Rreth dy orë ka zgjatur takimi mes grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Formati i qeverisë së udhëhequr nga këto dy parti, ishte tema kryesore e takimit të dytë me radhë, pas atij të së premtes.
Lumir Abdixhiku, pjesë e grupit punues të LDK-së, pas takimit, tha se caktimi i udhëheqësve të dikastereve ministrore do t’u takojë liderëve të dy partive politike, raporton KTV.
I pyetur për qasjen e LDK-së ndaj bashkëpunimit me Listën Serbe, Abdixhiku tha se do të respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ai ka pranuar se mes dy partive ka dallime, ndonëse shtoi se me to do të merren më vonë.
Në takimin e ardhshëm i cili do të mbahet të hënën, dy grupet punuese do të diskutojnë për çështjet që lidhen me zhvillimin ekonomik.
Ndërkaq, përmes një komunikate për media, edhe Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar opinionin në lidhje me takimin e sotëm me zyrtarë të LDK-së.
“Takimi i mbajtur në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje është i dyti në radhë, pas atij të mbajtur më 18 tetor. Ky takim do të pasohet nga takime të tjera gjatë dy javëve të ardhshme. Synimi i takimi është përafrimi programor në çështjet e zhvillimit ekonomik, shtetit të së drejtës dhe rendit, arsimit, shëndetësisë, politikave sociale dhe politikës së jashtme. Takimi i ardhshëm mbahet të hënën me 28 tetor, në orën 15:00 në zyrën e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë VV.