Më 1 qershor, Tottenham dhe Liverpool përballen në Madrid. Londinezët kanë rishkruar historinë. Të kuqtë luftojnë për të gjashtin titull. Një finale e gjitha angleze, përmbyll një sezon të paharrueshëm të UEFA Champions League. Superdueli do të luhet në orën 21:00. Më poshtë, do të gjeni disa fakte që nuk i dinit rreth Uefa Champions League.
Stadiumi ‘Wanda Metropolitano’ u vendos në funksion vetëm në shtator të vitit 2017 dhe i kushtoi klubit të Atletico Madrid më shumë se 240 milionë euro. Kapaciteti i saktë i stadiumit është 67 829 vende.
Kjo është finalja e pestë që do të mbahet në qytetin e Madridit. Në 4 rastet e para, të gjitha finalet janë luajtur në stadiumin e Real Madrid, ‘Santiago Bernabeu’.
Kjo është finalja e dytë mes dy skuadrave angleze. Për herë të parë, dy skuadra nga Anglia u përballën me njëra-tjetrën në finalen e ‘Champions League’ në vitin 2008, kur Manchester United fitoi me penallti ndaj Chelsea.
Tottenham debuton në një finale të ‘Champions League’, duke u bërë skuadra e 40 në histori që arrin diçka të tillë. Nëse Spurs do të fitojnë ndaj Liverpool, do të bëhen skuadra e 23-të që është shpallur të paktën 1 herë, kampionë të Europës.
Tottenham është skuadra e 8 angleze që arrin në një finale të ‘Champions League’ (European Cup). Më parë, nga Anglia, në finale janë paraqitur Manchester United, Liverpool, Chelsea, Arsenal, Nottingham Forest, Aston Villa dhe Leeds.
Për Liverpool-in, kjo është hera e 21-të që paraqitet në një finale të një kompeticioni europian. Gjithashtu, është hera e 3 që arrin finalen në dy sezone radhazi.