Në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel, (02 shtator) gazetari Andi Bora raportoi se si zyrtarë të Fondacionit “Besa” kishin përdorur në mashtrim me kreditë pjesëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian.
Mashtrimi i Fondacionit “Besa” me kreditë fiktive, ka prekur kryesisht komunitetin rom dhe egjyptian. Në zonën e Shkozës dhe Lanabregasit janë rreth 140 familje që në padijeni se ky ishte mashtrim, kanë aplikuar për kredi. Të pyetur nga Top Channel, sesi ata u bënë pjesë e kësaj skeme mashtrimi, banorët e Shkozës dhanë këtë përgjigje: Na janë paraqitur si bosa dhe na kanë thënë që do pastrojmë para nëpërmjet fondacionit “Besa”. Ne kemi dhënë kartat e identitetit.
Në dosjen e prokurorisë, rezulton që Dritan Kalthi, ka qenë një nga personat i cili gjente klientë për Fondacionin Besa. I njohur ndryshe si Tani, ai u kishte dhënë garanci se ata që do të aplikonin nuk do të kthenin asnjë qindarkë në fondacion.
“Erdhi dhe na tha se nuk do të kemi probleme. Ne jemi të varfër dhe i morëm ato para, u blemë fëmijëve. Neve na kanë mashtruar”.
Të gjitha procedurat për kreditë fiktive janë kryer në Fondacioni Besa pa prezencën e klientëve. Ata që aplikuan, kanë firmosur vetëm në momentin e tërheqjes së parave.
“Kemi shkuar atje dhe kemi firmosur një copë letër dhe paratë i kanë marrë të tjerët”
Për banorët e Lanabregasit, sekserja Orkida Driza nuk ka asnjë përgjegjësi në këtë çështje. Sipas tyre edhe ajo që kenë e mashtruar nga drejtoresha e degës së fondacionit Besa, Albana Imami.
“Orkida Driza kot jeton atje, ajo duhet të jetë pranë fëmijëve. Albana Imami, ajo na ka mashtruar”.
Për këtë skemë mashtrimi të fondacionit Besa, me një kosto financiare prej 3.7 milionë euro, janë përfshirë mbi 800 persona. Ndërkohë, po qëndrojnë në arrest me burg, drejtoresha e njërit prej filialeve të fondacionit, Albana Imami, tre oficerë kredie si dhe Orkida Driza, personi që gjente klientët. Kjo skemë kishte krijuar një gropë të madhë ne fondacion, çka e kishte detyruar Albana Imamin të merrte para me fajde, me qëllim mbushjen e gropave financiare. Për këtë arsye, prokuroria paralelisht ka hapur hetim edhe për këtë çështje. Drejtuesja e fondacionit kishte marre para me fajde me përqindje te mëdha shume personave, biznesmenë, noterë dhe gazetarë, kontrata këto të cilat janë të jashtëligjshme./Top-Channel, Andi Bora