Reperja 23-vjeçare Loredana Zefi ka pushtuar së fundmi hapësirat mediatike për shkak të akuzave për zhvatje dhe kërcënim të ngritura nga një çift zviceran. Dy ditë më parë, Loredana mbajti një konferencë për mediat, ku rrëzoi çdo akuzë të ngritur ndaj saj. Mirëpo, portali zviceran “Blick” shkruan se një pronar anijesh pretendon se në vitin 2017 Loredana së bashku me bashkëshortin e saj, reperin Mozzik i ka marrë pa para një varkë me qira duke pretenduar se ishte e bija e avokatit të njohur zviceran Valentin Landmann.
Sipas pronarit të anijeve, Loredana dhe Mozzik ia kanë marrë anijen për tre orë dhe kur ia kanë kthyer nuk kanë paguar asnjë lekë për të, duke u justifikuar se nuk kishin para me vete dhe se kur të ktheheshin sërish do ta bënin pagesën, që shkon deri në 1 mijë franga. Këtë shumë pronari ia kishte kërkuar më pas avokatit Landmann, i cili i kishte treguar se thjesht i ishte keqpërdorur emri dhe se nuk kishte asnjë lidhje me çiftin në fjalë.
Kujtojmë se emri i avokatit Valentin Landmann është përdorur nga Loredana edhe në rastin e çiftit zviceran. Avokati është prononcuar në mediat zvicerane se ka hedhur padi ndaj këngëtares, pikërisht për shfrytëzim emri.