Prof. Nasho Jorgaqi
Në vitin e largët 1942, kur radio Zëri i Amerikës nisi të shpërndante fjalën e saj në gjuhë të ndryshme, ajo do të fliste edhe shqip. Zërin e këtij radiostacioni botëror do ta përcillte gazetari shqiptar Nelo Drizari (1902-1978), folësi dhe shefi i parë i seksionit shqip. Një emër pak ose aspak i njohur edhe sot nga publiku i gjerë në Shqipëri, por një figurë e nderuar midis shqiptarëve të Amerikës. Gazetar, letrar, piktor, ligjërues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në universitetet amerikane. Një intelektual plot kontribute të çmuara, që ecte në traditën e Faik Konicës dhe të Fan Nolit, ai do t’i takonte brezit të dytë të intelektualëve shqiptaro-amerikanë.
Nelo Drizari kish zbritur adoleshent në Amerikë prej Mallakastrës “së egër” dhe kish nisur në “kontinentin e ri” rrugën e vështirë të emigrantit. Kish provuar punën e krahut nëpër ferma dhe fabrika, por falë mençurisë, vullnetit të hekurt, etjes së pashuar për dituri, kish ndjekur ndërkaq dhe shkollën, duke u përballuar me sakrifica, për të cilat nuk do të pendohej kurrë. Kështu, në moshën 26-vjeçare do të kryente universitetin Columbia në degën e gazetarisë, duke u bërë një nga të parët gazetarë të diplomuar në historinë e gazetarisë shqiptare. Për vite me radhë do të punonte në shtypin shqiptar të SHBA si redaktor dhe më pas editor i gazetës Dielli, por dhe bashkëpunëtor i shtypit të Bostonit e më gjerë. Një fond të pasur të punës së tij si gazetar përbëjnë artikujt e botuar në organe të njohura të shtypit amerikan, si “Brooklyn Eagle Magazin’, “The New York Times Magazin”, “Current History Magazin” etj. Analist dhe publicist, intervistues dhe reporter, ai la pas një trashëgimi të çmuar që, për fat të keq, ende nuk njihet edhe nga studiuesit e historisë së gazetarisë sonë.
Një moment i rëndësishëm në jetën e Nelo Drizarit, është detyra që ai përballoi me sukses gjatë Luftës së Dytë Botërore, si shef i Seksionit Shqiptar në OËI (Zyra e Informacioneve të Luftës), në kuadrin e së cilës ngriti e drejtoi për vite me radhë seksionin shqip të Zërit të Amerikës. Falë autoritetit dhe përkushtimit, ai do të tërhiqte dhe aktivizonte figura të shquara intelektuale, si Fan Noli me shokë, për propagandimin e kauzës së luftës kundër fashizmit.
Intelektuali Nelo Drizari, megjithatë, nuk do të mbetej në kufijtë e gazetarisë, po të kemi parasysh karrierën akademike që ndoqi. Ai u mor me hulumtime e studime gjuhësore dhe punoi si lektor i Gjuhës Shqipe në Universitetin Columbia. Fryt i kësaj pune të përkushtuar janë veprat gjuhësore që hartoi, si “Fjalori shqip-anglisht dhe anglisht-shqip” dhe “Shqipja e folur dhe e shkruar: Doracak praktik” Veprimtaria e tij në këtë fushë, e bëri Nelo Drizarin pionier të njohjes dhe të studimit të gjuhës shqipe në shkollat e larta në SHBA.
Pjesë e veprimtarisë shkencore të Drizarit është edhe libri “Skënderbeu-Jeta e tij, korrespondenca, oratoria, fitoret dhe filozofia” (1968). Duke ecur në rrugën e studimeve skënderbejane të Nolit, ai, veç studimit të gjatë hyrës, hartuar nga një këndvështrim origjinal, sjell të dhëna të reja dokumentare rreth personalitetit të heroit tonë kombëtar. E botuar në kuadrin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, vepra e Drizarit i bën jehonë kësaj ngjarjeje në SHBA duke nxjerrë konkluzione të rëndësishme se lufta e popullit shqiptar nën udhëheqjen e tij “shpëtoi Evropën nga legjionet otomane” dhe se “historia e kulturës evropiane do të kish qenë më ndryshe nga ajo që është sot, po të mos ishte roli shpëtimtar i Skënderbeut”. Nga ana tjetër, Nelo Drizari, si studiues me interesa të gjera, do të duket edhe në disa punime shkencore të botuara në vepra kolektive, siç janë “Historia e dramës moderne, Enciklopedia e Collierit”, “Fjalori i Kolumbias për letërsinë moderne evropiane”, etj.
Krijimtaria letrare është një aspekt tjetër i veprimtarisë së Drizarit. Përveç romanit “Irena”, të cilin nuk e njohim, ai ka botuar edhe përmbledhjen me tregime “Nga katër ditët në tokën e premtuar”, dy vepra këto shkruar në gjuhën angleze. Cikli me tregime ka karakter autobiografik. Ato i lidh i njëjti hero dhe ky është vetë autori. Është historia e jetës së një djaloshi shqiptar, e një “rebeli të vogël”, që brumoset prej të jatit (“rebelit të madh”) me ndjenjat e atdhedashurisë dhe krenarisë kombëtare, që mërgon nga vendlindja dhe merr rrugën e largët të Amerikës. Autori e cilëson historinë e tij si një sagë iliriane, të mbushur plot ngjarje të jashtëzakonshme dhe njerëz të guximshëm, me vullnete të forta dhe ëndrra të bukura. Heroin e tregimeve e karakterizon kuraja, besimi në vetvete dhe humori i gjallë. Falë këtyre virtyteve, djaloshi shqiptar fiton mbi botën e panjohur, varfërinë, pengesat e mëdha të jetës në mërgim. Rrëfimi është i mbushur plot nota malli për vendlindjen, ku ndjehet edhe krenaria për historinë e vlerat kombëtare. Të bën përshtypje etja e pashuar e autorit për dituri, synimi dhe vendosmëria për të rrokur hapësirat e qytetërimit amerikan. Amerika bëhet për djaloshin jo vetëm toka e ëndërruar dhe e shanseve, por atdheu i dytë, ku ai gjen vetveten dhe shpalos dhuntitë e vlerat e tij. Libri, sipas kritikës, është shkruar me vërtetësi, me tone gazmore dhe në një mënyrë mjaft tërheqëse.
Portreti i Nelo Drizarit si intelektual krijues do të ishte i mangët, në qoftë se do të linim pa përmendur edhe aspekte të tjera të veprimtarisë së tij. Kështu, ai do t’u japë lexuesve amerikanë të përkthyer në anglisht dramën “Besa” të Sami Frashërit. Por akoma më i rëndësishëm është fakti se ai u njoh dhe u çmua si piktor. Punimet e tij në ketë fushë janë dëshmuar në një varg ekspozitash vetjake të hapura dhe të mirëpritura në San Francisko, Oklend dhe qendra të tjera kulturore të Amerikës Perëndimore. Për fat të keq, nuk njohim deri më sot asgjë nga piktura e Drizarit: Nelo Drizari ka afro 30 vjet që nuk jeton më. Pas nuk ka lënë asnjë”trashëgimtar, veç emrit të nderuar dhe veprës të lidhur aq ngushtë me Shqipërinë dhe vlerat e saj. Trashëgimia e tij është dëshmi e asaj kulture, që kultivuan dhe kultivojnë intelektualët shqiptarë në SHBA, duke u bërë pjesë e denjë e kulturës shumëkombëshe amerikane. Nelo Drizari, si një nga pionierët dhe përfaqësuesit e saj, meriton të njihet, të studiohet dhe të vlerësohet siç i takon.