Serbia duket se i është kundërpërgjigjur iniciativës së qeverisë shqiptare për të hequr kufijtë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut duke lehtësuar kufirin me Bosnjë Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Protokolli për lehtësimin e kufijve mes tre vendeve u nënshkrua të mërkurën në Sarajevë nga Ministri boshnjak i Çështjeve Civile, dhe zyrtare të Ministrisë të Punëve të Brendshme të malit të Zi dhe Ministrisë së Jashtme të Serbisë. Zyrtarët e pranishëm e përshkruan këtë vendim si një premtim për forcimin e bashkëpunimit dhe respektit të anasjelltë në të tria vendet. Sipas marrëveshjes së firmosur nga Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi, në kufirin e përbashkët mes tre vendeve do të ngrihet një pikë e vetme kufitare.
Por a ishte kjo lëvizje e Serbisë një kundërpërgjigje ndaj iniciativës së qeverisë shqiptare për heqjen e kufirit Kosovë-Shqipëri, ku më pas pretendon të përfshijë edhe Maqedoninë e Veriut dhe pse Beogradi e përjashtoi Shkupin nga kjo marrëveshje?
Propozimi erdhi vetëm dy muaj pasi Beogradi shpërtheu me deklarata të paprecedente për shkak të “heqjes së kufirit” mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo iniciativë e Prishtinës dhe Tiranën është pritur me nota alarmante nga Serbia, e cila ka akuzuar vazhdimisht politikanët shqiptarë se po përpiqen të krijojnë “Shqipërinë e Madhe” . Thellimi i bashkëpunimit mes Tiranës dhe Prishtinës si dhe heqja e barrierave kufitare, është parë nga Beogradi zyrtar edhe si një justifikim për aneksimin e Republikës Srpska.
Heqja e kufirit mes Bonjës, Serbisë dhe Malit të Zi u hodh si ide në Podgoricë vetëm një ditë pas deklaratës së kryeministrit Rama për lehtësimin e kufirit me Kosovës. Dy deputetë të opozitës në Mal të Zi, Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç prezantuan këtë iniciative, duke quajtën heqjen e kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë si një tendencë të rrezikshme që mund të çojnë në konflikte të mëdha. Ata dhanë një deklaratë të përbashkët për mediat, duke theksuar se Serbia gjithmonë ka qenë “motori nxitës i Ballkanit” dhe se Mali i Zi duhet t’u druhet lëvizjeve të tilla nga liderët shqiptarë.
“Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama po shkojnë drejt krijimit të një koalicioni anti-serb i përbërë nga Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia dhe Kosova”, deklaruan ata.
Dy politikanët e opozitës nuk janë mjaftuar vetëm me këtë deklaratë, pasi u takuan më pas edhe presidentin serb dhe kryetarin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës Milorad Dodik, për të diskutuar mbi këtë çështje.
Disa ditë pasi Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje për të bashkuar kontrollin e kufirit, presidenti Aleksandër Vuçiç u përgjigj duke pretenduar se marrëveshja ishte pjesë e një plani më të gjerë për të minuar Serbinë. “Është e qartë për mua se ata do të ndërtojnë mbi planin e tyre. Kur e fshijnë kufirin, ata do të shfuqizojnë taksat që kanë vënë për mallrat nga Serbia dhe thonë se janë gati të flasin. Por ata do ta bëjnë këtë nga një pozicion tjetër, një Kosovë të unifikuar me Shqipërinë “, tha Vuçiç.
Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandër Vulin shkoi edhe më larg, duke deklaruar se kjo është një përpjekje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, e cila sipas tij, “nuk mund të krijohet pa konflikte në mbarë Ballkanin, e jo vetëm me Serbinë”.
Ndërkohë kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç ka akuzuar autoritetet në Prishtinë për “cenimin e stabilitetit rajonal”. Ajo shkoi edhe më tej, duke krahasuar Kosovën me Republikën Srpska në Bosnjë-Hercegovinë.
“Duket qartë se tani po flitet për kufijtë, por si është e mundur që kjo të vlejë vetëm për disa, e jo edhe për Republikën Srpska“, tha Brnabiç.
Një reagim edhe më i ashpër erdhi nga një deputet serb, i cili ka akuzuar Shqipërinë se po anekson Kosovën. Milovan Drecun, anëtar i partisë qeverisëse SNS deklaroi për televizionin shtetëror serb se Tirana po bën gjithçka për të krijuar Shqipërinë e Madhe.
“Ky hap që tregon se pak nga pak ata po krijojnë Shqipërinë e Madhe dhe askush nuk po reagon. Ky nuk është një problem i madh për ne dhe për rajonin”, deklaroi ai. “Kur shikoni gjithçka që ka ndodhur gjatë dekadave të fundit me Kosovën është shumë e qartë se Shqipëria ka pretendime ndaj një pjese të territorit tonë, Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë një përpjekje e Shqipërisë për të ankoruar dhunshëm një pjesë të territorit tonë”, tha ai me anë të një deklarate të paprecedentë.
Marrëveshja zyrtare mes Tiranës dhe Prishtinës për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar si dhe për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar u firmos më 29 dhjetor në Morinë, nga Ramush Haradinaj dhe dy ministrat e Brendshëm respektivë
Kjo marrëveshje lejon që shtetasit, automjetet dhe mallrat, të cilët hyjnë ose dalin nga territori i palëve, u nënshtrohen kontrolleve të përbashkëta nga autoritetet përkatëse përgjegjëse, vetëm një here. Kalimi kufitar midis Shqipërisë dhe Kosovës është thjeshtësuar dhe policia e të dyja vendeve në të ardhmen do të kryejë kontrollin e mjeteve dhe të pasagjerëve së bashku. Po ashtu edhe për kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, deklarata e kryeministrit shqiptar, Edi Rama për hapjen e kufirit me Kosovën, është e mirëseardhur.
Duke komentuar deklaratën e Ramës se përveç me Kosovën, Shqipëria do të dëshironte të hiqte kufijtë edhe me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Greqinë, Zaev ka thënë se ‘edhe ai do të dëshironte të bënte të njëjtën”. Kjo, thotë Zaev, do të sjellë përfitime të mëdha për rajonin. “Edhe unë do të dëshiroja t’i hapnim kufijtë”.
Zaev ka thënë se ai nuk sheh ‘asgjë kontroverse në qëndrimin e kryeministrit shqiptar lidhur me hapjen e kufijve me fqinjët, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Sipas kryeministrit në fakt, kjo ide do të sillte edhe përfitime të mëdha ekonomike dhe do të ishte në të mirën e qytetarëve të të gjitha vendeve të rajonit.
Përse i trembet Beogradi heqjes së kufijve Shqipëri-Kosovë?
Kryeredaktori i së përditshmes “Zëri”, Lavdim Hamidi thotë për “Al Jazeera” se politikanët në Serbi e kanë ekzagjeruar këtë çështje, pasi për vite me radhë, kryesisht gjatë muajve të verës kur ka fluks të madh të qytetarëve të Kosovës drejt bregdetit shqiptar ose malazez, i nënshtrohen vetëm një kontrolli.
“Ju nuk do të hasni kufi në Europë, siç ndodh në Ballkan. Fundja, pavarësisht mosmarrëveshjeve që kanë pasur në periudha të ndryshme kohore, shtetet e BE-së kanë hequr kufijtë dhe një praktikë të tillë duhet ta ndjekin edhe shtetet e Ballkanit, që synojnë të bëhen pjesë e Evropës”, thotë Hamidi.
Ai shpreson se në të ardhmen të gjitha shtetet e rajonit do të hyjnë në Bashkimin Europian, në mënyrë që çështja e kufijve do të bëhet e parëndësishme dhe njerëzit do të lëvizin lirshëm, pa procedura të mundimshme burokratike”.
Tomislav Markoviç, gazetar dhe shkrimtar nga Serbia, thotë se reagimet dhe akuzat nga disa politikanë në Serbi për heqjen e kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të pakuptimta.
“Këto janë të gjitha kërcënime me pushkë bosh, pasi ka përfunduar historia e kufijve dhe territoreve. Pyetja e vetme është edhe sa kohë do të lejojnë qytetarët autoritetet t’i shqetësojnë me probleme të rreme në vend që të zgjidhin çështje që kanë të bëjnë me jetën e përditshme”, thotë ai,
“Është e pakuptimtë pasi Kosova është një shtet i pavarur, që Shqipëria e ka njohur. Për Shqipërinë, si dhe në pjesën më të madhe të botës së qytetëruar, Kosova nuk është pjesë e Serbisë, kështu që aneksimi i saj është i paimagjinueshëm. Të gjitha këto histori për krijimin e një ‘Shqipërie të Madhe’ nuk kanë shumë kuptim për shkak se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë ndryshimin e kufijve në Ballkan. Kjo epokë ka përfunduar. Tani duhet ndjekur koha e integrimit dhe zhvillimit. Kjo është ajo që duhet të jetë prioritet për përfaqësuesit tanë politikë, për këtë janë zgjedhur dhe për këtë punë paguhen” thekson Markovic.
Gazetari serb thotë se kjo çështje është ekzagjeruar nga politikanët në Serbi dhe normalisht nga presidenti i Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik.