“Vjosa Osmani do të jetë kryeparlamentare ose ministre e Jashtme e Kosovës”. Kështu u shpreh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në studion e emisionit “Opinion”.
“Unë besoj që i takon zonjës Osmani që të flasë, ajo ka dashur që të bëhet kryeministre tani duhet ta shohim se cili është plani B. Unë nuk e di cili është plani B. Unë kam pasur bashkëpunim shumë të mirë me zonjën Osmani si koleg deputetë, besoj se do të qeverisim mirë bashkë. Unë besoj që si ministre e punëve të Jashtme si kryeparlamentare do të kryente më së miri”, tha Albin Kurti.
Nga pozita e fitimtarit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, Albin Kurti tha se koalicioni e Lidhjen Demokratike të Kosovës është i detyrueshëm. “Jemi të dënuar të bashkëpunojmë, këtë që e ka dashur populli që na ka votuar”.
Sipas tij, lëvizjet për formimin e koalicionit do të zhvillohen gjatë ditës së enjte ku përfaqësuesit e Vetëvendosjes do të takohen me zyrtarë të LDK-së.
“Në parim nga LDK kanë pranuar që të kenë koalicion me ne dhe ne nesër do të kemi një takim ku marrim pjesë unë dhe nën kryetari i Vetëvendosjes nga ana tjetër do të jetë kryetari i LDK dhe kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani. Jemi të dënuar të bashkëpunojmë, këtë që e ka dashur populli që na ka votuar”, tha Kurti.
Sipas tij posti i kryeministri është i vendosur. Ai tha se do të jetë kryeministër, në të kundërt, Kosova shkon sërish në zgjedhje.
“Këtë e ka vendosur populli i Kosovës në datën 6 tetor, kryeministri nuk mund të jetë pikë e diskutimeve. Ai që fiton më shumë vota e ka të drejtën për të pasur kryeministrin. Subjekt që del i pari fiton mandatin nga presidenti për të formuar qeverinë e re, kjo nuk është diskutueshme. Ose Vetëvendosje drejton qeverinë, ose shkojmë përsëri në zgjedhje”, tha më tej Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes iu referua edhe dialogut me Beogradin. Ai tha se do ta përfaqësojë vetë Kosovën në tryezë në cilësinë e kryeministrit të Kosovës dhe jo presidenti Hashim Thaçi. Këtë të fundit, Albin Kurti e akuzon si problematik në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shtoi se nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për shkarkimin e Thaçit.
“Ne e kemi kërkuar prej kohësh këtë gjë. Nuk kemi ende vota për ta bërë shkarkimin. Problemi më i madh që kemi me presidentin është ta shohim qëndrimin e tij sa i përket raporteve me Serbinë, sepse ka qenë fort problematik. Ai ka bërë diçka të paimagjinueshme nga njëra anë ka pranuar që të bëjë një lloj shkëmbimi territorial. Unë nuk hy në pazare me Serbinë, me tokën e Kosovës. Ne nuk konsideromë që shqiptarët në Preshevë, Medvegja e Bujanov nuk janë të barabartë me serbët e Kosovës”.