Agjencia e Lajmeve Reuters raporton se Venezuela është përballur me ndërprerje të energjisë elektrike për më shumë se 24 orë. Nga kjo situatë u prekën shumica e shteteve të vendit si dhe kryeqyteti, Karakas.
Ndërprerjet e energjisë janë të shpeshta në Venezuelë, vend në të cilin ekonomia është duke u përballur me inflacion tejet të lartë, si dhe ka mungesa të mëdha të ushqimit dhe ilaçeve.
Opozita ka thënë se korrupsioni dhe mungesa e investimeve kanë lënë këtë shtet pa sistem funksional të energjisë elektrike, ndërsa Maduro ka thënë se problemet janë krijuar me qëllim nga armiqtë politikë, për tentativa të grushtshtetit me ndihmën e atyre që i quan “imperialistë amerikanë’.
Si pasojë e kësaj gjendjeje, rrugët janë mbushur me njerëz. Vendasve do t’iu duhet të ecin në këmbë me orë të tëra, pasi sistemi i metrove nuk funksionon dhe autobusët janë të tejmbushur.
Situata në Venezuelë është tensionuar pasi lideri opozitar, Juan Guaido, është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe një varg i shteteve perëndimore si president i përkohshëm, ndërsa Mauduro që është betuar në mandatin e dytë muaj më parë, refuzon të largohet nga pushteti./Opinion.al