Blloku urban katër i qytetit të Tetovës, vite me radhë përballet me mungesën e kanalizimit. Si pasojë shpesh ndodh që shtëpi të shumta, të vërshohen nga ujërat e zeza, gjë që përbën rrezik për shëndetin e banorëve. Ata thonë se vazhdimisht ndër vite kanë marrë premtime për zgjidhje, por asgjë konkrete nuk ka. Madje banorët i kanë ofruar komunës ndihmë prej rreth 10 mijë eurove për fillimin e këtij projekti.
“Problemi më i madh është tek ujerat e zeza dhe ujërat atmosferike, Tetova i ka 70 për qind të përziera por edhe në lagjen tonë janë të përziera dhe dalin jashtë në hapësirë. Vjen shumë aromë e keqe, mblidhen mushkonjat e gjërat”.
“Më keq nuk ka, ka lagështi shtëpia, i lus urgjentisht ta nxjerrin ku është rruga jo këtu”.
Nga ana tjetër, kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi, ka theksuar se shtëpitë e kësaj lagjeje janë ndërtuar jashtë planit urbanistik dhe për këtë qëllim ka qenë e pamundur të përpilohet projekt.
E gjithë kjo zonë por edhe zona tjera, objektet që janë ndërtuar kanë shkuar me procedurë legalizimi dhe e gjithë kjo çdo komune e jo vetëm neve, na bën halle më të mëdha, sepse është ndryshe ku keni plan urbanistik po tjetër ku lagjen e sistemi përmes legalizimit dhe kjo s`është lagja e vetme po ka edhe të tjera, por dua të them se sektori i urbanizmit ka qenë i shpejtë në dhënien e dokumentacionit që gjitha këto objekte sa më shpejtë të bëhen tatim pagues të institucionit – deklaroi Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.
Në gjendje të njëjtë, pa kanalizim, pa rrjet të ujësjellësit, është edhe Lagja mbi varrezat e Tetovës, banorët e të cilës, vite me radhë i apelojnë komunës për të marrë masa për përmirësimin e kushteve.