Lidhja Social Demokrate e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, shkarkoi të dielën në mbrëmje të gjithë funksionarët e lartë partiakë: gjashtë nënkryetarët, tre sekretarët dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Ekzekutiv. Këto “spastrime” qenë paralajmëruar nga vetë zoti Zaev menjëherë pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të 21 prillit. Ai njoftoi po ashtu se do të ketë të paktën tre ndryshime në postet e ministrave në kabinetin e tij qeveritar.
Kryeministri maqedonas tha se ndryshimet janë rezultat i mossuksesit të zyrtarëve të lartë partiakë për të përmbushur detyrat dhe zotimeve si dhe “për shkak të arrogancës së shfaqur nga ana e tyre”.
Nënkryetarët e shkarkuar të LsDM-së; Frosina Remenski, Muhamet Zeqiri, Petre Shilegov, Damjan Mançevski, Oliver Spasovski dhe Bllagoj Boçvarski, drejtojnë po ashtu poste të larta qeveritare apo janë ligjvënës në parlament. Ndërsa, Z. Shilegov është kryebashkiak i Shkupit. Ata nuk do të kenë më funksione partiake.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i partisë, Aleksandar Kiracovski, qe zhytur në një skandal nepotizmi, meqë kishte punësuar disa prej familjarëve të tij në administratë apo në kompani publike. Postin e tij e mori ministri i aktual Bujqësisë, Lupço Nikollovski. Ky i fundit do të largohet nga kabineti qeveritar.
Nga ana tjetër, kryeministri Zaev pritet të marrë pëlqimin e kryetarit të Bashkimt Demokratik për Integrim për ndryshimet në qeveri, përkatësisht lidhur me emrat e ministrave të partisë shqiptare që do të duhej të largohen nga kabineti.
Zoti Zaev nuk do të ndalet me kaq; ai pritet të shkarkojë edhe një sërë drejtorësh të ndërmarrjeve shtetërore, ndërsa për vete thotë se e ka mbështetjen e qytetarëve për përkushtimin në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt integrimeve euro-atlantike.