Si sot, 34 vjet më parë, ndërroi jetë udhëheqësi më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë.
Enver Hoxha, diktatori komunist që sundoi me dorë të hekurt për afro 40 vjet, ndërroi jetë më 11 prill të vitit 1985.
Ai ishte zgjedhur në krye të Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar në 24 maj të vitit 1944, komitet i cili u shndërrua në Qeverinë e Përkohshme Demokratike në tetor të vitit 1944.
Qeveria e tij hyri në Tiranë në nëntor të vitit 1944.
I lindur më 16 tetor të vitit 1908, Enver Hoxha ishte kryeministër i Shqipërisë në vitet 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i Jashtëm dhe si ministër i Mbrojtjes.
Ai ka mbajtur thuajse gjatë gjithë periudhës së sundimit të partisë së tij detyrën e sekretarit të Parë të Komitetit Qëndror (e barazvlefshme me atë të kryetarit të partisë), detyrën e kryetarit të Frontit Demokratik dhe postin e komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (më pas Ushtria Popullore).
Pavarësisht se konsiderohet si një nga diktatorët më të egër në botë, sipas një ankete të OSBE, të vitit 2016, rreth 45% e shqiptarëve kanë mendim pozitiv për Enver Hoxhën, kurse 42% mendim negativ.(TemA)