Lidhjet më të ngushta me Greqinë dhe BE-në dhe mosmarrëveshjet mbi aktivitetet e të ashtuquajturve gylenistë po vënë në provë miqësinë e vjetër të Shkupit me Ankaranë.
Nga Ivan Nikolovski, Birn
Më 3 prill, vetëm një ditë pas vizitës historike të Alexis Tsipras në Shkup, vizita e parë zyrtare e një kryeministri grek në Maqedoninë e Veriut, Shkupi gjithashtu priti ministrin turk të mbrojtjes, gjeneralin Hulusi Akar.
Gjatë vizitës së tij, Akar riafirmoi lidhjet e ngushta mes dy vendeve dhe mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
Por gjenerali nuk humbi mundësinë që t’i bënte thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të jenë më bashkëpunues në luftën kundër lëvizjes së udhëhequr nga kleriku turk në mërgim Fethullah Gylen, armik i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
Lëvizja islamike socio-fetare Gylenit ka qenë aktive në Ballkan nëpërmjet rrjetit të saj të organizatave të shoqërisë civile, por edhe objekteve fetare dhe arsimore.
Megjithatë, Turqia e konsideron Gylenin dhe përkrahësit e tij terroristë si edhe nxitësit kryesorë të grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016. Ajo e ka quajtur lëvizjen e Gylenit “FETO” – shkurtimi për organizata terroriste Fethullah dhe Ankaraja ka kërkuar ekstradimin e Gylenit nga Shtetet e Bashkuara.
Uashingtoni e ka shpërfillur këtë kërkesë, por në rajonin e Ballkanit, presioni i Turqisë është më efektiv.
Si pjesë e spastrimeve kundër Gylenit që pasuan përpjekjen e grushtit të shtetit të vitit 2016, Turqia i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut dhe shteteve të tjera të Ballkanit që të mbyllin institucionet arsimore që thuhet se janë të lidhura me lëvizjen e Gylenit dhe kërkojnë një veprim më të madh kundër tij.
Pasi Maqedonia e Veriut dështoi të veprojë sipas kërkesës së Turqisë, Ankaraja u tërhoq nga marrëveshja dypalëshe për njohjen reciproke të diplomave universitare në 2017.
Turqia nuk ka hequr dorë nga fushata e saj. Gjenerali Akar e përdori vizitën e tij në Maqedoninë e Veriut për t’i “kujtuar përsëri” autoriteteve atje se “Turqia dhe Maqedonia e Veriut duhet të punojnë së bashku kundër FETO-s për hir të marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve”.
Tre ditë pas vizitës, më 6 prill, homologia e Akarit në Maqedoninë e Veriut, Radmila Sekerinska, konfirmoi se politika e qeverisë ndaj të ashtuquajturve gylenistë mund të ndikonte shumë në dinamikën e ratifikimit të Turqisë të protokollit të ratifikimit të NATO-s të Maqedonisë së Veriut.
Nëse Turqia e bën “luftën kundër FETO-s” një kusht për mbështetjen e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, mund të ndodhë një ndryshim i mundshëm në marrëdhëniet tradicionalisht miqësore.
Çështja me të ashtuquajturën FETO përbën vetëm një nga tri sfidat për marrëdhëniet Maqedoni e Veriut-Turqi.
Turqia ishte vendi i dytë që njohu pavarësinë e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991 dhe i pari që e bëri këtë pa rezerva lidhur me identitetin, gjuhën dhe ish-emrin kushtetues, Republika e Maqedonisë – të cilin Greqia e kundërshtoi fuqimisht.
Maqedonia e Veriut dhe Turqia prej atëherë kanë nënshkruar marrëveshje të shumta bilaterale që avancojnë bashkëpunimin në diplomaci, ekonomi, tregti, kulturë, mbrojtje dhe siguri.
Ankaraja ka qenë gjithashtu një nga mbështetësit më të fuqishëm të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Ajo ishte i vetmi anëtar i aleancës së Atlantikut që kërkoi përdorimin e emrit të vjetër kushtetues të vendit në dokumentet zyrtare të NATO-s.
Ankaraja duket të jetë një nga partnerët kyç të Shkupit në bashkëpunimin ushtarak. Ky bashkëpunim u kurorëzua në dhjetor 2010, kur dy ministritë e mbrojtjes nënshkruan një marrëveshje dypalëshe mbi bashkëpunimin ushtarako-financiar.
Megjithatë, Maqedonia e Veriut mbetet e gatshme të përmbushë kërkesat e Ankarasë në luftën kundër të ashtuquajturës lëvizje FETO, edhe pse dështimi për të adresuar kërkesat e Turqisë mund të vërë në provë marrëdhëniet dypalëshe dhe të vërë në pikëpyetje “mbështetjen e pakushtëzuar” të Turqisë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
Një sfidë tjetër për marrëdhëniet dypalëshe mund të jetë politika e re e Maqedonisë së Veriut për të ndjekur marrëdhënie të ngushta me Greqinë, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, e cila solli ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Maqedonia e Veriut, duke përmbushur kështu kërkesat greke.
Gjatë vizitës së tij historike në Shkup, Tsipras njoftoi se forcat e armatosura të Greqisë tani do të mbrojnë hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut dhe do të trajnojnë homologët e tyre në vend sapo ky i fundit t’i bashkohet NATO-s.
Një nga mediat greke komentoi: “Dimensioni ushtarak i marrëdhënieve midis Athinës dhe Shkupit do ta vërë Greqinë në një nivel me Bullgarinë dhe Turqinë në rajon, me zhgënjimin e Ankarasë dhe Sofjes, të cilat kanë vendosur lidhje të ngushta ushtarake prej kohësh me Maqedoninë e Veriut.”
Lidhur ngushtë me këtë sfidë është edhe çështja e Qipros. Ishulli i ndarë është një nga shumë çështje që ndërlikojnë marrëdhëniet tradicionalisht të tensionuara midis Greqisë dhe Turqisë, në të cilën Maqedonia e Veriut do të duhet herët ose vonë të zgjedhë të mbajë një anë.
Pjesa greke e ishullit, e njohur zyrtarisht si Republika e Qipros, nuk është njohur nga Turqia dhe kështu nuk është pjesë e NATO-s edhe pse është pjesë e BE-së.
Pjesa turke, Republika Turke e Qipros Veriore, njihet vetëm nga Ankaraja. Si pjesë e pranimit të saj në BE, megjithatë, Maqedonia e Veriut duhet ta njohë Republikën e Qipros si një nga vendet anëtare të BE-së dhe si një nga shtetet me të cilat do të duhet të negociojë.
Në vitin 2000, Shkupi konsideroi njohjen e Republikës së Qipros, por u tërhoq pasi Turqia kërcënoi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike.
Megjithatë, njohja e Republikës së Qipros nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk duhet të vijë përpara se ajo të arrijë anëtarësim të plotë në NATO, me qëllim që të sigurohet që Turqia nuk e vë në dyshim përkrahjen e saj për anëtarësimin e Shkupit në aleancë.