Vetëm këtë vit, për katër muaj – 89 mjekë shqiptarë kanë marrë vërtetime për t’u larguar nga Maqedonia. Vitin e kaluar, ky numër ka qenë rreth 400. Nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë thonë se gati që tre vite, Ligji për mjekët edhe pse është dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, nuk dërgohet në Parlament për miratim
Urim HASIPI
Tetovë, 15 prill – Vendet e zhvilluara në Evropë i marrin të gatshëm kuadrot në sferën e shëndetësisë. Kjo sepse Maqedonia prodhon mjekë, por nuk di ti mbajë në vend. Pagat e ulëta, mos pasja e sigurisë në vendin e punës, mungesa e aparaturës për diagnostifim të sëmundjeve të ndryshme… ka bërë që shumë kuadro që përfundojnë shkollimin në vend, të gjejnë punë jashtë vendit, për një pagë dhe jetë shumë më të mirë. Kështu thonë nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë të Maqedonisë, prej nga nënvizojnë se Evropa po i merr të gatshëm kuadrot tona, shkruan gazeta KOHA.
“Evropa nuk prodhon mjekë, dhe mu nga kjo, mjekët tanë të ardhmen e kanë më të lehtë ta zhvillojnë atje. Çfarë bëjmë ne në Maqedoni? Tani na ngelin vendet rurale pa mjek, madje edhe spitalet nuk kanë mjek, sepse ne i kemi prodhuar dhe nuk dimë ti paguajmë. I vetmi problem i mjekëve në Maqedoni është pagesa e ulët, mëditjet e ulëta dhe tjetra – kushtet në vendin e punës akoma nuk janë të rregulluara, sepse mungojnë standardet dhe kushtet për zhvillimin normal të punës. Mjekut që punësohet qoftë në klinikë, qoftë në ambulancën e përgjithshme, i duhet një aparaturë e cila do ta bëjë më të suksesshëm edhe mjekun”, thotë për KOHA, Nevzat Elezi, kryetar i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë. Vetëm këtë vit, për katër muaj – 89 mjekë shqiptarë kanë marrë vërtetime për t’u larguar nga Maqedonia. Vitin e kaluar, ky numër ka qenë rreth 400 mjekë, të cilët janë larguar nga vendi. Nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë thonë se gati që tre vite, Ligji për mjekët edhe pse është dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, nuk dërgohet në Parlament për miratim.
“Në anën tjetër, ne kemi Ligjin për të drejtat e pacientëve dhe e dini, edhe ju jeni dëshmitarë, që kemi sulme të shpeshta gati se çdo ditë të pacientëve ndaj mjekëve për arsye se pacientët e kanë ligjin, dinë se me çka të mbrohen, ndërsa mjeku akoma nuk e ka Ligjin për mbrojtjen e profesionit të tij, dhe janë pikërisht këto tre gjëra që bëjnë që një të ri apo një të re, qoftë edhe ata të cilët kanë përvojë, të largohen. Kjo ishte në atë aspektin profesional. Ne kemi rrogat më të ulëta krahasuar me vendet e rajonit, jemi të fundit. Ikja e mjekëve është një trend që nuk mund të ndalet dhe besoni se do të jetë shumë problematike. Në anën tjetër, ne nuk mund të themi se nuk kemi një Strategji për të prodhuar mjekë të rinj, fatmirësisht universiteti jonë, Fakulteti i Mjekësisë ka akoma të interesuar për studimet e shkencave mjekësore, sepse në Evropë shumë pak ka që studiojnë mjekësinë për arsye se është shumë kohë e gjatë për këto studime”, thotë Elezi. Në Ndihmën e Shpejtë në Tetovë thonë se ka raste kur mjekët largohen, por të njëjtit zëvendësohen me mjekë tjerë. “Kemi mjekë të cilët kanë punuar këtu, por tani janë në Klinikën e Shkupit. Por kemi edhe të atillë që janë larguar në drejtim të vendeve më të zhvilluara për të ushtruar profesionin e tyre në një punë më profitabile. Vende e mjekëve që janë larguar, shumica edhe janë zëvendësuar, por ka vend për punësime akoma”, tha Afrim Aliu, kryeshef në Ndihmën e Shpejtë në Tetovë. Si pasojë e kushteve në të cilët punojnë mjekët, viteve të fundit trendi i daljeve jashtë shtetit ka lënë shumë spitale dhe ambulanca pa kuadër adekuat. Dhe nga ajo që po shihet, braktisja e vendit nga mantelbardhët do të vazhdojë. (koha.mk)