Politikanët dhe akademikët përplasen me njëri-tjetrin për çështjen e frenimit të borxhit
Në hyrjen kryesore të selisë qendrore të Federatës Gjermane të Tatimpaguesve në Berlin, një ekran shfaq borxhin publik në kohë reale. Aktualisht ai është në nivelin poshtë 2 trilionë eurove (2.2 trilionë dollarë amerikanë), duke shënuar rënie që prej fillimit të vitit 2018, shkruan The Economist. Gjatë këtij viti, raporti i borxhit publik të Gjermanisë, pritet të jetë 58% e PBB-së, i cili shkakton po aq zili në mesin e shteteve të tjera të pasura sa edhe aftësitë e saj të larta në fushën inxhinierike.
Falë rritjes së pjesëmarrjes në tregun e punës, të ardhurat nga taksat për frymë arritën në vitin 2018, nivelin më të lartë në terma realë të shënuar ndonjëherë. Megjithatë, politika fiskale e Gjermanisë ka qenë subjekt i debateve të shumta gjatë kohëve të fundit. Sipas Olaf Scholz, ministrit të Financave, periudhës së artë të përshkruar pak më sipër i ka ardhur fundi. Rritja ekonomike parashikohet të ngadalësohet këtë vit, duke reduktuar edhe mbledhjen e taksave. Nëse atij do t’i duhet që t’i përmbahet zbatimit të rregullave të rrepta fiskale të Gjermanisë, atëherë ai duhet të frenojë edhe shpenzimet publike.
Ligji “Schuldenbremse” (frenimi i borxhit) u përfshi në Kushtetutë në vitin 2009, kur kriza financiare pritej të rriste nivelin e borxhit publik mbi 80% të PBB-së. Ai e kufizon deficitin e qeverisjes federale në jo më shumë se 0.35% të PBB-së në vit. (Frenimi i borxhit ndikon edhe në financat e shteteve sepse nga 2020, ato do ta kenë të ndaluar për të drejtuar deficite strukturore). Por nëse do të supozojmë një situatë ku nuk kemi rritje ekonomike, me një deficit strukturor të llogarisë korrente dhe të buxhetit primar, rruga e vetme për të balancuar llogaritë është vazhdimi (dhe rritja progresive) i huamarrjes. Kjo është edhe një nga arsyet se përse shumë ekonomistë po e vënë në diskutim efikasitetin e tij.
Duke theksuar normat e interesit të niveleve shumë të ulëta në Gjermani dhe infrastrukturën e shkatërruar, ata argumentojnë se vendi ka nevojë për më shumë investime të financuara nga huamarrja.
Yields mbi obligacionet dhjetëvjeçare shënuan vlerë negative gjatë majit, duke qenë se investitorët e frikësuar nga lufta tregtare midis Amerikës dhe Kinës, dhe nga paqëndrueshmëria e politikanëve italianë sa u takon deklaratave se ata do të thyenin rregullat fiskale të Eurozonës, preferuan më shumë sigurinë e tyre. Më 9 maj, yields mbi obligacionet qeveritare dhjetëvjeçare të Gjermanisë ranë poshtë nivelit të atyre të Japonisë. Përballë kësaj situate, mundësitë për marrjen e huave për zhvillimin apo përmirësimin e projekteve që do të ndikonin në nxitjen e rritjes, duken të pashmangshme.
Investimet publike, në nivelin 2.3% të PBB-së, mbeten prapa mesatares së Eurozonës dhe me shumë vështirësi mbulojnë amortizimin. Z. Hüther dikur ishte një përkrahës i flaktë i frenimit të borxhit. Por në një artikull të publikuar së fundmi në “Süddeutsche Zeitung”, të shkruar së bashku edhe me Jens Südekum nga Universiteti Heinrich-Heine i Dyseldorfit, ai argumenton të gjitha arsyet për një kthim të mundshëm në “rregullin e artë”, i cili lejon që investimet të financohen nga borxhi.
Frenimi i borxhit supozohej të mbronte gjeneratat e ardhshme, por duke kufizuar investimet, argumentojnë z. Hüther dhe z. Südekum, ai i penalizon gjeneratat e ardhshme. Sipas Catarina Midoes dhe Guntram Wolff nga organizata Bruegel, që prej vitit 2010, zyrtarët gjermanë në hartimin e planeve buxhetore, vazhdimisht kanë bërë parashikime për të ardhurat tatimore, të cilat nuk përputheshin me realitetin, gjë që ka rezultuar edhe në kufizimin e shpenzimeve publike.
Studiues të tjerë spekulojnë se frenimi i borxhit mund të ketë çuar “paragjykime të tepërta”, gjë që i ka çuar parashikuesit të tregohen shumë të kujdesshëm nga frika e thyerjes së rregullave. (Ministria e Financave, megjithatë, thotë se kjo analizë nuk merr parasysh ndikimin e mundshëm të ndryshimeve të politikës tatimore ose efekteve të njëhershme.)
Por ka edhe nga ata të cilët nuk pajtohen me faktin se frenimi i borxhit ka çuar në një shtrëngim të shpenzimeve kapitale. Zyrtarët në Ministrinë e Financave theksojnë se investimet qeveritare janë rritur me 7% gjatë viteve të vitet e fundit, duke tejkaluar rritjen nominale të PBB-së.
Clemens Fuest nga Instituti Ifo për Kërkime Ekonomike thekson se 8 miliardë euro të caktuara nga qeveria federale në vitet e fundit për projektet publike nuk janë shpenzuar ende.
Gjasat që kjo qeveri të heqë dorë nga frenimi i borxhit duken të pakta. Edhe pse Kryeekonomisti Jakob von Weizswcker në Ministrinë e Financave është i hapur ndaj ideve të reja, z. Scholz dëshiron të ruajë më së miri ekuilibrat. Megjithatë, nuk ka asgjë që do ta ndalojë këtë qeveri për të kapërcyer pengesat e ndryshme dhe për të gjetur rrugë të reja drejt investimeve.