Nxënësit nga Gostivari dhe Tetova deri në shkollat e tyre voziten me furgon të stërngarkuar që i vozisin shoferë pa leje për vozitje, zbuloi policia e Tetovës gjatë kontrolleve të përforcuara të automjeteve të transportit publik.
Rezultatet nga vetëm një kontroll i bërë dje gjatë tre orëve janë të tmerrshme.
“Dje në periudhën prej orës 6 deri në orën 9, në Gostivar është bërë kontroll aksionar ku janë përfshirë 35 furgonë që bëjnë transportim publik.
Gjatë kontrollit, janë zbuluar nëntë furgonë me mbingarkesë së udhëtarëve, tetë vozitës kanë qenë pa certifikatë mjekësore, tre vozitës pa leje për vozitje, një vozitës ka qenë me kategorinë jopërkatëse,
dy kombi të paregjistruar, ndërsa një shofer ka vozitur më shpejt sesa duhet. Shkeljet e konstatuara janë sanksionuar me kundërvajtjet përkatëse ligjore”, deklaroi zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski.
Kontroll aksionar për siguri në komunikacion dje është bërë edhe në rajonin e Tetovës. Atje janë regjistruar 42 kundërvajtje, mes të cilëve ka pasur shtatë persona të cilët kanë vozitur pa poseduar leje për vozitje, gjashtë automjete kanë pasur regjistrim të skaduar, pesë me parregullsi teknike, shatë shoferë fillestarë nuk janë shoqëruar sipas kufizimeve ligjore, ndërsa kundërvajtjet tjera për parkim jo të rregullt.
Për këto shkelje janë përgatitur 23 kundërvajtje dhe 19 urdhërpagesa. /portalb/