Marin Mema, një nga gazetarët më të njohur në Shqipëri, në një publikim të fundit të tij në rrjetet sociale “thumbon” politikanët, shkruar se “ata nuk e dënojnë njëri tjetrin, veç akuzohen, ndërrojnë fanellat dhe rinisin lojën nga e para”.
Sipas tij, “kjo është e vërteta, Shqipëria ky vend i pasur si pak të tjerë, është marrë peng prej tyre”.
Ai vijon më tej duke shkruajtur se “të gjithë kanë prona, apartamente e biznese të tjera, janë aksionerë në firma, jetojnë në luks, por kurrë nuk ngopen”.
Postimi i plotë i gazetarit Marin Mema
E keni parë se si qeshin e përsërisin njëri tjetrin? Se si debatojnë tërë pasion a thua se të ardhurat nuk i kanë të mjaftueshme dhe pikërisht për këtë fakt thonë se e dinë ç’halle kanë njerëzit… A e keni parë se si përloten, kryqëzojnë duart e shkundin kokën sa herë shohin të varfër, të pamundur apo skamnorë? Të gjithë përbetohen për ndershmëri, për pastërti, për korrektësi e vullnet në ndryshimin e vendit, por në fakt realiteti është shumë i ndryshëm.
Askush prej tyre nuk e di çfarë do të thotë të mos kesh të ardhura për të mbyllur muajin, të mos kesh mundësi të blesh për fëmijët një dhuratë, të të dridhet dora ashtu siç ndodh me pensionistët për të blerë ilaçet. Ata nuk e njohin këtë realitet edhe pse fshihen pas tij. Politikanët premtojnë por vetëm kaq. Në ndërkohë minatorët, naftëtarët, inxhinierët, ushtarakët, mjekët, mësuesit, studentët, përpiqen çdo ditë të kacavirren në këtë jetë të vështirë që ka për arkitektë pikërisht ata, politikanët shqiptarë…
Të gjithë kanë prona, apartamente e biznese të tjera, janë aksionerë në firma, jetojnë në luks, por kurrë nuk ngopen. Asgjë nuk është mjaftueshëm për një pjesë prej tyre. Ata duan sërisht! Ndaj ky vend po ha vetveten, po masakron çdo mundësi, po vetëflijohet prej tyre e pangopsisë së sëmure që nuk po sheh fund.
Çdo burim është parë e po shikohet si mjet përfitimi, pyjet, lumenjtë, malet, shëndetësia, arsimi, lejet e ndërtimit, bregdeti, kudo janë ata, të pangopurit e politikës shqiptare. Pas çdo interesi, pas çdo ndërtimi, partneriteti, fshihet një lidhje e caktuar, një grup që kërkon të thithë edhe grahmat e fundit të palcës së këtij vendi.
Taksa, parkingje, importe që mbysin produktin vendas, kudo ka një lidhje të caktuar. Është një rrjet i tërë merimangash i ngritur për t’u shërbyer, atyre dhe njerëzve pranë tyre. E njëjtë edhe me krimin e organizuar që ruan një raport të drejtëpërdrejtë me politikën dhe ka mbrojtjen e plotë tē saj. Secila ka një bandë, një bandë që i shërben në çdo rast.
Politikanët nuk e dënojnë njëri tjetrin, veç akuzohen, ndërrojnë fanellat dhe rinisin lojën nga e para.
Në mes mbeten shqiptarët, mbeten brezat që po shkojnë, mbetet profesionistët e vërtetë, të rinjtë që ikin, e të gjithë ata në shumicë dërrmuese që e duan këtë vend.
Kjo është e vërteta, Shqipëria ky vend i pasur si pak të tjerë, është marrë peng prej tyre. E fajin e kemi ne, sepse pranojmë, nuk reagojmë, besojmë dhe asgjë nuk ndryshon. Përkundrazi gjithçka shkon keq e më keq.