Saktësisht 5 vite nga referendumi që ka çuar në aneksimin rust ë Krimesë, Ukraina përgatitet për zgjedhjet presidenciale të 31 marsit në një klimë tensioni. Asgjë nuk ka ndryshuar nga koha e Euromaidanit: problemet kryesore të vendit mbeten korrupsioni dhe mosbesimi pasues në klasën politike
Pakënaqësia është shprehur të shtunën 16 mars në formën e manifestimeve të grupeve të së djathtës ekstreme.
Qysh javën e kaluar protestat në Kiev dhe në qytetin e vogël Cherkasy kanë degjeneruar në dhunë dhe rreth 20 policë kanë mbetur të plagosur. Në të dyja rastet, ekstremistët po manifestonin për të kërkuar arrestimin e disa figurave të implikuara në një rast korrupsioni në botën ushtarake.
Në fakt, më 25 shkurti një raport i grupit investigativ “Nashi Groshi” (“Paratë tona”) ka botuar pjesën e parë të një raporti, në të cilin akuzohej për kontrabandë armësh nga Rusia Ihor Hladkovskyy, djali i Oleh Hladkovskyy, Zëvendëssekretar i Këshillit Kombëtar për Sigurinë dhe Mbrojtjen dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Petro Poroshenko. Kurse pjesa finale e raportit ka treguar në fakt sesi nëpunës të shumë shtetërorë, nga shërbimet e sigurisë tek agjencia shtetërore antikorrupsion, kanë ndihmuar që të mbulohet çdo provë e kontrabandës. Presidenti ka reaguar duke e shkarkuar Hladkovskyy baba, por një skandal i tillë pak ditë përpara votimeve mund t’i kushtojë shtrenjt.
Në fakt, rivalët e tij nuk kanë ngurruar që ta shfrytëzojnë situatën: Yulia Tymoshenko ka kërkuar menjëherë shkarkimin e Poroshenkos, ndërsa Volodimyr Zelensky, humoristi i shndërruar në politikan, ka kritikuar ashpër Presidentin në një video të postuar në Facebook. Një video që të kujton atë që e ka çuar mësuesin Vasiliy Holoborodko, personazhin e interpretuar nga Zelensky në serialin “Shërbëtori i kombit”, të bëhet një senascion viral më parë dhe President të vendit më pas.
Dhe shanset që historia e Zelensky të mund të ketë të njëjtin përfundim – zgjedhjen si President – nuk janë edhe aq të pakta. Sipas sondazheve të fundit, duket se është në vendin e parë në garën presidenciale, me 23.1% të preferencave. Prapa tij, Tymoshenko (14%) është lehtësisht në avantazh ndaj Poroshenko (12.4%). ¼ e votuesve është ende e pavendosur, por duket e vështirë që njëri nga kandidatët e tjerë, si prorusi Yuriy Boyko (12%) apo ish Ministri i Mbrojtjes Anatoliy Hrytsenko (7,4%) të arrijë të fitojë konsensusin e nevojshëm për arritjen e raundit të dytë.
Kalimi në këtë raund është tashmë shumë probabël për Zelensky, sidomos prej reputacionit të tij si outsider: i lodhur nga korrupsioni dhe paaftësia, populli ukrainas po kërkon me zë të lartë një fytyrë të re dhe sidomos të papërlyer në pushtet. Poroshenko dhe Tymoshenko janë prej shumë vitesh në skenën politike, janë përfshirë në skandale të shumta dhe kanë treguesi jopopullariteti shumë të larta, respektivisht 60.8% dhe 50,1%. Ukraina mund ta kalërojë valën populiste që ka përshkuar shumë vende europiane dhe të zgjedhë një President pa përvojë politike.
Megjithatë, Zelensky nuk duket se është krejtësisht i huaj ndaj kësaj bote raportesh midis oligarkëve dhe pushtetit politik që ka karakterizuar Ukrainën qysh nga pavarësia e saj më 1991. 1+1, kanali televiziv që transmeton “Shërbëtorin e kombit”, është në pronësi të Ihor Kolomoiskiy, njeriu i tretë më i pasur i Ukrainës dhe ish Guvernator i Dnipropetrovsk, aktualisht i hetuar për përvetësim të paligjshëm. Të dy janë mbrojtur duke theksuar se bëhet fjalë për një raport biznesi dhe jo politik.
Avantazhi të cilin gëzon Zelenskiy në nivel shikueshmërie falë karrierës së tij televizive është i pamohueshëm: pas muajve skeçe ku luante mbi mundësinë e një candidature të tij, humoristi e ka shpallur zyrtarisht në televizor Ditën e Vitit të Ri. Veç kësaj, sezoni i ri i “Shërbëtorit të kombit” do të transmetohet së shpejti, tamam në kohë për raundin e parë të zgjedhjeve. I gjithë vendi do të mund ta shikojë Zelensky në rolin – edhe pse jo real – të Presidentit, pak përpara votimeve. E pamundur të imagjinohet një fushatë elektorale më e mirë.
Zelensky ka ditur të grumbullojë consensus edhe në mediat sociale: mund të mbështetet tek mbi 2.8 milion ndjekësit në Instagram. Një platformë mbi 10 herë më e madhe se ajo e Poroshenko dhe Tymoshenko, që i mundëson ta rrisë popullaritetin e tij sidomos midis 30 vjeçarëve. Si populist i aftë, përdor strategji komunikimi pak institucionalë: selfie, video të bëra me celular, video të stërvitjeve në palestër.
Zgjedhjet nuk do të mbahen në një klimë kushedi se çfarë të qetë. Rreth 12% e popullsisë me pashaportë ukrainase jeton në Krime, tashmë e aneksuar nga Rusia, dhe oblastet e Donetsk e Luhansk, të kontrolluar nga separatistët, që nuk do të mund të votojnë. Lufta në Donbass zgjat tashmë prej 5 vjetësh dhe asnjë prej palëve nuk është treguar në gjendje që të respektojë armëpushimin.
Veç kësaj, e djathta ekstreme vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në Ukrainë. Batalioni “Azov” – një formacion oaraushtarak me frymëzim neonazist i krijuar më 2014 me qëllimin që të kundërshtojë separatizmin në lindje të vendit dhe i akuzuar për tortura dhe krime lufte – ka marrë autorizimin që të monitorojë zgjedhjet. Ihor Vdovin, zëdhënësi i tij, ka premtuar se do të reahojë me dhunë “në emër të drejtësisë” në rast shkelje të rregullave në votime.
Batalioni qëndronte prapa protestave kundër qeverisë. Zemërimi i “Azovit” kundër korrupsionit mund të jetë pjesë e një strategjie për të fituar simpatinë e publikut ukrainas, duke parë popullaritetin shumë trë pakët që gëzojnë sipas sondazheve elektorale. Por mund t’i detyrohet faktit që grupi është i lidhur me Ministrin e Brendshëm Arsen Avakov, që i është bashkuar korit të kritikave ndaj Poroshenko, duke e akuzuar për blerje votash.
Një prej gabimeve më të mëdha të politikanëve ukrainas në epokën e pasMaidanit ka qenë pikërisht lënia fushë e lirë këtyre formacioneve paraushtarake neonaziste, duke ju mundësuar atyre që të patrullojnë rrugët dhe duke mbyllur një sy përballë dhunave të kryera prej tyre. Pavarësisht se ankesavt e “Azovit” për korrupsionin e sistemit politik ukrainas janë legjitime, është e pamohueshme se prania e grupeve neonaziste dhe konsensusi i heshtur i autoriteteve kontribuon që të kompromentohet sistemi tashmë shumë i brishtë demokratik në Ukrainë.