Kufizimi i pagesës me para në dorë deri në 500 euro nuk do ta zvogëlojë ekonominë gri, përkundrazi, mund ta rrisë edhe më shumë. Nga 1 qershori, sipas ndryshimeve në ligjin për larjen e parave dhe financimin e terr*orizmit, qytetarët nuk do të mund të blejnë produkt të caktuar apo ndonjë mall me para në dorë nëse e kalon shumën prej 30 mijë denarëve. Biznesmenët alarmojnë se kjo masë nuk do ta japë efektin e dëshiruar, por se do të kërkohen të gjitha alternativat e mundshme që të evitohet pagesa përmes bankave. Më tej thonë se pasojat negative ndaj ekonomisë do të ndjehen menjëherë, sidomos gjatë verës kur kthehen mërgimtarët, të cilët tradicionalisht janë konsumatorët më të mëdhenj të mallrave të shtrenjta.
“Ja për shembull, pas 1 qershorit kur të vijnë njerëzit nga mërgata për dasma e kështu me radhë, nëse dëshiron Ministria dhe nëse ka dëshirë dhe vullnet, le ta matin efektin, kanë mundësi ta shohin këtë sipas transaksioneve fiskale pasi mund t’i ndjellin në çdo kohë llogaritë fiskale. Kjo menjëherë do të ndjehet në 2-3 muajt e parë”, theksoi Mile Boshkov, Konfederata e biznesit
Fillimisht, më shumë këtë masë do ta ndjejnë shitësit e mobileve dhe teknikës së bardhë. Probleme tjetër është se disa pika për shitje fare nuk kanë terminale për pagesë elektronike.
“Pres që të ketë keqpërdorime siç edhe ka. Ekonomia gri është mbi 30%. Shumë vështirë mund ta ndryshojë sjelljen ekonomia e tregut në Maqedoni, madje as nën ndikimin e këtij ligji” , tha Mile Boshkov, Konfederata e biznesit.
Sqarimi i Ministrisë së financave për zgjidhjen e këtillë ligjore është se do të ndihmojë në luftën kundër larjes së parave dhe uljen e ekonomisë gri, që janë kërkesa kyç nga BE. Ligji u miratua para një viti kur pragu u pagesës në dorë nga 15 mijë u ul në 2000 euro. Më pas, nga 1 janari pragu u ul në 1000 euro, që më pas nga 1 qershori të reduktohet në 500 euro. Me direktivën evropiane e cila është inkorporuar në ligjin tonë, pragu është vendosur në 10 mijë euro, por Qeveria e Maqedonisë vendosi ta ulë këtë prag për shkak të kontrollit më të madh të pagesave. Ndalesa vlen edhe për personal fizik edhe për ata juridik ndërsa në rast të shkeljes së Ligjit, gjobat sillen prej 5000 deri 80 mijë euro./Alsat-M