Me 26.2 milion euro nga Banka Botërore, infrastruktura do të përmirësohet, institucionet do të modernizohen dhe bashkëpunimi i tyre do të forcohet në mënyrë që të lehtësojë tregëtinë dhe transportin në Ballkanin Perëndimor, me nënshkrimin e marrëveshjes në mes Ministrisë së Financave dhe Bankës Botërore.
Ky është një projekt rajonal, në të cilin përveç vendit tonë, në fazën e parë do të përfshihen edhe Serbia e Shqipëria ndërsa në fazën e dytë do jenë Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova. Zv.ministrja e financave Shiret Elezi thekson se qëllimi i projektit është të zvogëlojë kostot e eksportit dhe importit dhe të shkurtojë kohën për tregëtinë ndërkufitare.
“Vlerësimi i Bankës Botërore është se me realizimin e projektit, kostot për eksport dhe import në rajon do të reduktohen me rreth 10%. E gjithë kjo do të kontribuojë në promovimin e tregëtisë, si dhe në rritjen më të lartë ekonomike në rajon”, theksoi zëvendësministrja e Financave Shiret Elezi.
Ajo shton se projekti ka katër komponentë: Lehtësimi i lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve në të gjithë Ballkanin Perëndimorë, Përmirësimi i efikasitetit dhe parashikueshmërisë së transportit, Përmirësimi i qasjes në tregun e lirë dhe investimeve si dhe Mbështetja e zbatimit të projektit.
Sa i përket komponentit të parë, Elezi njofton se koncepti i shallterëve të vetëm do të zbatohet përmes këtij projekti, që do të thotë se të gjitha procedurat e eksportit dhe importit, si dhe digjitalizimi i plotë i procesit, do të kryhen në një vend. Ajo shton se të ardhurat nga projekti do të përmirësojnë dhe zgjerojnë zyrat doganore në Qafë Thanë dhe Deve Bair.
Përndryshe, Projekti për lehtësimin e transportit dhe tregëtisë në Ballkanin Perëndimor është pjesë e bashkëpunimit katërvjeçar mes vendit tonë dhe Bankës Botërore. Kushtet e kredisë janë jashtëzakonisht të favorshme. Periudha e ripagimit është 12 vjet, me një periudhë mospagimi prej 4 vitesh dhe norma e interesit është 6 muaj për një interval fiks prej 0.85. Kjo do të thotë se tani interesi është 0.6%.