Ndoshta kemi parë këtë vit edicionin më spektakolar të Ligës së Kampioneve, por UEFA dhe klubet e mëdha mendojnë se turneu aktual ka ende nevojë për përmirësim… sa i përket aspektit ekonomik.
Kështu, prej kohësh organizata e cila mbledh klubet europiane, ECA, si dhe UEFA, kanë bërë një projekt për të riformatuar turneun dhe tashmë duket se kanë një plan konkret të cilën ia kanë paraqitur disa prej drejtuesve të ligave europiane në ditët e kaluara.
Projekti i ri sheh ristrukturimin plotë të Kupave të Europës, duke filluar nga viti 2024, duke ndërtuar atë të famshmen Superligë, që do të zëvendësojë Ligën e Kampioneve, Europa League dhe turneun e tretë që ka ndër mend të krijojë UEFA në vitet e ardhshme.
Struktura e re pritet të fuqizojë edhe më shumë superfuqitë europiane dhe me siguri do të ndeshet në kundërshtinë e vendeve të vogla, pasi do të jetë e vështirë që tashmë në turneun elitë të kontinentit të shohim mrekulli si e Ajaksit apo edhe të klubeve të tjera të vogla të cilat herë pas here “thyejnë sistemin” e klubeve të mëdha dominuese.
Gazeta gjermane “BILD” ka zbuluar planet e reja për turnetë europiane që do të prezantohen zyrtarisht më 17 maj dhe formula ndryshon që nga emri. Nuk do të quhet më Liga e Kampioneve, por Liga 1, Liga 2, Liga 3.
Liga 1, do të jetë si Liga e Kampioneve aktuale, me 32 skuadra pjesëmarrëse. Për edicionin e parë, në vitin 2024, pjesëmarrësit do të mblidhen me një renditje historike të katërvjeçarit 2020-2024, duke marrë parasysh paraqitjen e tyre në turneun elitë.
Në vend të 8 grupeve me nga 4 skuadra, do të jenë tashmë 4 grupe me nga 8 skuadra. Kështu, faza në grupe do të rritet në 14 ndeshje e sigurisht do të garantojë më shumë të ardhura. Katër ekipet më të mira nga çdo grup do të kualifikohen në fazën tjetër me eliminim direkt, në 16 më të mirat. Kurse 16 skuadrat e mbetura do të luajnë për të mos rënë në Ligën 2.
24 skuadrat më të mira do të kenë të garantuar vendin në edicionin pasardhës pavarësisht renditjes në kampionatet përkatës, 4 skuadra do të ngjiten nga Liga 2 (ajo që më parë ishte Liga e Europës). Vetëm 4 skuadra mund të kualifikohen nëpërmjet tureve eliminatore sipas renditjeve në kampionate.
Kjo do të thotë që do të jetë thuajse e pamundur për klube nga vende të vogla që të bëhen pjesë e saj, me vende si Shqipëria që tashmë do të humbin praktikisht çdo shans konkret për të siguruar një vend në këtë turne madhor.
Liga 2 do të pësojë tkurrje, pasi nga 48 ekipe, do të kalohet në 32. Edhe turneu i parë do të jetë me klasifikimin katërvjeçar, por ndryshe nga elita, do të jenë grupe me nga 4 skuadra dhe jo me 8. Në të ardhmen, 20 klube do të mund të kualifikohen nga kampionatet përkatëse, 4 ekipe bien nga Liga 1 dhe 4 ngjiten nga Liga 3. Edhe këtu, 4 klube bëhen pjesë e aktivitetit nga pjesëmarrja në kualifikuese.
Liga 3 do të jetë risia edhe pse të gjithë e cilësojë si “liga e të varfërve”, që UEFA ka ndërtuar për t’u bërë qejfin vendeve të vogla. Ajo do të përfshijë 64 skuadra të cilat do të ndahen në 4 grupe rajonale, secila me nga 4 grupe nga 4 skuadra. Pjesëmarrësit riformatohen çdo sezon, në varësi të renditjes në kampionatet përkatëse. Katër ekipet gjysmëfinaliste, ata që triumfojnë nga secili rajon, do të ngjiten në Ligën 2.
Plani i ri pritet të përballet me shumë kundërshti, pasi duket qartësisht se ky turne i garanton pjesëmarrjen thuajse ekskluzivisht ekipeve të mëdha në elitë dhe e bën të pamundur për të vegjlit që të jenë protagonistë e të fitojnë financiarisht milionat që garanton ky turne.
Për më tepër, ideja për të kthyer Ligën 3 në një përballje rajonale, mund të krijojë probleme të vazhdueshme, sidomos në zonën e Ballkanit ku përplasjet mes skuadrave të vendeve të ndryshme kanë sjellë shpesh tensione.
Për ekipet shqiptare, shansi për të marrë pjesë në Ligën 2 do të ishte minimal, ndërsa në Ligën 3, me siguri do ta shihnin veten duke u ndeshur vazhdimisht me ekipet greke, serbe, turke e kroate, pa shijuar emocionet e ndeshjeve ndaj skuadrave më të forta të vendeve të tjera. (Vipsport)