori i restoranteve, aktivitetet më të shpeshta ishin: bar, kafeteri (44 për qind), ushqimet e shpejta (34 për qind); restorantet (31 për qind); dhe klubet (1 për qind). Më shumë se gjysma e bizneseve që ishin pjesë e kësaj ankete, raportuan se njësia biznesore në të cilën veprojnë me aktivitetin e tyre ekonomik është e marrë me qira, rreth 54 për qind; rreth 35 për qind e bizneseve raportuan se njësia biznesore i takon atyre, pavarësisht nga lokacioni; përderisa 12% e bizneseve veprojnë në një njësi që është pjesë e shtëpisë së tyre.

Te sektori i ndërtimtarisë, një biznes i zakonshëm raportoi se rreth 89 për qind e vlerës së punimeve të realizuara në vitin 2017 i takon kategorisë Ndërtime të reja; rreth 7 për qind i takon kategorisë Mirëmbajtje dhe riparime të vogla; dhe 4 për qind riparime të mëdha të ndërtimeve ekzistuese./Lajmi.net/