Pamje të rënda janë publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha në faqen e tij në Facebook, ku duket një person pa ndjenja. Duke iu referuar një mesazhi ardhur në adresë të tij, Berisha shpjegon se i lënduari është një protestues nga Elbasani që iu bashkua tubimit të opozitës dhe që për pak humbi jetën nga gazi që hodhi policia.
Nuk saktësohet se kur janë filmuar pamjet, por me gjasë i përkasin protestës së dielës, kur policia hodhi në masë gaz lotsjellës.
“Viktime tjeter e helmimit te rende me helme luftarake nga Edvin Kristaq Krimi dhe Vasal Kimiku”, shkruan Berisha në një status në faqen e tij në Facebook, ndërsa paraqet edhe mesazhin e ardhur në adresë të tij:
“Pershendetje dr Ky eshte nje protestues nga Elbasani po thuejse gati qe nuk humbi jeten nga gazi helmues”.
Policia ka hedhur shpesh gaz lotsjellës në protestat e organizuara nga opozita për të shpërndarë protestuesit. Nga gazi janë lënduar protestues të shumë që paqësisht ushtronin të drejtën e tubimit si dhe punëtorë të medias në krye të detyrës. Madje dhe qytetarë të tjerë që nuk kanë pasur asnjë lidhje me protestën.
Vetëm protestën e 13 Majit, që erdhi pas thirrjeve të ambasadave të huaja që forcat e rendit të shmangnin veprimet e dhunshme dhe të tregonin vetëpërmbajtje, nga policia nuk pati hedhje të gazit lotsjellës.
Gazi lotsjellës në fakt, në një akt të paprecedentë, u përdor nga policia edhe për të nxjerrë nga banesat e tyre banorë në zonën e Bregut të Lumit, shtëpitë e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe. Të gjitha herët kur është hedhur gaz, janë pas ‘erës’ Lleshaj, nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Sandër Lleshaj megjithatë ka pasur mbështetjen e kryeministrit Edi Rama, i cili publikisht ka justifikuar përdorimin e gazit në protestat e opozitës. /bn/