Qeveria po përpilon një plan me të cilin do ti motivojë administratorët vetë të kalojnë në sektorin privat. Kryeministri Zoran Zaev tha se po përgatiten mjete me të cilat shteti do ti financojë personat, që do të vendosin me vullnetin e tyre të largohen nga administrata publike dhe kështu të kontribuojnë në uljen e numrit të tyre. Kryeministri pohon se administrata publike po zvogëlohet vazhdimisht, dhe se për dy vjet numri i administratorëve është zvogëluar për rreth 18 mijë. Zaev tha se nga 165 mijë prej kur u bë kryeministër numri i administratorëve është ulur në 148 mijë.
Ne në të ardhmen përpunojmë plane që ti motivojmë qytetarët e administratës publike, që me vullnetin dhe bindjen e tyre të pranojnë vende pune më mirë të paguara dhe me më shumë prosperitet në sektorin privat”- theksoi Zoran Zaev, Kryeministër
Kryeministri këtë plan e bazon në pritjet, se edhe biznesmenët tani do të fillojnë të ofrojnë paga më të larta, kryesisht për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar në tregun e punës. Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski reformën në administratën publike e njoftoi që vitin e kaluar. Plani është që një pjesë e administratës publike ti dorëzohet sektorit të biznesit, por tani për tani nuk ka detaje se si do të zbatohet kjo. Është paraparë të jetë gati deri në fund të vitit. Kompanitë kanë alarmuar vite me radhë për mungesë të fuqisë punëtore në tregun e punës, gjë që krijon humbje të mëdha në punën e tyre, por theksojnë se nuk kanë nevojë për juristë dhe ekonomistë që në të vërtetë dominojnë në administratën publike./Alsat-M