Stuhia që kaploi shtetet ballkanike, nuk u tregua e ashpër me Maqedoninë e Veriut. Mbrëmë u shënuan të reshura intensive të shiut në Shkup, Kumanovë dhe disa qytete të tjera lindore, megjithatë nuk është raportuar për dëme materiale apo pasoja në njerëz. Sipas meteorologëve, mot me shi dhe erëra të lehta pritet të mbajë sonte por edhe gjatë ditës së nesërme.
Megjithatë, nuk pritet përkeqësim i motit sikurse në shtetet e tjera ballkanike. Ndërkaq në shtetet fqinje, si Bosnjë, Serbia dhe Kroacia ditëve të kaluara u përballën me të reshura intensive dhe erëra të forta si dhe vërshime në disa qytete duke shënuar dëme të majme materiale dhe disa persona të lënduar. Në disa pika të larta, ka pasur edhe reshje të dëborës.