Një inspektor i policisë së Tetovës me iniciale M.D., mbrëmë rreth orës 24:00 bashkë me një shok të tij, që në duar ka pasur edhe një thikë, fizikisht ka sulmuar kolegun e tij D.A, duke u përleshur madje edhe fizikisht. Deri tek përleshja mes kolegëve ka ardhur pasi inspektori, M.D., në gjendje të dehur ka shkuar tek shtëpia e një personi civil duke bërtitur që “do i vrasë të gjithë”, thonë burimet brenda Prokurorisë.
Shkaku i sulmit të personit fizik, në shtëpinë e tij pa urdhër bastisjeje apo urdhër arresti, ka qenë involvimi i djalit të inspektorit M.D., në disa raste që i siguron kompania e personit T.Z..
Në momentin kur pronari i shtëpisë T.Z, hap derën, inspektori M.D, fillon ta sulmojë atë, ndërsa në tentim për ta ndërprerë sulmin nga ana e kolegut të tij D.A., inspektori M.D, e sulmon edhe kolegun e tij. Në sulmin verbal ka marrë pjesë edhe një shok i inspektorit M.D., i cili me thikë ka sulmuar pronarin e shtëpisë. Pas zënkës, nga personi fizik që është sulmuar në shtëpinë e tij, thirret policia dhe personat e përleshur shkojnë në spitalin klinik të Tetovës për kurim të plagëve të marra gjatë përleshjes. Në repartin e kirurgjisë në spital është thirrur edhe Prokuroria, por, me të arritur Prokuroria, sherri plas sërish, kësaj radhe duke e sulmuar prokuroren që ka qenë në detyrë, duke e kërcënuar atë me jetë, pas çka, Prokuroria e Tetovës jep urdhër arresti, ndërsa lënda është trajtuar nga ana e Prokurorisë si tentim për vrasje dhe sulm ndaj personit zyrtar. Pas këtij rasti, janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim inspektori M.D., shoku i tij Z.A, me të cilin paraprakisht kanë konsumuar alkool në një nga lokalet e Tetovës, dhe një person i tretë, identiteti i të cilit nuk dihet por që është takuar në vendngjarje në Spitalin Klinik të Tetovës.
Raportohet se, inspektorët në fjalë, M.D., D.A., dhe shoku i të parit të përmendur Z.A, që është i njohur për opinionin si anëtar i grupit të tifozëve Vojvoda, paraprakisht kanë konsumuar alkool në një lokal në Tetovë dhe ngjarja ka filluar pas konsumimit të alkoolit./alsat-m