Ballina Kronika Banda e Muratajt testoi grabitjen 2 muaj para goditjes në aeroportin e...

Banda e Muratajt testoi grabitjen 2 muaj para goditjes në aeroportin e Rinasit

Banda e grabitësve të parave brenda aeroportit të Rinasit më 9 Prill 2019, ka kryer testime 2 muaj përpara se të kryente goditjen finale. Gazetari i Tv Klan, Spartak Koka, ka deklaruar në emisionin “Opinion” se anëtarët e bandës kishin testuar çdo veprim të tyre që do të kryenin gjatë grabitjes, me qëllim për të matur saktësisht kohën që i duhej për të hyrë dhe për të dalë nga pista e aeroportit të Rinasit se bashku me paratë e grabitura.

Këto fakte janë bërë të ditur për grupin hetimor nga Alkond Bengasi, një nga të arrestuarit i cili është i penduar i drejtësisë. Bengasi është pikërisht personi që bëri modifikimin e furgonit të grabitësve. Grupi bëri prova gjithashtu edhe sa në gjendje është furgoni i modifikuar për të tërhequr bllokun e betonit.

Nga hetimet është konfirmuar se gjithçka ka ndodhur brenda 300 sekondave. Furgoni me ngjyre të bardhë me logon e ‘Hetimit Tatimor’ ka mbërritur në derën e jashtme të aeroportit, pranë parkingut të imbarkimit, në orën 15:03 minuta. Njëri nga 4 grabitësit zbret nga makina dhe i vë zinxhirin një blloku betoni, përpara portës metalike.

Furgoni e tërheq për të hapur rrugën dhe për të hyrë në pistë i duhen më pak se 60 sekonda. Në orën 15:04 gjendet në pjesë e pasme të avionit të linjës Tiranë – Vienë. Në grabitjen e parave brenda pistës së aeroportit ishin të përfshirë 5 persona që vepruan direkt. Pas largimit nga aeroporti, grabitësit u përballën me një patrullë të FNSH dhe nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Admir Murataj.

 

PRECEDENTËT PENALË TË KLEMENT ÇALËS

29 Qershor 2015 – Klement Çala ndalohet në Vlorë. Fillimisht refuzoi t’i bindej urdhrit të efektivëve dhe u largua duke përplasur makinën me murin e një pallati. Policisë ai i paraqiti një pasaportë të rregullt kosovare me identitetin Semir Koca të lëshuar më 11.06.2015  dhe një kartë identiteti me të njëjtin emër të lëshuar më datë 03.06.2015. I pandehuri ka deklaruar se quhej Klement Çala dhe se dokumentat ne emer te shtetasit Semir Koca i ka siguruar ai për shkak të problemeve që ka me identitetin në shtetin grek.

Në banesë iu gjetën një pistoletë TT dhe 1.2 gram kanabis. Gjykata e Vlorës ka thënë se dokumentet kosovare të Klement Çalës janë të rregullta, ndërsa nuk disponon patentë për drejtim mjeti. Çala pranoi se mbante patentë false dhe armë për shkak të problemeve që ka në shtetin grek.

Sipas gjykatës, Klement Çala nuk ka precedent të mëparshëm penal bazuar në dëshminë e penalitetit të 29 Tetorit 2015.

Më 12 Janar 2016 dënohet me 5 vite burgim, ulet 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjykata vendosi që Klement Çala ta vuajë dënimin në shërbim prove për 4 vjet. Vendimi apelohet nga Prokuroria.

 

 

11 Janar 2017 – Gjykata e Apelit Vlorë vendosi të lërë në fuqi dënimin për Klement Çalën, por ndryshoi mënyrën e vuajtjes së dënimit, duke hequr shërbimin e provës dhe periudhën e mbetur ta vuajë në një burg të zakonshëm. Klement Çala bën rekurs vendimin.

10 Shkurt 2017 – Regjistrohet në Gjykatën e Lartë rekursi i Klement Çalës ndaj vendimit të Apelit Vlorë.  Rekursi nuk pranohet, lihet në fuqi vendimi i Apelit.

Viti 2017 – Klement Çala është dënuar në mungesë me 25 vite burgim nga Gjykata e Krimeve të Rënda për veprat penale që ka kryer në Greqi. Ai akuzohet për vrasje me dashje të gardianit të burgut Kostantino Karra, vrasje e mbetur në tentativë ndaj gardianit Michail Dimitriou, arratisja nga burgu, grup i strukturuar kriminal, armëmbajtje pa leje. Vendimi apelohet.

30 Maj 2018 – Regjistohet apelimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

PRECEDENTËT PENALË TË ALKOND BENGASIT

21 Dhjetor 2012 – Alkond Bengasi arrestohet në Elbasan për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Ai udhëtonte me makinë së bashku me Klement Çalën, i cili ishte në drejtim të mjetit. Patrulla policore kërkoi që mjeti të ndalonte për shkak se qarkullonte me shpejtësi. Alkond Bengasit iu sekuestruan 170 gram kanabis, një pjesë gjatë kontrollit fizik, pjesa tjetër në banesë.

 

29 Maj 2013 – Gjykata e Elbasanit e dënon Alkond Bengasin me 3.4 vjet burgim që konvertohet në shërbim prove. Nuk kishte precedent të mëparshëm penal. Vendimi apelohet nga Prokuroria.

23 Janar 2014 – Gjykata e Apelit Durrës lë në fuqi dënimin e Shkallës së Parë, por ndryshon vuajtjen e dënimit. Pjesën e mbetur duhet ta vuajë në burg dhe jo në shërbim prove. Vendimi i Apelit bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë nga Alkond Bengasi.

4 Nëntor 2015 – Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë rrëzon rekursin e Alkond Bengasit dhe lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës.

/tvklan.al