A2 raporton se kanë qenë 8 persona që kanë marrë pjesë në grabitjen e aeroportit të Rinasit, ndërsa përdorën një automjet të modifikuar në shasi, në rast se do të hasnin probleme në hapjen e dyerve që rrethojnë perimetrin e sigurisë.
Burime pranë policisë thanë se në grabitjen spektakolare dyshohet se janë angazhuar 8 persona, të cilët kanë luajtur rol në vëzhgim, por edhe në djegien e dy automjeteve të tjera, njëri prej të cilëve u bë për të shpërqendruar ndjekjen e policisë.
Nga të dhënat e mbledhura nga grupi hetimor mësohet se automjeti i loguar me “Hetimi Tatimor”, në të vërtetë nuk është një makinë tip Volkswagen, por një Ford i modifikuar.
Në pjesën e shasisë, sipas ekspertizës, ishte vendosur një shinë treni, e cila ka ndihmuar në heqjen e bllokut të betonit në hyrje të Rinasit, por edhe në dalje, në hapjen e portës së emergjencës.
Për sa i përket vendngjarjes, ku u bë dhe shkëmbimi i zjarrit, hetuesit thanë se makina ka qenë e spërkatur me benzinë dhe Admir Murataj mbante në dorë një shkop të mbështjellë me sfungjer, për t’i vënë flakën.
Dyshimet janë hequr dhe për njërin prej grabitësve, i cili u përfol se mund të ishte plagosur.
Në vendngjarje policia ka gjetur gjurmë gjaku, por pas analizave, rezultuan se ishin të njëjtat me 47-vjeçarin i cili mbeti i vrarë.
Automjeti i djegur në Bathore ka luajtur rol kyç për shpërqendrimin e policisë.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë para se të ndodhte grabitja, rezulton se furgoni tjetër kishte disa javë që qëndronte i parkuar në zonë.
Djegia e tij ka tërhequr vëmendjen e policisë dhe fillimisht të gjitha kontrollet u kryen aty, në një kohë që furgoni tip Benz me grabitësit dhe paratë u dogj në një nga tunelet e fshatit Dritas.