Kabineti qeveritar i kryeministrit Bojko Borisov në Bullgari është shkundur nga një “tërmet” javën e fundit, pasi një seri dorëheqjesh kanë ardhur nga eksponentët më në zë të tij.
Të gjitha largimet nga qeveria bullgare lidhen me çështjen e ashtuquajtur ”ndërtime apartamentesh”, një skandal që shpërtheu në fund të javës së kaluar.
Ky skandal nxori zbuluar lidhjet e deputetëve e ministrave me kompaninë ndërtimore ”Artex”, e cila ishte duke u shitur anëtarëve të qeverisë së koalicionit të qendrës së djathtë Gerb, apartamente luksoze në zonën e banimit Iztok, në Sofje, me çmime shumë më të ulëta se ato të tregut.
Të shtunën e kaluar, ministrja e Drejtësisë, Ceska Caceva dha dorëheqjen ashtu si zëvendësministrja e Sporteve, Vania Koleva. Ndërsa dje është dorëhequr edhe zëvendësministri i Energjisë, Krasimir Parvanov.
Sipas Prokurorit Publik dhe Komisionit për Luftën kundër Korrupsionit janë gjithashtu të përfshirë në këtë skemë edhe Vezhdi Rashidov, president i komisionit parlamentar për Kulturën si dhe Cvetan Cvetanov, “krahu i djathtë” i kryeministrit Bojko Borisov.
Cvetanov është udhëheqës i grupit në parlamentin e partisë “Gerb”, njëkohësisht edhe nënkryetar i partisë, i cili duhet të kthehet nesër Bullgari, pas një vizite në SHBA.
Gjithashtu nën hetim është kompania ”Artex”, ndërsa mediat në Sofje theksojnë se Borisov do të kërkojë dorëheqjen e Cvetanov nga detyra.
Analistët parashikojnë se lista e politikanëve të përfshirë nuk do të ndalet me kaq. Gazeta ditore “Ora” kujton se në vitin 2017 kjo shumicë parlamentare kishte votuar amendamentet e ligjit për rregullat e ndërtimit, të cilat autorizuan kompaninë ”Artex” të vazhdonte ndërtimin e një ndërtese 34-katëshe në zonë rezidenciale Lozenets të Sofjes, pasi leja për ndërtimin e saj kishte skaduar.