Normat e larta të emigrimit po i shkaktojnë dëm të madh perspektivave të Ballkanit Perëndimor dhe nuk dihet ende nëse anëtarësimi në BE mund ta ndryshojë këtë largim masiv.
Nga Alida Vracic
Në një mbledhje të nivelit të lartë në Bled, Slloveni, Nikola Dimitrov, ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, së fundmi shprehu shpresën se bisedimet e pranimit të vendit të tij në BE do të fillojnë në tetor. Ai gjithashtu theksoi se një fillim i bisedimeve të pranimit do të ndihmojë në bindjen e të rinjve që të mos emigrojnë dhe të kërkojnë një “stil europian jetese” diku tjetër.
Ky ishte një rast i rrallë kur një politikan i lartë nga Ballkani Perëndimor e trajtoi emigrimin si një problem dhe shprehu shpresë se tendenca mund të ndalet me vendimet e duhura dhe me perspektivat e anëtarësimit në BE.
Megjithatë, një pyetje e madhe është nëse hapja e bisedimeve të pranimit në BE, apo edhe anëtarësimi eventual, do t’i bindë vërtetë gratë dhe burrat e rinj dhe të aftë të qëndrojnë në rajon.
Përgjigja bëhet më e komplikuar kur gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – krahasohen me Kroacinë fqinje.
Atje, nivelet e emigracionit janë rritur shumë që nga viti 2013 kur vendi u anëtarësua në BE. Shumë kroatë shpresuan se pranimi në BE do të garantonte stimuj të mjaftueshëm që njerëzit të qëndronin në Kroaci, por kjo nuk ndodhi.
Pra, a mund të ndihmojë sadopak magjia e BE-së? Për shumicën e vëzhguesve të rajonit, situata duket e rëndë për sa i përket emigracionit.
Shifrat e fundit të Eurostat thonë se rreth 230,000 njerëz u larguan nga rajoni gjatë vitit të kaluar. Numri më i madh emigroi nga Shqipëria – 62,000. Kjo u pasua nga Bosnja dhe Hercegovina (53.500), Serbia (51,000), Kosova (34.500), Maqedonia e Veriut (24.300) dhe Mali i Zi (3,000).
Hulumtimi i Gallup ndërkohë ka treguar se rreth 46 për qind e njerëzve në Serbi nga 15 deri në 29 vjeç duan të largohen pa synuar të kthehen. Njëzet e shtatë për qind e atyre me arsim të lartë shprehën dëshirën për t’u larguar përgjithmonë.
Kjo sigurisht që vjen me një kosto për vendet e tyre.
Sipas një raporti të Fondacionit Westminster nga viti 2019, me katër në pesë serbë të rinj që mendojnë të emigrojnë, ky fluks largimi mund t’i kushtojë Serbisë deri në 1.2 miliardë euro në vit.
Asnjë vend në rajon nuk mund ta përballojë këtë, por po ndodh.
Situata është e ngjashme në vendet e tjera të rajonit dhe këto shifra duhet t’i krijojnë kujtdo një ndjenjë urgjence.
Krahasuar me ekonomitë e Europës Perëndimore, vendet e rajonit kanë pak për të ofruar. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende ndër më të varfrit në Europë dhe ritmi i tyre i konvergjencës me standardet europiane është i ngadaltë.
Shumica e elitave politike lokale shfaqen më shumë të përqendruara në përfitimet personale dhe interesat e biznesit privat sesa në të mirën publike. Punët me pagë të mirë janë të pakta.
Në 2018, 1.15 milionë njerëz në rajon ishin të papunë. Ndërsa kjo ishte më pak sesa një vit më parë, rënia në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë u nxit kryesisht nga pasiviteti më i lartë dhe emigracioni i mundshëm, i cili uli nivelin e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore.
Sipas fjalëve të raportit të fundit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor 2019: “Nëse lihet pa u trajtuar, sfidat e kapitalit njerëzor do të kufizojnë ashpër perspektivat e rritjes dhe uljes së varfërisë.”
“Më shumë Europë”?
Jo të gjithë largohen vetëm për arsye ekonomike. Shumë prej tyre thuhet se largohen për shkak të atmosferës “toksike” dhe mungesës mbizotëruese të perspektivës.
“Më shumë Europë” në Ballkanin Perëndimor mund t’i ndryshojë gjërat. Ndërsa zhgënjyen nga dekada të tëra premtime boshe nga elitat e tyre lokale, qytetarët e rajonit ende ndajnë një vizion për perspektivën afatgjatë të anëtarësimit në BE.
Në të gjashtë vendet, ata ka më shumë gjasa të thonë se anëtarësimi do të sillte dobi sesa të dëmtonte vendet e tyre. Të paktën katër nga pesë banorë thonë se anëtarësimi në BE do të sillte dobi për vendin ose rajonin e tyre.
Për shumë prej tyre, procesi i pranimit në BE vjen në forma dhe mënyra të ndryshme. Qytetarët e rajonit e lidhin anëtarësimin me standardet e përmirësuara të jetesës, rritjen e vendeve të punës, arsim më të mirë, rrugë më të pastra, mbledhjen e duhur të mbeturinave dhe një diskurs politik më të civilizuar dhe të denjë. Ata e lidhin atë me jetë të përditshme më të mirë.
Megjithatë, deri më tani, përpjekjet e Europës për të përkthyer fuqitë e saj transformuese në terren dhe në mesin e njerëzve nuk kanë krijuar një ndryshim të rëndësishëm, qoftë në aspektin e proceseve apo të politikës. Për më tepër, qytetarët kryesisht nuk janë të pranishëm në diskurset politike në vendet e tyre.
Sa i përket BE-së, zgjerimi nuk ka qenë në axhendë për vite me radhë. Mungesa e oreksit për zgjerim midis vendeve kryesore të BE-së, ka bërë që një numër në rritje i njerëzve në Ballkanin Perëndimor të besojnë se rajoni i tyre nuk do të bëhet kurrë pjesë e BE-së.
Si përgjigje, ata zgjedhin të emigrojnë në BE.
A mund të ofrojnë sadopak shpresë mesazhet aktuale nga Brukseli?
Sipas fjalëve të Ursula von der Leyen, tani presidentja e parë femër e Komisionit Europian: “Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për Bashkimin Europian. Ai është Europë. Dhe prandaj do të mbështes sa më shumë që të jetë e mundur marrëdhëniet në rritje midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.”
Von der Leyen zyrtarisht merr në dorë kryesimin e ekzekutivit të BE-së më 31 tetor, ditën kur Britania do të dalë nga blloku.
Se sa do të sjellë në Ballkanin Perëndimor Komisioni i ri, me siguri do të përcaktojë fatet e shumë personave që mendojnë të emigrojnë.
Siç ka dëshmuar shumë herë Ballkani Perëndimor, mungesa e narrativave bindëse të paraqitura nga individë të hapur, të ndershëm dhe të përkushtuar rezulton në dështim, ndërsa personalitete kompetente, energjike dhe të përkushtuara mund të sjellin përparime shumë të nevojshme.
Analizimi i mirë i personit që do të udhëheqë procesin e zgjerimit ka një rëndësi ekstreme. Mjetet më të fuqishme të BE-së kanë kufij. Nga krahasimi dhe monitorimi, tek asistenca teknike dhe fondi para-aksesimit, suksesi në Ballkanin Perëndimor do të kërkojë modifikime të thella.
Në rrezik janë shumë gjëra dhe jo vetëm për Ballkanin Perëndimor.
Nëse nuk do të ketë së shpejti përmirësime të rëndësishme, rajoni i Ballkanit Perëndimor do të vuajë me siguri sfida të rënda demografike. Emigracioni masiv do të shkaktojë mungesë të madhe pune dhe ekspertësh. Kjo do të ketë pasoja të menjëhershme dhe afatgjata.
Por kostoja më e madhe nga të gjitha do të jetë të ndihmosh vende të shkretuara, ku më të mirët dhe më të zgjuarit janë larguar prej kohësh.
Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.