Nga Aldo Cazzullo
Aleanca midis partive të djathta të qendrës dhe populistëve nuk është e mundur, madje as e nevojshme. Nëse sovranistët donin ta kthenin Europën me kokë poshtë, ata tani do të duhet të presin të paktën pesë vjet. Partitë e Le Penit dhe Salvinit janë të parat në Francë dhe në Itali; por forcat proevropiane kanë shumicë të qartë edhe në parlamentin e ri.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ka ndodhur asgjë. Vota e djeshme mbyll periudhën pesëmbëdhjetëvjeçare gjatë të cilës Evropa faktikisht është qeverisur nga Angela Merkel. Kjo nuk do të thotë se kancelarja del e mundur nga kjo përballje dhe armiqtë e saj janë të fituarit. Do të thotë se është mbyllur një sezon dhe tani po hyjmë në një terren të panjohur.
Merkel ka pasur një meritë dhe një mungesë merite historike, dhe të dyja këto kanë lënë shenjat e tyre në këto zgjedhje, ndoshta më të rëndësishmet e të gjitha kohërave, siç tregojnë shifrat e rritura të pjesëmarrjes. Merita: ngritja e një pengese kundër të djathtës antievropiane dhe neonacionaliste, edhe në vendin dhe partinë e saj. Në vendin e vetëm ku është eksperimentuar, Austri, aleanca mes të djathtës dhe ekstremit të djathtë u përfshi nga skandali që zbuloi varfërinë kulturore dhe gatishmërinë e personazheve të përfshirë, për të spekuluar mbi frikën e ligjshme të qytetarëve, me qëllim përqendrimin në duart e veta të pushtetit dhe parave.
Por Merkel gjithashtu ka një kufi nga i cili nuk ka lëvizur kurrë: vendosja – për arsye politike vendore, kulturore përpara atyre ekonomike – e masave shtrënguese që kanë shkatërruar sistemet prodhuese dhe kohezionin social të vendeve më të dobëta, duke përfshirë edhe Italinë. Kësaj i shtohet edhe ndikimi në sigurinë dhe punën e flukseve migratore nga Afrika dhe Lindja e Mesme. Kjo gjithashtu shpjegon valën populiste që shtyn Marine Le Pen për të lënë pas Emmanuel Macron; Nigel Farage për të turpëruar konservatorët, Matteo Salvinit për të bërë një hap përpara. Dhe asnjëri prej tyre nuk është mik i kancelares.
Në aparencë, kur ujërat e cunamit të tërhiqen, do të shohim se nuk do ta kenë tronditur peizazhin politik të Evropës dhe vendeve të mëdha që i japin asaj shpirt. Në Bruksel, boshti i partive popullore dhe socialistëve (jo më i vetëmjaftueshëm) do të shtrihet te Të Blertët, tashmë më të fortë seç ishte parashikuar, dhe te liberalët, duke përfshirë Macron-in.
Të moderuarit janë në vështirësi dhe e majta tradicionale del nga këto zgjedhje më e dobët: socialdemokratët janë në nivelin më të ulët në Gjermani, socialistët pothuajse u zhdukën në Francë. Në Berlin, ai që u quajt Koalicioni i Madh në vitin 1966, sepse arriti në 86.9% të votave, sot është nën 44%. Në Paris, PS dhe neo-golistët, nuk arrijnë së bashku në 15%. Por populistët nuk janë në pragun e pushtetit.
Në Gjermani nuk ka alternativa të vërteta për kristian-demokratët, edhe pse për herë të parë nën 30%. Në Francë, nëse pas dy javësh do të kishte një balotazh presidencial, Macron do ta mundte me lehtësi Marine Le Pen sërish. Në Londër, konservatorët do të përpiqen të përshpejtojnë Brexit-in dhe të shmangin zgjedhjet e parakohshme; dhe kur të vijë koha, për Farage nuk do të jetë aq e lehtë.
Kjo nuk do të thotë se asgjë nuk ka ndryshuar. Ëndrra Merkel – një Evropë e bashkuar rreth vendit ekonomikisht dhe gjeografikisht në qendër të saj – tani është shkatërruar në kuptimin e plotë të fjalës. Kjo sepse Evropa po riorganizohet në zona politike jo heterogjene. Merkel ka kaluar shumë kohë duke mbështetur Mariano Rajoy-n, duke ndihmuar në shpëtimin e bankave spanjolle; dhe tani Gadishulli Iberik përbën një përjashtim, zona e vetme në kontinent, ku e majta konfirmohet si e aftë për të qeverisur vetëm.
Merkel ka menduar për Europën Lindore si një zonë natyrore e zgjerimit gjerman, një treg për kompanitë e saj dhe një kështjellë kundër Putinit, duke u gjendur përpara në një sërë regjimesh nacionaliste dhe joliberale, nga Hungaria e Viktor Orbanit në Poloni, te Polonia e Jaroslaw Kaczynski-t, pavarësisht qëndrimit të distancuar që ka marrë babai i lirisë polake, Lech Walesa, i vlerësuar në Mynih në skenën ku kancelarja mbylli fushatën e saj të fundit zgjedhore. Dhe Merkel sigurisht nuk i uron vetes një lamtumirë si ajo e Londrës, aq më tepër nëse në vend të kryeministres Theresa May do të vijë Boris Johnson, aleati natyral i Donald Trump.
Një stinë e re plot të papritura hapet tani për Europën. Hapja ndaj Të Blertëve dhe liberalëve nuk merr parasysh zhvendosjen objektive në të djathtë të elektoratit. Antidoti ndaj masave shtrënguese gjermane, të përfaqësuara nga Banka Qendrore Evropiane e Mario Draghi-t, do të zgjasë edhe disa muaj.
Ditët e Merkel-it vetë janë të numëruara. Një gjë është e sigurt: meqenëse aleanca e partive popullore me ato populiste është e pamundur tani për tani, Italia e Salvinit nuk do të gjejë një Europë të urtë. Brukseli dhe Roma mund të zgjedhin rrugën e dialogut, i cili ende mund të shpëtojë gjithçka; ose atë të prishjes, që do të ishte një fatkeqësi për të gjithë. / Corriere della Sera / Përgatiti: Gazmira Sokoli /