Ballina Aktualitet (VIDEO) INSPEKTORATI HAP PROCEDURË KUNDËR ARBËR ADEMIT DHE AGIM NUHIUT

(VIDEO) INSPEKTORATI HAP PROCEDURË KUNDËR ARBËR ADEMIT DHE AGIM NUHIUT

Inspektorati i arsimit ka zbuluar se funksionarët e BDI-së Arbër Ademi dhe Agim Nuhiu, njëri ministër i arsimit e tjetri zëvendës ministër i brendshëm, në mënyrë të paligjshme janë emëruar docentë në Universitetin shtetëror të Tetovës në periudhë kur kanë qenë në funksione publike. Në parashtresën që inspektori i arsimit të lartë Gjorgji Ilievski e ka dorëzuar në komisionin Antikorrupsion, që u publikua dje nga portali Fakulteti, shkruan se ka dyshime se ministri i arsimit Arbër Ademi është zgjedhur në mënyrë të paligjshme në titullin docent ne Fakultetin juridik të Universitetit shtetëror në Tetovë, në vitin 2017, duke qenë ministër pa portofol në Qeveri. Ndërkohë zëvendës ministri i brendshëm Agim Nuhiu është zgjedhur docent, duke qenë në postin e zëvendës ministrit, pavarësisht faktit se ligji ua ndalon punën si profesor derisa janë në funksion publik.

Inspektorati i arsimit të lartë

“Më 13 prill 2016, Universiteti shtetëror në Tetovë ka marrë vendim për të vënë në pushim marrëdhënien e punës për Ademin si asistent në Fakultetin juridik derisa e kryen funksionin e ministrit pa portofol në Qeveri, në pajtim me Ligjin për marrëdhënie të punës. Por, gjatë kësaj periudhe Universiteti ka ngritur procedurë për të zgjedhur një mësimdhënës. Rektorati më 3 shkurt 2017 ka marrë vendim me të cilin asistenti m-r Arbër Ademi zgjidhet në titullin shkencor docent për lëndët e drejta ndërkombëtare private dhe e drejta e arbitrazhit.Kjo procedurë është e paligjshme për shkak se marrëdhënia e tij e punës ka qenë në pushim si ministër pa portofol në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë”, shkruan në parashtresën e inspektorit për arsim të lartë Gjorgji Ilievski.

Dyshime ka edhe për Drejtorin e Entit për pronësi intelektuale Safet Emruli i cili fillimisht është zgjedhur docent, e pastaj edhe profesor inordinar dhe kjo sipas inspektorit është shkelje ligjore, meqë emruli është drejtor i këtij enti prej vitit 2008, që do të thotë se ka përparuar në karrierë duke qenë në post publik.

Inspektoi Ilievski në ankesën e tij deri tek Komisioni Antikorrupsion ka theksuar edhe se i bëjnë presion që ta ndërpresë procedurën kundër funksionarëve të BDI-së.

Inspektorati i arsimit të lartë

“Veprimet e këtilla të paligjshme nga funksionarë publikë, ministra, drejtorë dhe tjerë duhet të ndërpriten dhe të ngritën procedura dhe të bartin përgjegjësi morale dhe të tjera. Unë, Gjorgji Ilievski, Inspektor i lartë i arsimit, jam i vetëdijshëm për pasojat, por gjithashtu jam i vetëdijshëm se duhet të funksionojë edhe shteti juridik dhe ligjshmëria, e jo politika dhe frikësimet dhe kërcënimet. Jam në dispozicion të Komisionit për çdo sqarim plotësues”, shkruan në parashtresën e Ilievskit deri tek Antikorrupsioni.

Iliveski në ankesë shkruan s’do të heq dorë nga ky rast pavarësisht presioneve dhe se për veprimet e tij e ka njoftuar edhe kryeministrin edhe ministrin e arsimit.

Pas këtij rasti inspektorët kanë realizuar kontrolle edhe në disa fakultetet të tjera që kanë të punësuar funksionarë aktual. Deri tani nuk janë kumtuar parregullsi të reja.

Qeveria nuk e komentoi këtë rast duke ia hedhur gjithë përgjegjësinë Komisionit Antikorrupsion.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=pMzTcIbzQSg