Nga Baton Haxhiu
Albin Kurti i fitoi zgjedhjet.
I vetëm kundër të gjithëve. Vetëm me populizëm.
Kjo është e vërteta.
Në njërën ndër intervistat e para të dhëna nga Albin Kurti pas fitores së zgjedhjeve të 6 tetorit, në “Opinion”, pak ditë para se ta marrë mandatin për ta formuar Qeverinë, ai e pati mundësinë ta shpaloste një plan konkret për sfidat të cilat e presin Kosovën në muajt dhe vitet në vijim dhe mënyrën se si një qeveri e udhëhequr nga ai dhe VV-ja dhe do t’i adresonte. Mirëpo, nuk tha asgjë.
Asnjë plan konkret për dialogun, asnjë plan konkret për veriun e Kosovës, asnjë plan konkret për bashkimin kombëtar, ideal ky mbi bazën e të cilit u themelua dhe u rrit VV-ja, dhe asnjë plan konkret për çkapjen e shtetit, i cili ka qenë slogani kryesor i Lëvizjes gjatë gjithë kohës sa ka qenë në opozitë, dhe në emër të të cilit ka udhëhequr protesta të dhunshme në mënyrë të vazhdueshme dhe ka orkestruar një fushatë të tërë të linçimit publik. Kryeministri në ardhje i Republikës se Kosovës, i cili nuk ka pranuar asnjë simbol të shtetësisë së Kosovës deri në këtë moment, la për të nënkuptuar se të njëjtat do t’i pranojë vetëm pas marrjes së detyrës së tij si kryeministër i vendit. Pra, i pranon simbolet e shtetësisë së Kosovës vetëm me kusht që të jetë Kryeministër.
Disa çështje që Albin Kurti i adresoi në këtë intervistë reflektojnë ndryshim të menjëhershëm dhe gati rrënjësor të qëndrimeve të tij në emër të të cilave ka ushtruar edhe dhunë për më shumë se një dekadë.
1. E drejta e mandatarit për formimin e qeverisë
Pas 6 tetorit, Albin Kurti pa asnjë dilemë pranoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, që përcakton se e drejta për ta formuar qeverinë i takon fituesit të zgjedhjeve. Këtë vendim ai e pranon sepse tash është në favor të tij. Por, është pikërisht Albin Kurti dhe subjekti i tij që e kishin linçuar Gjykatën Kushtetuese në vitin 2014 pas nxjerrjes së këtij vendimi duke tentuar me çdo kusht që të mos e linin fituesen e zgjedhjeve me mbi 30% të votave, PDK-në, që ta formonte qeverinë. Kurti i ka fituar zgjedhjet me përafërsisht vetëm 0.5% më shumë se partia e dytë me një total votave që shkon pak më lart se 25% e qytetarëve që votuan dhe 10% të të gjithë trupit votues të regjistruar. Kundër interpretimeve euforike për fitore madhështore, fitorja e VV-së është fare relative në nivel real të përqindjes dhe është pa dyshim më e ngushta nga të gjitha zgjedhjet në Kosovë pas vitit 1999.
Ç’është më me rëndësi, përkundër që VV-ja është radhitur si partia e parë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i jep Kurtit të drejtën ekskluzive për ta formuar qeverinë, siç vazhdon të insistojë. Në fakt, insiston që veç ai mund të jetë kryeministër sipas vendimit të vitit 2014, që tashmë është shndërruar në tekst hyjnor për VV-në. Kjo është krejtësisht e paqëndrueshme juridikisht për dy arsye. E para, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep partisë apo koalicionit parazgjedhor fitues të zgjedhjeve përparësi për ta nominuar kandidatin për kryeministër, që jo domosdoshmërisht është kandidati parazgjedhor për kryeministër. Të kujtojmë se po sipas këtij vendimi, më 2014, PDK-ja si parti e parë e kishte nominuar Isa Mustafën si kandidat për kryeministër mbi bazën e marrëveshjes paszgjedhore për koalicion PDK-LDK. Pra, edhe në rrethanat ku VV-ja ka dalë partia e parë, kjo assesi nuk nënkupton që vetëm Kurti si kandidat parazgjedhor i VV-së për kryeministër ka të drejtë të nominohet. Meqë koalicioni paszgjedhor është i pashmangshëm, vendimi i vitit 2014 nuk e përjashton mundësinë që VV-ja, mbi bazën e një marrëveshjeje paszgjedhore për qeverisje, të nominojë një kandidat tjetër apo edhe nga LDK-ja, si partnere e mundshme qeverisëse.
E dyta, nëse kandidati i parë i nominuar nuk i siguron votat e nevojshme për formim të qeverisë, atëherë është në diskrecionin e Presidentit të Republikës që në konsultim me partitë/koalicionet parlamentare ta mandatojë një kandidat nga një parti tjetër. Në këtë rast, po të mos pranonte LDK-ja të hynte në koalicion me VV-në, formimi i Qeverisë Kurti do të dështonte dhe LDK-ja si parti e dytë do të mund ta merrte mundësinë për formimin e qeverisë. Albin Kurti si fitues i zgjedhjeve tashmë e (keq)interpreton Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese vetëm në favorin e tij – ose Qeveri në krye me VV-në, ose zgjedhje, duke anashkaluar mundësinë e opsioneve tjera që i mundëson Kushtetuta.
Kjo qasje është, në rastin më të mirë, shpërfaqje e një mendësie tepër selektive në interpretim të ligjit më të lartë në vend dhe të rregullave demokratike dhe, në rastin më të keq, parashenja të kapjes së shtetit përmes shpërfilljeve të rregullave dhe procedurave përkatëse ligjore e demokratike ende pa e marrë mandatin e Kryeministrit. Qeverisja demokratike të cilën Kurti vazhdon ta proklamojë ka në thelb respektimin e Kushtetutës, ligjit dhe procedurave demokratike edhe kur ato nuk janë në favor të një partie apo individi, në këtë rast të VV-së.
2. Sundimi i ligjit dhe çkapja e shtetit
Në Republikën e Kosovës, Gjykatat kanë qenë vazhdimisht të atakuara nga VV-ja. Aktivistët e saj kanë refuzuar t’iu përgjigjen gjykatave, nuk u janë bindur urdhrave të tyre, kanë linçuar gjyqtarë e prokurorë për vendimet të cilat i kanë marrë. Me ardhjen e tyre në pushtet pritet që sektori i sundimit të ligjit të jetë prioritet dhe t’i nënshtrohet një reforme të thellë, të cilën VV-ja asnjëherë nuk e ka shpalosur detajisht. Por, që kritikat e VV-së nuk janë shndërruar në alternativë konkrete e tregoi intervista në fjalë. Albin Kurti përmendi 4 propozime konkrete për ta çkapur gjyqësorin: Ligjin e ri për prokurorë; Kodin e ri të procedurës penale; Ligjin antimafia dhe trajnimet e avancimet për gjyqtarë e prokurorë.
Ka dy probleme themelore.
I pari, Kurti nuk dha asnjë propozim konkret për përmbajtjen e këtyre ligjeve, lëre me ta elaboronte me fakte efektin që ato do të mund ta prodhonin në praktikë.
I dyti, ai e reduktoi problemin e kapjes së shtetit në aprovim të këtyre ligjeve.
Ligji për prokurorë është ndryshuar në vitin 2018, me ndihmën dhe mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve; Ligji i ri për procedurën penale ka hyrë në fuqi vetëm para disa muajsh dhe është hartuar me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve; Ligji antimafia është në procedurë e sipër, ndërsa duke marrë parasysh fokusin e madh që organizatat ndërkombëtare e kanë pasur në Kosovë në aspektin e sundimit të ligjit, gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë dhe janë në mënyrë intensive dhe të vazhdueshme pjesë e trajnimeve. Kjo nuk do të thotë që trajnimet nuk duhet të vazhdojnë, por është simptomatikë e pushtetit si mekanizëm për ta shndërruar Albin Kurtin nga revolucionar në institucionalist brenda një jave dhe ende pa e marrë mandatin. Ai tashmë e ka reduktuar kapjen e gjyqësorit me mungesë të trajnimeve dhe amendamentim të ligjeve.
Po të dëgjohen me vëmendje deklaratat e VV-së gjatë fushatës dhe intervistat e Albin Kurtit pas zgjedhjeve del fare qartë që përkundër diskursit radikal, VV-ja nuk ka ide të qartë ku dhe si duhet ndërhyrë në sistemin e drejtësisë dhe policisë për ta përmirësuar sundimin e ligjit në Kosovë. Në fakt, deklaratat parazgjedhore të llojit: “Prokurorin Elez Blakaj do ta kthejmë në Kosovë, do ta bëjmë Kryeprokuror të Shtetit dhe nuk do të guxojë askush që ta kërcënojë”, apo shprehur ne frazeologji populiste: ‘Le të ecë Lumezi [Kryeprokurori aktual] që të kthehet Elezi’, më së miri shpërfaqin instinktin autoritar të tij për të qenë lider i gjithëpushtetshëm që personalisht vendos për udhëheqësit e institucioneve ligjore. Një qasje e tillë është thellësisht problematike sepse bie ndesh me parimin bazë demokratik të ndarjes së pushteteve dhe cenon pavarësinë e gjyqësorit.
Në mungesë te strategjisë së mirëfilltë për luftë kundër krimit dhe korrupsionit, Kurti mundohet ta bind publikun që prezenca e tij në pushtet në vete është garanci e mjaftueshme për sukses në luftën kundër korrupsionit. Ky s’është veçse një veprim tipik nga repertori global i stilit populist të politikëbërjes.
3. Mungesa e planit për Veriun
Çështja e Veriut të Kosovës, përkatësisht çështja që mban peng zhvillimin e Kosovës, integrimin e shoqërisë kosovare, shtrirjen e plotë të sovranitetit shtetëror, që nuk është zgjidhur që 20 vjet përkundër diskutimeve të panumërta të Qeverive të Kosovës, angazhimit të kryetarëve të Komunës së Mitrovicës, dhe për më tepër, angazhimit ndërkombëtar për ta gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Janë investuar miliona euro të agjencive të huaja zhvillimore për ta gjetur një zgjidhje. Ajo që është bërë e qartë tashmë është që zgjidhja e çështjes së Veriut nuk është as ekonomike, as sociale, por politike dhe etnike. Të gjithë ata që kanë guxuar të propozojnë një zgjidhje për Veriun e Kosovës janë linçuar si tradhtarë të kombit nga VV-ja. Tash, “erdhi dita” që VV-ja me Kryeministër Albin Kurtin ta gjejë një zgjidhje. Intervista nxori në pah se nuk e ka një të tillë.
Albin Kurti e reduktoi zgjidhjen për Veriun e Kosovës në: a) Dialog nga poshtë-lart; b) Takime të bujqve shqiptarë e serbë për të diskutuar për problemet që kanë me bujqësinë; c) Ndërtim të urave të reja mbi lumin Ibër; dhe d) Kthim në pronat e tyre të serbëve që jetojnë në Veri, por që janë nga pjesë të tjera të Kosovës.
Lehtësia përmes te cilës Kurti i dha këto propozime naive karshi një konflikti të ngrirë për gati 20 vite nënkupton ose mosnjohje të kompleksitetit të situatës ose, për më keq, që e ka ndërmend të mbajë status quo dhe të mos bëjë asgjë. Konfliktet me bazë etnike kanë aq shumë fuqi simbolike që pothuajse në asnjë rrethanë nuk mund të reduktohen në probleme etnike. Zgjidhja e kontesteve politike është kushti fundamental për paqe, bashkëjetesë dhe integrim, ndërsa përmirësimi i situatës ekonomike është ndihmesë por assesi zëvendësim për të parën. Në fakt, kjo qasje infantile politike karshi një problemi shumë kompleks që po zgjat për më shumë se dy dekada më kujton “Zgjidhjen e Artë” që kishte propozuar në vitin 2007, në kohën e negociatave për statusin e Kosovës. Në atë kohë, Albin Kurti ishte aq i bindur se procesi që udhëhiqej nga Marti Ahtisaari ishte dizajnuar për ta lënë Kosovën nën sovranitetin e Serbisë dhe përjetësisht nën tutelën ndërkombëtare, saqë angazhohej maksimalisht për sabotim të procesit, qoftë edhe me çmimin e trazirave politike. I gjendur përballë një pyetjeje fare bazike të një kolegu gazetar për alternativën që propozonte, Kurti kishte deklaruar se ai do të organizonte protesta masive në rrugë dhe edhe armiqtë e pavarësisë së Kosovës si Rusia do të zmbrapseshin para vendosmërisë së 200.000 protestuesve shqiptarë në rrugët e Kosovës! Sa ide gjeniale!
4. Marrëveshja me Serbinë
Marrëveshja përfundimtare dhe reciprokisht e detyrueshme që do të rezultonte në njohje reciproke midis dy vendeve është prioriteti themelor i Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve për Kosovën. Kësaj marrëveshjeje të mundshme i kanë paraprirë vite të tëra dialog të udhëhequr nga BE-ja, e në Kosovë të ndjekura nga qeveri e ekipe negociatore të ndryshme. Administrata e SHBA-ve vetëm në muajin e fundit ka caktuar Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor dhe Përfaqësuesin Special për Dialogun Kosovë-Serbi, i cili pa e mbushur javën e parë në detyrë e vizitoi Kosovën. Por, për Albin Kurtin, bazuar në atë që tha gjatë intervistës, përkundër kësaj historie intensive negociatash e diskutimesh, çdo gjë fillon nga zeroja dhe në shpërfillje të plotë të të arriturave të deritanishme dhe qëndrimeve të partnerëve ndërkombëtarë.
Ai nuk dha asnjë alternativë apo plan konkret se si do t’i qaset këtij dialogu, në emër të të cilit, siç ka ndodhur edhe në fushatat tjera, ka udhëhequr protesta edhe të dhunshme dhe ka linçuar çdokënd që ka qenë pjesë e këtij procesi.
Vetëm dy propozime konkrete plasoi Albin Kurti në këtë aspekt: a) Dialogu do të fillojë me “Dialogun për Dialogun”. Këtë do të duhet ta bëjë me Josep Borrell, Përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të BE-së i cili vjen nga një shtet që nuk e njeh Kosovën dhe është shumë paragjykues ndaj saj në raport me Serbinë, dhe që e vendos Kosovën në disavantazh të menjëhershëm; dhe b) Nuk do të ketë Marrëveshje pa dialog (duke nënkuptuar që çdo gjë që është dialoguar para tij është e papranueshme për të), nuk do të ketë dialog me harta dhe nuk do të ketë harta me President rrotull, duke nënkuptuar përjashtimin e plotë të Presidentit Thaçi nga ky proces, përkundër faktit që në këtë aspekt ka kufizime kushtetuese.
I pyetur se cila do të ishte oferta e tij, apo në cilat pika është i gatshëm të negociojë, Kurti u përgjigj se oferta e tij është një listë kërkesash për Serbinë. Përderisa kërkesat e tij, duke përfshirë të pagjeturit, janë plotësisht legjitime, fakti që ai pretendon të ulet në një tavolinë dialogu me Serbinë, të udhëhequr nga SHBA dhe BE, pa qenë i gatshëm të pranojë asnjë kompromis, tregon se ai ose pretendon ta bllokojë plotësisht dialogun, ose lexon, me gjasë në mënyrë të qëllimshme, komplet jashtë kontekstit të realitetit gjeopolitik në të cilin gjendet Kosova dhe rajoni sot.
Të thuhet se marrëveshja i shkon për shtati vetëm Serbisë në procesin e saj të integrimit evropian, nga perspektiva e një kryeministri kosovar që e di se njohja ndërkombëtare e Kosovës është e kufizuar, të cilën nuk e njohin 5 shtete të BE-së, e cila nuk ka liberalizim vizash, e cila është larg nga ulësja në OKB, në një kohë kur mbështetja ndërkombëtare për Kosovën nuk është në ditët e saj më të mira – është naivitet i rrezikshëm politik.
Për me tepër që Kurti, i cili thekson rëndësinë e historisë në politikë, në mbajtjen e një qëndrimi të tillë e redukton një histori shekullore armiqësie në mes Kosovës dhe Serbisë në interesin e Serbisë për të marrë më shume fonde nga BE-ja. Historia të cilës ai i referohet tregon mirë se problemi mes Kosovës dhe Serbisë është më së paku financiar. Mbi të gjitha, është konflikt për territor, për të drejta kombëtare dhe etnike, por të paktën në dy dekadat e fundit – edhe problem gjeopolitik.
Në fund, përkundër që jo shumë kohë më parë ka qenë kundër çfarëdo negociatash qoftë edhe me bashkësinë ndërkombëtare, lëre më me Serbinë, dialogu më nuk kontestohet nëse ai vet është kryeministër dhe udhëheqës i tij. Madje, Kurti pretendon se do ta përfaqësojë Kosovën në tryezën e bisedimeve me një zë unik, përmes një ekipi negociator që përfshin edhe opozitën. Është tejet paradoksale dhe ironike, sepse ai jo vetëm që ka refuzuar çdo marrëveshje ndërkombëtare në raport me Kosovën deri më sot (që nga Rambujeja, përfshirë edhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës), jo vetëm që ka refuzuar të jetë opozitë konstruktive në çfarëdolloj procesi me rëndësi për Kosovën (madje ka bojkotuar Kuvendin edhe kur është ratifikuar Marrëveshja për Stabilizim Asociim me BE-në, në 2015), por Lëvizja e tij ka ushtruar dhune politike dhe fizike në mënyrë të vazhdueshme. Është ironike se si Kurti pret që opozita e sotme të jetë konstruktive në raport me të dhe t’ia mundësoj atij me kaq lehtësi përfaqësimin e “zërit unik të Kosovës” në tavolinën e bisedimeve.
Një tjetër zgjidhje politike që ofroi Kurti, e që në fakt është veç një slogan pa përmbajtje, është ideja e reciprocitetit të plotë me Serbinë si mekanizëm që zëvendëson taksën 100% për produktet serbe. Është krejt e qartë për këdo që, fatkeqësisht, Kosova dhe Serbia nuk janë në pozitë të barabartë as sa i përket fuqisë politike, diplomatike ekonomike, e as në raport me njëra tjetrën. Do të ishte me shumë interes për të gjithë të dimë se çka nënkupton reciprociteti i plotë dhe si do funksionojë në praktikë. P.sh., a do të lobojë Kosova për çnjohje të Serbisë? Meqë Serbia vazhdon të kontrollojë pjesë të territorit të Kosovës, a do e bëjë Kosova të njëjtën gjë me Luginën e Preshevës?
Edhe këtë e nënkupton logjika “sy për sy, dhëmb për dhëmb” që po kamuflohet me elokuencë si ”reciprocitet”.
5. Bashkimi më Shqipërinë
Mbase pjesa më skandaloze e elaborimit të Albin Kurtit lidhet me një çështje që në shumë mënyra e ka definuar vetë ekzistencën e VV-së: bashkimi me Shqipërinë. Nga një element konstituiv i Lëvizjes, kjo çështje është shndërruar sakaq në çështje joprioritare (diçka që mund të presë për një kohë të pacaktuar) dhe diçka të reduktueshme në bashkëpunim të grupeve punuese e komisioneve ndërqeveritare Kosovë-Shqipëri.
Në fakt, nëse ka një çështje që në mënyrë shembullore shpërfaq retorikën e zbraztë politike të VV-së dhe Albin Kurtit, atëherë kjo është çështja e bashkimit me Shqipërinë.
Bashkimi kombëtar është shënjuesi i zbrazët, apo lundrues i VV-së, që merr kuptim, rëndësi dhe prioritet sipas rastit dhe nevojës, por që asnjëherë nuk artikulohet qartë, lëre më të shndërrohet në strategji të mirëfilltë politike që përmban ide, hapa, afate kohore, etj.
Këto ditë Kurti deklaroi: “Unë besoj se Kosova duhet t’i bashkohet Shqipërisë pasi të jetë shtet i suksesshëm”. Nga një mohues i vendosur i shtetësisë së Kosovës, përfshirë simbolet e saj dhe rendin juridik, tash që është fare pranë zyrës kryeministrore, Kurti e sheh Kosovën si projekt të vetëmjaftueshëm që bashkohet vetëm pasi të realizohet si sukses.
Më herët, Kurti e ka parë bashkimin si parakusht të zhvillimit, ndërkohë që tash e sheh zhvillimin dhe suksesin si parakusht të bashkimit.
Pra, ai po thotë që Kosova duhet të zhvillohet si e pavarur nga Shqipëria, ndërkohë që në program thotë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është e drejtë historike që tejkalon të gjitha leverditë ekonomike. Ngjashëm, Kurti deklaron se do ta pranojë himnin e Kosovës nëse i vendoset teksti. Mirëpo më herët nuk e ka kundërshtuar himnin sepse nuk ka pasur tekst, por sepse nuk ishte himni i Shqipërisë. Ai nuk pranonte asgjë tjetër pos himnit të Shqipërisë sepse konsideronte se me të rritej humnera mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Madje, në Manifestin e VV-së (https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2019/01/Manifesti-11494292623.pdf) të bërë në fillim të themelimit të saj, ajo nuk përmend askund bashkimin me Shqipërinë. Nuk përmendet fare fjala “bashkim” e as Shqipëria si referencë. Madje, as si fjalë të ndara. Nuk përmendet as Lugina e Preshevës, as shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni e Çamëri.
Përmendet vetëm “e Drejta e Vetëvendosjes”. Kur e Drejta për Vetëvendosje u realizua në vitin 2008 me shpalljen e pavarësisë, VV-së i ra në mend se ekziston Shqipëria dhe filloi të ligjëronte për domosdoshmërinë e bashkimit me të.
Tash nuk e ka prioritet dhe duke e parë mundësinë që Presheva mund t’i bashkohet Kosovës në një marrëveshje për shkëmbim territoresh, Kurti thotë se do të angazhohet që t’i avancojë të drejtat e shqiptarëve të Luginës brenda Serbisë. Ai thotë se shqiptarët e Luginës duhet t’i përdorin Kapitujt 23 dhe24 të BE-së për Serbinë, që kanë të bëjnë me të drejtat themelore të njerëzve dhe funksionimin e ligjit dhe rendit. Ai ka thënë se do të angazhohet për respektimin e të drejtave të tyre brenda Serbisë. Po ashtu, i ka sugjeruar ata që t’i shfrytëzojnë kapitujt 23 dhe 24 nga BE-ja për Serbinë. Shihet pra që Kurti aktualizon, fsheh dhe interpreton çështjen e bashkimit të shqiptarëve në përputhje me agjendën elektorale.
Them “bashkim të shqiptarëve”, e jo “me Shqipërinë”, pasi Kurti flet për idealin e një shteti të përbashkët të shqiptarëve në Ballkan. Dëshiron një projekt nacionalist ku përputhet njësia kombëtare me njësinë politike, ku asnjë trevë e banuar me shqiptarë nuk mbetet jashtë shtetit shqiptar.
Këto intervista relativisht të shkurtra shërbejnë për ta kuptuar metamorfozën politike të Albin Kurtit dhe rrëshqitjen e tij të pandalshme drejt diskursit populist ku mjafton prania e Liderit në pushtet dhe të gjitha problemet politike, ekonomike e shoqërore marrin fund njëherë e përgjithmonë. Kjo sepse Lideri është vet garancia për çdo sukses. Sepse ai është shprehja më kuptimplote e zërit qytetar për ndryshime dhe çrrënjosje të sistemit të kaluar. Sepse Ai është ndryshe nga çdo lider tjetër politik. Sepse Albin Kurti dhe VV. Sepse. Kaq mjafton.
Historia politike e Albin Kurtit është historia e një fanatiku politik në ndjekje të kauzave të humbura dhe historia e një metamorfoze të pashembullt politike në emër të një ëndrre për pushtet, lavdi dhe një emër në histori. Sot, Albin Kurti është fare pranë zyrës kryeministrore të një shteti të ri të cilin ai u mundua fillimisht ta parandalojë e më pas ta shkatërrojë në emër të idealit kombëtar gjithëshqiptar. Ai është fare pranë realizimit të ëndrrës dhe kauzës së vetme që e ka ndjekur për më shumë se një dekadë: pushtetit.
Qysh në paradhomë të pushtetit, numrat, përqindjet, rregullat ligjore, programet, strategjitë e parimet s’kanë asnjë relevancë.
Përballë pushtetit, të gjitha çështjet tjera – bashkimi kombëtar, himni, flamuri – edhe formalisht humbin rëndësinë.
Ato nuk janë më prioritete.