Nga Muhamed Zilbeari
Shoqata Akcionare Posta e Maqedonië e Veriut, në letër udhëhiqet si bashkim i akcioneve në pronë të Qeverisë, kurse ‘de fakto’ funksionon si Ndërmarrje Publike. Dallimi është se, me të regjstruarit si SHA, u ndryshuan të gjitha shtrukturat udhëheqëse, për dallim prej ndërmarrjes. Tani postën e drejton Këshilli drejtues prej shtatë (7) drejtorëve, me kryetar të këshillit drejtues, i cili e luan edhe rolin e Drejtorit Gjeneral, për dallim nga koha kur ishte ndërmarrje, që e drejtonte një Drejtor Gjeneral, d. t. th. prej një “nikoqiri” tani udhëheqin shtatë (7) “nikoqirë”; nga një sekretareshë tani ka shtatë sekretaresha, vetura zyrtare, telefona , reprezentacione apo harxhime personale dhe lloj- lloj benifite dhe te gjitha këto shumëzuar me shtatë. Krejt këto janë harxhime që sigurohen nga kurrizi i punëtorit të thjeshtë, i cili tërë ditën digjet në diellin e nxehtë (jo të gjithë… disa jo).
Vlen të përmendet edhe ajo se edhe pse të gjitha akcionet i posedon Qeveria e RMV, Posta vetëfinansohet, që do të thotë se rrogat dhe harxhimet tjera sigurohen nga profiti i Postës e jo nga buxheti.
Krejt ky transformim ndodhi në vitet 2006-2008, kur me Postën udhëhiqte kuadri i PDSH-së, me drejtor Sadulla Izairin. Të sqarohet se ky transformim nuk u bë me dëshirë të drejtorit Izairi, por se ndodhi liberalizimi i tregut postar dhe formimi i Agjencisë për komunikacion postar në RMV, me ligj të miratuar në Kuvend. Konform këtij ligji dhe liberalizimit të pjesshëm, u transformua edhe Ndërmarrja “Postat e Maqedonisë”.
Edhe pse të papërvojë në transformime të tilla, stafi i atëherëshëm arriti që një pjesë të transformimit dhe borxhet e trashëguara t’i futë në binarë, por pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme mbeti pezull.
Ardhja e Ejup Rustemit në mandatin e parë, pas ndërrimit të pushtetit, qe një vazhdimësi e mirë për Postën dhe të punësuarit. U finalizuan disa bisedime të filluara, u nënshkruan kontrata për shfrytëzimin e shërbimeve postare, siç ishin kontratat me EVN-në dhe Telekom-in e Maqedonisë, kontrata këto që stabilizuan pak a shumë situatën financiare dhe buxhetin e Postës.
Kryetari i këshillit drejtues, Ejup Rustemi, përvec që vazhdoji stabilitetin financiar, me shumë sukses i bëri ballë edhe vërshimit të anticilësisë drejtë Postës. Me disa lëshime dhe ndërrime partiake, arriti ta ruajë një pjesë të skeletit cilësor të të punësuarve në vendet udhëheqëse të Postës. Me këtë arriti që në mënyrë të kënaqshme ta ruajë edhe cilësinë e shërbimeve postare, në dobi të qytetarëve. Kjo nuk zgjati shumë, pasi filluan edhe ndryshimet kadrovike në të gjitha skalionet (eshallonet) qeveritare, përfëshirë këtu edhe Postën e RMV.
Me ardhjen e drejtorëve të radhës u prish i gjithë mundi, djersa dhe dija e të parëve që ishin në krye të Postës.
Filluan ndryshimet kadrovike pa asnjë kriter dhe kryekëput partiake. Një pjesë e kuadrit cilësor dhe me përvojë u zavëndësua me persona partiakë të papërvojë dhe me shkollim shumë të dyshimtë, me vetëdije shumë të ulët instiucionale dhe me një disiplinë “0” personale (jo të gjithë).
Vlerësimi, i pjesës më të madhe me përvojë e të ditur, është se këto ishin shkaqet që sollën ndryshimin e kahut të suksesit drejt një humnere apo një tuneli, që nuk i duket fundi.
Fillon prej Mobing-ut ndaj njerëzve me cilësi (që ndodh për çdo ditë), duke i lëvizur prej një vendi në një vend tjetër, prej një pozicioni në pozicion tjetër, të angazhuar me punë sporadike dhe joadekuate për nivelin profesional të tyre.
Mbingarkimi i Administratës me persona të avansuar fiktiv, në nivel qendror edhe nëpër zyra tjera, ku disa kurr nuk u panë në vendet e punës, ndërsa disa të tjerë këte e bënin një herë në muaj ose më pak, me persona të pakualifikuar e me njohuri të kufizuara, të cilet ishin prezentë vetëm fizikisht.
Pranimi i punëtorëve të rinj dhe mostrajnimi për punën përkatëse, por vetëm me premtimin “puno një muaj… të bëjmë shef e mandej nuk duhet të punosh”, solli në fillimin e rënies së cilësisë së shërbimeve postare.
Menaxhimi i keq me furnizimet publike dhe tenderët ishin pjesë e vazhdueshme e punës së Postës. Vlen të përmendet vetëm furnizimi i postjerëve me mopedë (biçikleta me motor) të cilësisësë dobët, në vitin 2016, gjysma e të cilëve pas dy viteve ishin jashtë përdorimit ose servisimi i veturave në Prilep, me ç’rast më shumë kushtonin mëditjet e punëtorëve dhe pagesat rrugore sesa servisimi i veturës.
Hapja e njësive postare “politike” pa ndonjë levëdri financiare, me moton “ta pranojmë filanin, e në lagjen e tij ta hapim një postë që mos të udhëtojë shumë”, poashtu e dëmtoi buxhetin e postave.
Nënshkrimi i kontratës së re me “Eurostandard banka”. Pas blerjes së akcioneve të mbetura të Bankës postare nga “Eurostandard banka”, kontrata momentale mes Postës dhe Bankës postare ndrërpritet. Në vitin 2016 nënshkruhet kontratë e re për bashkëpunim, e cila në krahasim me kontratën që e kishte Posta me Bankën postare, është më e dëmshme.
Në kontratën e parë, profiti i përgjithshëm mes Postës dhe Bankës postare ishte 84% për Postën kurse 16% për Bankën postare, ndërsa në kontratën e re me “Eurostandard bankën”, profiti ndahet 65% për Postën kurse 35% për “Eurostandard bankën”, që do të thotë se, me kontratën e re, Posta dëmtohet për 19% nga profiti i përgjithshëm.
Kjo kontratë në mënyrë të shtuar dëmtoi buxhetin edhe ashtu të sakatosur të SHA. “Posta e Maqedonis së Veriut”.
Vjedhjet. Në shakatë e përditshme të të punësuarve në postë përmendet edhe kjo: “a filluan vjedhjet në posta?”, “me siguri do ketë zgjedhje parlamentare” ose “a u shpallën Zgjedhjet? Tash priti vjedhjet nëp Posta”.
Vjedhjet e shumta, qofshin ato të mëdha apo të vogla dhe mosdëmshpërblimi nga ‘kompanitë e sigurimeve’ kompetente ishin dhe janë plagë e pambyllur në buxhetin e postave. Vlen të përmendet vetëm vjedhja e Postës 1010 në Çair në vitin 2013, ku u vodhën 13,660.000 denarë (trembëdhjetë millionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë mijë denarë), para ende të pakthyera nga ‘kompania e sigurimit’. Kjo vjedhje është vetëm njëra nga shumë vjedhje të pandriçuara dhe të pa dëmshpërblyera.
Mospagesa e K-15-ës. Mospagesa e rrogës shtesë, që popullorçe quhet K-15 nga këshillat drejtuese të mëhershme, solli që një pjesë e madhe e të punësuarve t’u drejtohet dyerve të gjyqeve për t’i kërkuar të drejtat e tyre. Të gjithë ankesat u realizuan në favor të të punësuarve dhe këto ankesa e dëmtuan rëndë buxhetin e Postës dhe njëkohësisht nxorën në pah joseriozitetin e Drejtorit Gjeneral të asaj kohe ndaj një të drejte ligjore.
Sindikatat e partizuara shërbejnë vetëm për udhëtime dhe dashuriçka të fshehta dhe kurrë nuk e morën rolin e sindikatës së vërtetë në mbrojtje të punëtorit. Ishin kryekëput në shërbim të këshillave drejtuese dhe sot shërbejnë vetëm për të ndarë dhurata e vërtetime, për blerje nëpër shitore të ndryshme.
Agjencia për komunikacion postar. Pas liberalizimit të tregut postar, lindën edhe ‘posta private’, të cilat me të regjistruar dhe marrjen e lejes për veprimtari postare, filluan punën pa asnjë kriter a rregullore, duke dëmtuar Postën e RMV-së, ndërsa propaganda e tyre e paskrupullt ishte si ushqim ditor. Agjencia për komunikacion postar, kompetente për të kontrolluar veprimtarinë e tyre në terren, bashkë me menaxhmentin e Postës, rrinin duarkryq. Mos përmendim që këto posta private kurrë nuk përdorën llogari fiskale.
Krejt kjo solli që Posta të futet në një krizë shumëdimensionale. Vlen të përmenden borxhet e Postës dhe cilësia e shërbimeve postare; që të dyja ishin dhe janë në një krizë të thellë.
Emërimi i Ejup Rustemit, për së dyti herë, në krye të Këshillit drejtues, ishtë një shpresë për të gjithë të punësuarit e regullt dhe e atyre që me rrogë të Postës ushqejnë familje, se më në fund, Posta mund të kthehet në binarët e duhur. Edhe përkundër disa ndryshimeve të vogla, kjo mbeti vetëm shpresë. Fitohet përshtypja se Rustemit i mungon energjija e mandatit të kaluar për të përmirësuar diçka, ose është i pafuqishëm për të shpartalluar rrjetin e thurur nga paraprakët. Marrëdhëniet e tensionuara, mes Rustemit dhe pjesës së LSDM-së në Këshillin drejtues, janë qershia mbi tortë e situatës së përgjithshme.
E përbashkëta e gjithë drejtorëve, po edhe e Rustemit është blerja e qetësisë në mesin e të punësuarve, përmes realizimit të pagave në mënyrë të regullt, ndonëse kjo nuk do të ndodhë edhe shumë gjatë. Nëse nuk merren masa më radikale nga Ejup Rustemi, Këshilli drejtues dhe Qeveria e RMV-së, situtuata do të përkeqësohet. Bomba në Postën e Maqedonisë së Veriut është e kurdisur.
Për fund, të gjithë lexuesve të këtij shkrimi, ua bëj me dije se ky shkrim nuk e ka karakterin politik, por shpreh grumbullimin e panikut te të gjithë të punësuarit në ASH “Posta e RMV”, të cilët burimin e vetëm finansiar për ekzistencë e sigurojnë duke punuar ne postë.